TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me valën e komenteve negative të publikuara online ndaj disa bizneseve shqiptare të sektorit të turizmit, duke e cilësuar situatën si një sulm të organizuar me ndikim në ekonominë turistike të vendit.
Përmes një reagimi në "X", Rama deklaroi se bizneset janë përballur me atë që ai e quajti “terror digjital” në kulmin e sezonit veror, duke iu referuar artikull të publikuar nga 'Tirana Examiner'. Sipas kreut të qeverisë, ky artikull shpjegon se si “një organizim i motivuar politikisht u kthye në agresion ekonomik kundër vendit dhe familjeve që jetojnë me turizmin”.
"Ekonomia jonë e turizmit u godit pabesisht nga terrori digjital mbi sipërmarrjet mikpritëse në kulmin e sezonit. Artikulli i @TiranaExaminer shpjegon se si një organizim i motivuar politikisht u kthye në agresion ekonomik kundër vendit dhe familjeve që jetonë me turizmin.", shkruan Rama në "X".
Ekonomia jonë e turizmit u godit pabesisht nga terrori digjital mbi sipërmarrjet mikpritëse në kulmin e sezonit. Artikulli i @TiranaExaminer shpjegon se si një organizim i motivuar politikisht u kthye në agresion ekonomik kundër vendit dhe familjeve që jetonë me turizmin. https://t.co/QaFZG588SG
— Edi Rama (@ediramaal) July 11, 2026
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi më 9 korrik se deri tani janë evidentuar rreth 10 mijë llogari online të dyshuara se janë përdorur për publikimin e komenteve dhe vlerësimeve negative ndaj bizneseve në sektorin e turizmit.
Hetimi lidhet me një valë reagimesh në rrjetet sociale, ku ditët e fundit janë publikuar thirrje për bojkot ndaj disa artistëve dhe figurave publike. Nismëtarët e këtyre fushatave i kanë kritikuar ata për qëndrimet e mbajtura dhe për mosmbështetjen e protestave të zhvilluara në Tiranë gjatë javëve të fundit.
Sipas hetimeve, këto thirrje kanë kaluar edhe në tentativa për dëmtimin e reputacionit online të bizneseve të lidhura me persona publikë, përmes publikimit të vlerësimeve negative dhe komenteve në platformat digjitale.
Drejtori i Policisë, Hita, paralajmëroi se çdo person që do të rezultojë i përfshirë në veprime të paligjshme do të përballet me përgjegjësi ligjore./ZËRI
