Politikë

Rama: Licencë edhe për AirBnB! S’mund të mbeten të pataksuar

Kjo për shkak të fenomenit që strukturat akomoduese të deklaruara por edhe ato të padeklaruara nuk raportojnë numrin e vizitorëve, në projektligj propozohet ndëshkim me gjobë edhe për këtë shkelje.

E.K
Rama: Licencë edhe për AirBnB! S’mund të mbeten të
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar këtë të martë të gjithë ata që kanë dhoma që i përdorin për akomodimin e turistëve se do të kategorizohen brenda strukturave hoteliere. Në të kundërt ata do të gjobiten deri në 400 mijë lekë.

Kjo për shkak të fenomenit që strukturat akomoduese të deklaruara por edhe ato të padeklaruara nuk raportojnë numrin e vizitorëve, në projektligj propozohet ndëshkim me gjobë edhe për këtë shkelje. Sipas kreut të qeverisë, s’ka shqetësim nëse paratë shkojnë direkt te familjet, por s’mund të jetë fluks të ardhurash që rriten dhe ndërkohe mbetet i pataksuar.

Edi Rama: Air BnB kemi qenë të vetëdijshëm s’ka shqetësim nëse paratë shkojnë direkt te familjet, por s’mund të jetë fluks të ardhurash që rriten dhe ndërkohe mbetet i pataksuar. Mbetet sfidë me vete se AirBnB, por ne kemi gjetur rrugët për të hapur një diskutim me ta edhe duke marrë parasysh shembullin e disa vende si Kroacia. Aty do jemi pak më të ngadaltë për faktin se kemi nevojë ti lëmë më shumë frymëmarrje familjeve që vënë shtëpinë një dispozicion për turizmin.

Në projektligjin e qeverisë propozohet që pjesë e strukturave akomoduese të mos jenë vetëm hotelet, motelet, resortet, kampingjet apo dhomat e ofruara nëpër agroturizma, por të përfshihen edhe apartamentet që ofrohen nga qytetarët për akomodimin e turistëve që kanë në përbërje një dhomë, kuzhinë dhe të paktën 1 tualet.

Pjesë e listës do të jenë edhe një bllok apartamentesh (2 ose më shumë) që menaxhohen nga i njëjti sipërmarrës turistik. Për herë të parë propozohet që të përfshihen në ligj edhe dhomat që jepen me qira për pushuesit. 

Ndërkohë për të gjitha strukturat akomoduese që ushtrojnë aktivitetin pa marrë licencë pranë ministrisë do të aplikohen penalitete si më poshtë:

a)            Ushtrimi i veprimtarisë si strukturë akomoduese pa certifikatë kategorizmi, sipas nenit 43/1 dënohet me gjobë, bazuar në numrin e dhomave, si më poshtë:

i.              nga 1 deri në 5 dhoma me 20 000-50 000 lekë

ii.             nga 6 deri në 15 dhoma me 100 000 lekë;

iii.            nga 16 deri në 40 dhoma me 200 000 lekë:

iv.            nga 41 deri në 80 dhoma me 300 000 lekë;

v.             mbi 80 dhoma me 400 000 lekë.

b)            përdorimi i paautorizuar i shënjave dalluese në strukturën akomoduese, pa u kryer procesi i klasifikimit sipas nenit 45 dënohet me gjobë 200 000 lekë;

c) ushtrimi i veprimtarisë si agroturizëm pa certifikatën përkatëse sipas nenit 45/1 dënohet me gjobë, bazuar në numrin e dhomave, si më poshtë:

i. deri në 5 dhoma 50 000 lekë;

ii. mbi 5 dhoma 100 000 lekë./Zëri

Poll

MOS HUMB