
TIRANË- Kryeministri Edi Rama është ndalur tek turizmi dhe tek drejtësia në fund të fjalës së tij në konferencën e përbashkët me Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken. Kreu i Qeverisë bëri thirrje për më shumë investime amerikane dhe turistë amerikanë në vend. I ndalur tek drejtësia, Rama tha se ka rënë miti i pandëshkushmërisë pasi sipas tij dhe njerëz me pushtet janë para drejtësisë.
Edi Rama: Kompanitë amerikane janë partner i dëshiruar, shpresojmë që ky proces që ka nisur do të shtyhet përpara. Ne besojmë që Shqipëria është një vend që sekretari mund ta dëshmojë, që është një vend që ia vlen të vizitohet nga turistët amerikanë. Mund të gjejnë gjithçka nga bukuritë e natyrës që nga plazhet dhe majat e maleve. E fundit, dua ta falenderoj publikisht atë që kemi thënë në mënyrë të përsëritur, për mbështetjen e pazëvendësueshme për transformimin e Shqipërisë nga një vend që nuk ka pasur kurrë drejtësi dhe ku kultura e pandëshkueshmërisë ishte standardi, duke na mundësuar që sot ne të shohim që jo, edhe në Shqipëri është e mundur që njerëz në pushtet, të lidhur edhe me pushtetin ekzistues të thirren për të dhënë llogari para ligjit për shkelje. Kjo është diçka, peshën dhe vlerën e të cilës, mund ta konceptojnë shumë vite më pas. Kur nisëm përpjekjen për reformën në Drejtësi, të gjitha anketimet dhe pyetjet gjetën mbështetje masive. Të majtë dhe të djathtë e mbështesnin reformën në drejtësi, se nuk është sekret që këto kemi problem të gjejmë konsensues edhe për orën. Kemi një orë të majtë, kemi një orë të djathtë, kemi dhe një orë të qendrës. Nëse ata që mbështesin reformën në drejtësi, pyeteshin nëse do të shihnin njerëz në pushtet para drejtësisë, shumica do të thoshte jo. Kemi shumë punë për të bërë akoma. Nëse sot ka një arsye të rëndësishme për të qenë më të bindur se asnjëherë tjetër për vlerën e kësaj miqësia, është mbështetja për të ndryshuar një faqe të historisë që dukej e palëvizshme./ZËRI