
TIRANË- Kryeministrat shqiptar Edi Rama dhe Albin Kurti kanë shtrënguar duart së bashku në nisje të procesit të Berlinit, i cili mbahet për herë të parë në një shtet jo të BE-së. Pavarësisht përplasjeve që kanë pasur së fundi, Rama dhe Kurti shihen të buzëqeshur në pritjen në tapetin e kuq.
Në Samitin e sotëm në Tiranë nuk pritet që të ketë një deklaratë në lidhje me përplasjen mes Serbisë dhe Kosovës, edhe pse në një nga sesionet e punimeve të ditës së sotme do të diskutohet në lidhje me parimet e fqinjësisë së mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në Samitin e Procesit të Berlinit që është duke u mbajtur në Tiranë, mungon presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Kinë, ndërkohë që përfaqësuese është kryeministrja Ana Brnabiç.
Të gjithë personalitetet e pranishëm në Samit janë pritur nga vetë kryeministri Edi Rama në tapetin e shtruar në hyrje të kryeministrisë.
Në takim do të jenë pjesë personalitete të larta të BE-së, kancelari gjerman, dhe presidenti francez që pritet të vijë në Tiranë vetëm në orët e pasdites.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni do të jetë pjesë e Samitit online, për shkak të agjendës së ngjeshur.
Kryeministri grek Mitsotakis vjen në Shqipëri me kushtin për të liruar Fredi Belerin në mënyrë që të bëjë betimin si kryebashkiak i Himarës, në të kundërt Greqia do të bllokojë integrimin e Shqipërisë në BE.
Unioni pritet të ndihmojë Shqipërinë në disa projekte të rëndësishme si Bypassi i Tiranës, hekurudha Tiranë-Durrës, si dhe rehabilitimin e liqenit të Fierzës.
Samiti i Procesit të Berlinit është një nismë gjermane që synon integrimin e përbashkët të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në aspektin ekonomik./Zëri.ai