
TIRANË-Kryeministri Edi Rama njoftoi ditën e sotme në Kongresin e PS ndryshime të forta në qeveri. Pas deklaratës së Ramës kanë ardhur edhe reagimet e para nga Partia Demokratike. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një postim në rrjetin social Facebook ai e quan kreun e qeverisë Rama “një gënjeshtar që ka marrë peng të ardhmen europiane të vendit”.
Postimi:
Edi Rama prej 26 vitesh në politikë është i njëjti:
të vërtetën e quan helm;
korrupsionin e quan reformë;
hajdutin e quan të suksesshëm;
kriminelin e quan deputet;
vjedhjen e zgjedhjeve e quan fitore;
vilën e tij në Surrel e quan Shqipëri.
Gënjeshtar që ka marrë peng të ardhmen europiane të Shqipërisë! 12 vite përralla e gënjeshtra janë shumë kohe e humbur për Shqipërinë dhe shqiptarët e ndershëm.
Një ragim ka ardhur edhe nga kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha. Basha deklaron se pas mbylljes së pazarit me Berishën për mbylljen e listave, Rama do e mbushë qeverinë dhe parlamentin me anonimë që nuk e kërcënojnë pushtetin e tij dhe do e mbrojnë atë nga drejtësia.
Postimi:
Tumori i Shqipërisë është koka e qeverisë. Të tjerat janë metastaza, që sado t’i shkulësh nuk e shëron të keqen që ka mbërthyer vendin. Tani që mbylli pazarin me Sali Berishën, do e mbushë qeverinë dhe Parlamentin me anonimë që nuk e kërcënojnë pushtetin e tij dhe do ta mbrojnë nga drejtësia. Gjithçka për karrigen dhe pushtetin e tij në kurriz të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ndërkohë edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha teksa ka mbajtur fjalimin e tij para mbështetësve të tij të mbledhur poshtë ballkonit, foli në lidhje me Kongresin e PS-së i cili u mbajt ditën e sotme. Sipas kreut të PD-së kongresi në fakt u mbyll edhe si kongresi i spiropalizimit të rilindjes. Ai shtoi se mëkati i tyre më i madh për Edi Ramën është se, ata nuk e mbrojtën Ramën dhe Olsin kur opozita i bëri radiografinë në parlament.
Fjala e Berishës:
Mirëmbrëma dhe përshëndetje më të përzemërta, mirënjohjen të pakufishme ndaj jush, qëndrestarëve dhe qendrestareve të kauzës së drejtë të shqiptarëve. Të dashur miq! Sot para shqiptarëve doli me të gjithë lakuriqësinë e tij të shëmtuar, kongresi i partisë me katër emra, i cili në dallim nga çdo kongres tjetër në 83 vite, sanksionoi se ajo parti, në atë parti nuk ekziston asnjë forum tjetër, asnjë anëtar forumesh të tjera, ekziston njishi, njishi dhe të gjithë të tjerët janë zero me bisht pas tij. Në këtë kontekst, mund ta vlerësojmë kongresin si aktin politik të metamorfozës së rilindjes, metamorfozës së plotë të rilindjes. Miqtë e mi! Parë në çdo aspekt, ky kongres ka fytyra njërën më të shëmtuar se tjetrën. Ai në fakt u mbyll edhe si kongresi i spiropalizimit të rilindjes. Figura më fantazmagorike në 32 vite të politikës shqiptare, Zilie Pali, apo Zilie Gjoka u zgjodh kryetare e kuvendit të Shqipërisë. Por dua të jemi të sinqertë dhe gjërat duhet ti shohim jo me pasion të madh politik se i kemi kundërshtarë, por fjalët që tha ai për deputetët e tij, ishin një kopje e zbutur e fjalëve të mia për ata deputetë. Hajdutë, interesaxhi, antipopullor, dhe çdo epitet tjetër. Sot kreu i narkosit gjeti të lavdërojë vetëm Vullnet Sinën se i ka dhënë dorëheqjen me probleme madhore me fshatarët e Gjormit dhe Labërisë, seç bën atje me gurore, ujëra etj. Kurse të tjerët i quajti minj portalesh, intrigantë, gjuhë nepërkash që ju mbetet jashtë. I quajti dhe çfarë nuk i quajti or miq, dhe e dini se pse, se ata jo se nuk kanë mëkate, se janë mëkatarë të mëdhenj, por mëkati i tyre më i madh për Edi Ramën është se, ata nuk e mbrojtën Ramën dhe Olsin kur opozita i bëri radiografinë në parlament. Në fund të kongresit Rama prezantoi ndryshimet në kabinetin qeveritar, emrat e të cilëve i dërgoi tek presidenti Bajram Begaj për t'i dekretuar.
Propozimet për ndryshimet në Qeveri
Ervin Hoxha emërohet ministër i Brendshëm (Largohet Taulant Balla)
Petrit Malaj emërohet ministër i Financave (Largohet Ervin Mete)
Pirro Vengu emërohet ministër i Mbrojtjes (Largohet Niko Peleshi)
Taulant Balla emërohet ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin (Largohet Elisa Spiropali)/ZËRI