Politikë

Rama thotë ‘të vërtetat e tij’: Nyja e asosacionit do bëhet litari në fytin e Kosovës, Veriu arenë trafiku

Në një fjalim që ka zgjatur më shumë se një orë në Kuvendin e Shqipërisë, Rama i qëndroi tezave të tij se Kosova duhet të pranojë asosacionin e komunave me shumicë serbe në veri, ndërkohë që KFOR duhet të shtojë praninë ushtarake. Rama foli për sulme ndaj tij dhe shfrytëzim të vrasjes së efektivit Bunjaku për më shumë mbështetje elektorale nga qeveria e Kosovës

E.K
Rama thotë ‘të vërtetat e tij’: Nyja e asosacionit do
Edi Rama gjate fjales ne Kuvend

TIRANË- Kryeministri Edi Rama për më shumë se një orë ka folur në Kuvend për situatën në Veri të Kosovës dhe qëndrimin e mbajtur nga qeveria shqiptare, në kuadër të një interpelance të thirrur nga deputeti i Partisë Demokratike Kreshnik Çollaku. Rama tha se do të fliste të vërtetat e tij, në raport me Kosovën, ndërsa akuzoi politikanë në të dy anët e kufirit, që “kishin masakruar vëllanë e Vuçiçit”, duke iu referuar vetes së tij. Gjatë fjalës së gjatë, Rama mbrojti qëndrimin e mbajtur nga qeveria shqiptare, ndërkohë që shpeshherë përmendi se qeveria në Prishtinë është përpjekur që situatën që pasoi pas vrasjes së policit ta shfrytëzojë për të rritur pikët në elektorat.

“Sot jemi ftuar në një mocion me debat nisur nga një draft rezolutë e depozituar në Kuvend që doli nga i njëjti oxhak i tymit patriotik, kinse patriotik, fill pas rezolutës së Kosovës pas ngjarje strategjike ku u vra efektivi i policisë Afrim Bunjaku nga një grup kriminal serb që ushtroi terror në veri të Kosovës. Kuvendi i Kosovës është jo vetëm në të drejtën dhe detyrën e tij të miratojë rezoluta të kësaj natyre që u drejtohen për mbështetje politike fuqive aleate dhe organizmave ndërkombëtare ku Kosova nuk bën pjesë. Por Kuvendi i Shqipërisë pjesë e NATO, vend kandidat për BE, vend që ka ulësen, rrugët e komunikimit institucional me botën demokratike, ambasadorët në të gjithë organizmat, kujt ja drejton një rezolutë si ajo që na u propozua.

Cilat parlamente të vendeve anëtarë te NATO, kush miraton rezoluta të tilla drejtuar botës. Cili është qëllimi. Përtej propagandës kinse patriotike për audiencën e brendshme kombëtare. Rezoluta të tilla shfaqen me shpejtësi të rrufeshme si dru për oxhakun e programacionit kundër qeverisë, herë si zgjatim i thonjve të krizës në veri, herë si politikë ditore, herë me thirrjen në skenë të viktimave të Enverit për të luftuar me qeverinë në parlamentin e shekullit 21”, u shpreh Rama, ndërkohë që përgëzoi policinë e Kosovës për qëndrimin e mbajtur në orët që pasuan vrasjen e policit.

“Megjithatë unë do them të vërtetat e mia. Ai agresion i nxori sërish thonjtë e krizës në Veri të Kosovës dhe ja nguli mu në fund, dialogut dhe njohjes së Kosovës. Shfaqja e shëmtuar me armatime të trafikuara për sulm dhe thasët e financimeve kriminale në veri të Kosovës ishte si kronika e zezë i një kronike të paralajmëruar. Lajmi i vrasjes së policit ishte si një bombë që dha sinjalin e përshkallëzimin në atë skenë. Kthen mbrapsht procesin e dialogut dhe ndez llambën e vjetër të krizës mes dy vendeve në Ballkan.

Ngujimi i kriminalëve serbë në Manastir, ishte si një ftesë për provokim për të nxjerrë sulmin e Kosovës. Fundi ishte triumfator, sepse nuk ranë pre në kurth dhe neutralizuan duke iu përgjigjur në mënyrën më të drejtë të mundshme provokimit djallëzor të provokimit serb. Ndërsa shpallja e zisë kombëtare në Beograd, ishte shëmbëlltyra e hijes e së shkuarës, e cila ndjek Kosovën kudo sa herë del drita”, tha Rama, ndërkohë që foli për qëndrimin politik të Shqipërisë, që për herë të parë nuk mbajti një linjë me BE-në në politikën e jashtme.

“Si reagoi Shqipëria ndaj asaj ngjarje kriminale, sa tragjike për humbjen e jetës së një shërbëtori të policisë së Kosovës, aq edhe e rrezikshme për përshkallëzimin e situatës në Veriu. Për herë të parë Shqipëria nuk u dakordësua me qendërimin e BE-së, ku liheshin detyra vetëm për Kosovën dhe jo për Serbinë. Kosova duhet me patjetër që të reflektojë për kërkesat e Brukselit dhe të Uashingtonit por ishte e papranueshme që deklarata të dilte sikur asgjë tjetër nuk kishte ndodhur.

Për mua është ngjarja më e rëndë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë që nga viti 1999, që pasoi me një akt të papranueshëm siç ishte shpallja e zisë në Serbi. Ne prisnim një deklaratë të dytë që të dënoheshin qoftë organizatorët e sulmit, qoftë ata që shpallën ditë zie, si dhe të niste një hetim ndërkombëtar.

Sipas nesh ishte e domosdoshme një deklaratë e dytë e BE, ku na tha se afatet kohore nuk e lejonin një gjë të tillë. Një moslinjëzim me politikën e jashtme të BE-së nuk është një fjalë goje për një vend kandidat, që pritet të nisë në javët e ardhshme, një pjesë të negociatave që lidhet me politikën e jashtme. Nuk është as një akt heroik, por një akt politik i qeverisë shqiptare”, tha kryeministri, ndërkohë që insistoi që shtimi i trupave të KFOR në veri të Kosovës është një domosdoshmëri për ç'tensionimin e situatës.

Rama këmbënguli se asosacioni dhe pranimi i planit franko gjerman për komunat në veri të Kosovës, do ti jepte njohjen ndërkombëtare shtetit të brishtë ballkanik. Kryeministri shqiptar tha se praninë e pamjafueshme të forcave të KFOR në veri e kanë pranuar së fundi dhe vetë në qeverinë e Prishtinës. Gjatë gjithë retorikës së tij, Rama foli për ‘kalemxhinj’ në Tiranë dhe në Prishtinë që shfrytëzuan vrasjen e efektivitit Bunjaku për sulmet patriotike ndaj tij.

“Ka pasur disa reagime nga qeveria në Prishtinë, përmes dorës së dytë, edhe ndaj nesh, pozicioni i vetëdobësuar i Kosovës në sytë e BE-së si dhe vetëviktimizimi diplomatik i Serbisë, e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë, që e kemi vazhduar në çdo rrethanë të mundshme. Në Tiranë dhe në Prishtinë kanë disa që nuk duan ta kuptojnë se Shqipëria nuk është e njëjta siç ka qenë në politikën ndërkombëtare, çmohemi si një vend serioz, që i besohen vende me rëndësi edhe në institucionet ndërkombëtare, apo na besohen mirëpritje samitesh të rëndësishme, kjo nuk ndodh se unë vesh atlete, dhe as ata që na e besojnë nuk kanë ku t’i mbajnë këto takime.

Amaneti i të parëve tanë është që ne të jemi perëndimorët e Ballkanit. Shqipëria nuk e ka luksin që të luajë me dy porta në raport me komunitetin ndërkombëtar, qasja jonë është e mirënjohur, që dikton ndërtimin e urave me të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë dhe Serbinë. Për qametin e madh të mendjeve që çfarë nuk lëshojnë ndaj nesh në këto 10 vite, është që të mos lënë rast pa më massakruar mua dhe PS.

Ja pse në Prishtinë dhe në Tiranë, u nxit menjëherë pas ngjarjes së Banjkskës furia mediatike, ndaj meje si vëllai i Vuçiçit, ishte e dhimbshme, shumë e dhimbshme, që të shikoje në dy anët e kufirit, se si keqshfrytëzohej jeta e policit të vrarë, për të rritur mbështetjen elektorale. Gati, gati më trajtuan si të isha bashkëautor në atë vrasje, duke mos e çarë kokën fare për efektet përçarëse të këtyre marifeteve. Është për të ardhur keq se si keqpërdorin këta njerëz mbështetësit e tyre në Tiranë dhe në Prishtinë, e kam thënë në Samitin e NATO-s, mbi domosdoshmërinë e marrjes së Veriut nga KFOR-I, që është dhe plani gjerman.

Është një nyje që nuk duhet mbajtur si lojtar në këmbë, që veç e pengon Kosovën, dhe veç e largon objektivin e Kosovës për të qenë pjesë OKB-së, BE dhe NATO-s. Ai asosacion duke mos u bërë është kthyer nënjë litar. Të mos e kuptosh këtë, do të thotë që mos të duash tia dish fare se cili do të jetë hapi tjetër. Po humbet dita ditës besimin dhe respektin e atyre që e njohën si shtet të pavarur, dhe janë angazhuar drejt njohjes ndërkombëtar nga të gjithë në organizatën e OKB-së. Ai asosacion që mistifikohet çdo ditë si kali i Trojës, që duan ta fusin ndërkombëtarët në Prishtinë, do të kthehet në litarin e Kosovës. Nëse asosacioni bëhet si duhet Serbia nuk do të mund të lëvizë aq lirshëm, saç ka lëvizur sot në Be dhe në SHBA. Nëse asosacioni do të bëhej, shteti i Kosovës nuk do të kishte asnjë rrezik për t’u destabilizuar, këtë e kupton dhe bufi.

Vijnë apelet për Kuçkën e vjetër, se do na lëjë në baltë siç na ka lënë gjithmonë (i referohet akuzave ndaj BE), dhe lloj lloj klithmash të tjera. Këtë herë ju shtuan dhe diskamat që unë po kërkoj cënimin territorial të Kosovës, në një kohë që kufiri i Serbisë është kthyer në një të çarë ku hyjnë armë dhe drogë. KFOR duhet të marrë nën kontroll të plotë kufirin, dhe këtë e kanë pranuar edhe vetë në Prishtinë që nuk ka forca të mjaftueshme, që të kontrollojnë situatën e rënduar. Edhe kur unë them të njëjtën gjë si udhëheqja e Kosovës, jam po aq esat pashë, si kur nuk them të njëjtën gjë. Kjo më siguron mua që kam thënë gjënë e duhur. Cili sovranitet i rrezikohet Kosovës nga forcat e NATO-s?”, tha Rama.

Kreu i qeverise tha se në veri të Kosovës lulëzon trafiku dhe shpjegon se pse e quajti tokën e askujt në intervistën për Financial Times.

"S’kam shpresë se këta do të ma lehtësojnë akuzën për tradhtuar përderisa edhe një lapsus i Financial Times, e cila në zbardhjen e intervistës sime të dhënë në telefon, kishte harruar sikur ia kishte shtyrë dorën djalli fjalën veri përpara fjalës Kosovë, gjë që u korrigjua dhe u kërkua ndjesë.

E karakterizova veriun e Kosovës me shprehjen angelze, pse nuk qenka “no man’s land”, kur aty lulëzojnë aktivitete të paligjshme kriminale, kur s’ka asnjë kontroll dhe mundësi të parashikosh çfarë vjen nesër. Çfarë ishte Lazarati, “no mans land”, shumë e thjeshtë. U nxora nga konteksti, u shfrytëzua me epsh nga të gjithë shtazexhinjtë dogmatikë”, tha Rama. /Zëri.ai

Poll

MOS HUMB