
GREQI- Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis do të jetë sot në Tiranë, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, ku sipas mediave në vendin fqinj, do të përsërisë kërkesën e tij për të lejuar Fredi Belerin që të betohet si kryebashkiak i Himarës.
Ekathimerini thotë se Athina është e hapur ndaj mundësisë për të bërë një rekomandim në raportin e BE-së, se sa kohë që nuk zgjidhet çështja e betimit të Fredi Belerit, hapja e kapitujve për Shqipërinë të mos vazhdojë.
Beleri është arrestuar që prej muajit maj nën akuzën e blerjes së votave, ndërkohë që zgjedhja e tij si kryebashkiak erdhi dy ditë pas vënies në pranga, me një rezultat të ngushtë përballë kandidatit socialist Jorgo Goro.
Ditën e nesërme pritet që ndaj tij të mbahet seanca e radhës e gjyqit në ambientet e Gjykatës së Posaçme.
Greqia kërkon lirimin e përkohshëm dhe betimin e Belerit si kryetar bashkie, ndërsa Shqipëria këmbëngul se vendimi i takon vetëm gjyqësorit të pavarur./Zëri