Politikë

Rama i prerë me deputetët e opozitës: Do votohet rezoluta jonë për Kosovën, ne jemi shumica!

Rama iu tha deputetëve të opozitës se e vetmja rezolutë që do kalojë në Kuvend për Kosovën është ajo e propozuar nga socialistët, pasi ata janë shumica e besuar 3 herë nga shqiptarët

E.K
Rama i prerë me deputetët e opozitës: Do votohet rezoluta
Edi Rama ne Kuvend

TIRANË- Në fund të fjalës së tij 90 minuta në Kuvend, në seancën e posaçme për Kosovën, kryeministri Edi Rama iu tha deputetëve të opozitës që e vetmja rezolutë që do të kalojë në Kuvend është ajo e propozuar nga socialistët.

Rama tha se në rast se deputetët e opozitës kanë pretendime të tjera, atëherë mund ti votojnë rezolutat “në 7 partitë që kanë”, duke ironizuar përçarjet në kampin opozitar.

“Fëmijëve të këtij kombi duhet t’iu trashëgojmë paqe, dhe jo luftë. Si përfundim që ta mbyll, se më keni kërkuar gjatë, shumë gjatë, dhe i keni rënë shumë gjatë këtyre daulleve, se të paktën mos më kërkoni, se sa herë që më kërkoni gaboni. Po më mori malli vij vetë, se e vetmja mënyrë që ju të hypni në qeveri është të kapni karriget kur jemi pushim.

Si përfundim ne e dime shumë mirë çfarë themi dhe se çfarë duam, se ne jemi shumica, ju fitoni ne qeverisim. Ose do të votoni rezolutën tonë, atë të thjeshtën, që iu drejtohet njerëzve, ose rezolutat tuaja mund ti votoni në asambletë e 7 –partive tuaja, duke kërkuar vulën.

Ne do të linjëzohemi 100% në shenjë solidariteti me Kuvendin e Kosovës, dhe do të votojmë si duhet të vazhdojë më tutje qeveria jonë përpjekjet dhe për çfarë e nxisim miqësisht qeverinë e Kosovës. Gëzuar!”, përmbylli Rama fjalimin e tij 90-minutësh.

Në fjalën e tij të gjatë në Kuvend, Rama mbështeti qëndrimet e tij të mëparshme për Kosovën, ku tha se është e domosdoshme që Veriu të merret në kontroll nga KFOR, pasi është kthyer në një pikë kalimi për trafikun e mallrave por edhe armëve. Nga ana tjetër si zgjidhje përfundimtare që do të çonte në njohjen e Kosovës, Rama përmendi asosacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa riktheu dhe njëherë tjetër paralelizmin mes Palestinës dhe Kosovës. Duke cituar fjalët e ish-presidentit Clinton, Rama tha se pa një zgjidhje përfundimtare me Serbinë, Kosova do të jetë vazhdimisht vatër e konflikteve. Rama po ashtu tha se presidentin e Serbisë do ta takojë sa herë të jetë e nevojshme, pasi kështu sipas tij i shërben interesit të Shqipërisë dhe Kosovës./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB