
TIRANË – Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar, në lidhje me raportin e fundit të OSBE ODIHR, për zgjedhjet vendore të 14 Majit. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ambasada thekson se SHBA nxit qeverinë, partitë politike, institucionet shtetërore, që të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it, të cilat përfshijnë keqpërdorimin e burimeve shtetërore, në nivel qendror dhe vendor, akuzat për shit-blerje votash nga të gjitha palët, marrjen e masave që të sigurohet fshehtësia e votës, parandalimin e frikësimit të mundshëm të votuesve, si dhe ndalimin e presionit mbi punonjësit publik dhe mbi votuesit.
Në deklaratë thuhet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështet angazhimin për të trajtuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it, në mënyrë që të sigurohet një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës, por dhe kërkesat e popullit shqiptar për një demokraci të fortë.
"Ambasada e SHBA mirëpret raportin e fundit të ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit që përshkruan fushat me përmirësim të vazhdueshëm, si dhe mangësitë. Shtetet e Bashkuara nxisin qeverinë, partitë politike dhe institucionet shtetërore të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it, të cilat përfshijnë keqpërdorimin e burimeve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, akuzat për blerje votash nga të gjitha palët, marrjen e masave për të siguruar fshehtësinë e votimit dhe parandalimin e frikësimit të votuesve, si dhe presionin mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit.
Raporti theksoi gjithashtu nevojën për të siguruar zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit në mënyrën e duhur, dekriminalizimin e shpifjes, si dhe mbështjetjen e gazetarisë së pavarur. Shtetet e Bashkuara mbështesin angazhimin për të trajtuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it, në mënyrë që të sigurohet një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe konseguent si dhe kërkesat e popullit shqiptar për një demokraci të fortë", thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Në lidhje me raportin e OSBE ODIHR, ka reaguar edhe delegacioni i BE-së në vendin tonë, që shprehet se zgjedhjet ishin të mirëadministruara, por se janë shoqëruar nga akuza për shitblerje votash.
“Delegacioni i BE-së mirëpret publikimin e raportit përfundimtar të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore në Shqipëri që konfirmoi se zgjedhjet ishin të mirëadministruara dhe konkurruese, por u shenjuan nga akuza për keqpërdorim e burimeve shtetërore dhe blerje votash.
Delegacioni i BE-së nxit të gjithë aktorët që të punojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse për të zbatuar rekomandimet e reja të Raportit dhe ato që janë ende pezull nga rekomandimet e mëparshme pa humbur kohë”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE-së.
Raporti i OSBE për zgjedhjet
Misioni i vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it publikoi të premten raportin përfundimtar të zgjedhjeve lokale të 14 majit. Në këtë raport kishte vlerësime, por u theksuan edhe problemet. Zgjedhjet thuhet se “në përgjithësi ishin të mirëadministruara, konkurruese dhe u mbajtën me pjesëmarrjen e forcave politike, por procesi u karakterizua nga polarizimi i vazhdueshëm midis partive kryesore dhe ndarjes së thellë brenda opozitës”./Zëri.ai/