
TIRANË- Mbahet sot në Tiranë, për herë të parë në një vend jo anëtar të BE-së, Samiti i Procesit të Berlinit, ku marrin pjesë personalitete të larta të BE-së si dhe krerë shtetesh. Masa të shumta sigurie janë marrë në 24 orët e fundit, ndërkohë që këtë mëngjes shumica e rrugëve në afërsi të Bulevardit Dëshmorët e Kombit kanë qenë të bllokuar, duke sjellë një trafik të rënduar në të gjitha lagjet.
Gazetarët dhe operatorët e Zëri.ai kanë vëzhguar në orët e para të mëngjesit disa prej akseve kryesore të qytetit, ku pavarësisht se ishte njoftuar bllokimi i rrugëve, shumë prej qytetarëve e kanë gjetur veten në trafik.
Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një pamje nga brenda ambienteve të Piramidës ku do të zhvillojë punimet Samiti, në të cilën shkruan: Mirëmëngjes, dhe me tryezën e Samitit të parë të Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE-së, në Piramidën e Diktatorit në Tiranë, ku do të ulen armiqtë e tij të betuar, të cilët e shohin me respekt e me vlerësim gjithnjë e më të lartë Shqipërinë, që sot është gdhirë si Europa e Ballkanit, ju uroj një javë të mbarë!
Të gjitha rrugët që janë bllokuar që nga mbrëmja e djeshme dhe do të qëndrojnë të tilla deri në fund të Samitit:
-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”;
-Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;
-Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”;
-Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”;
-Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
-Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”;
-Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;
-Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;
-Rruga “Ukraina e lirë”.
Në këto akse rrugore deri në përfundim të Samitit, në orën 20:00, do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, por do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë rezidentë në ambiente banimi brenda perimetrit të sigurisë.
Të gjitha bizneset private që ndodhen brenda perimetrit të sigurisë do të jenë të mbyllura. Në rrugën “Papa Gjon Pali II”, nuk do të lejohet as lëvizja me këmbë, e qytetarëve.
Ndalim të qarkullimit të automjeteve nga ora 08:00 deri në orën 12:00, dhe nga ora 15:30 deri në orën 20:00, do të ketë në akset rrugore:
•Rinas – Mbikalimi i Kasharit – autostrada “Durrës – Tiranë” – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – rrethrrotullimi i Saukut – rrethrrotullimi pranë Akademisë së Sigurisë – Pallati i Brigadave – rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”;
•Bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”, deri te Rruga e Elbasanit (ky ndalim vlen për të gjitha llojet e mjeteve);
•Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi me bulevardin “Zhan D’Ark” deri te sheshi “Nënë Tereza”;
•E gjithë rruga “Papa Gjon Pali II”;
•Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.
E para që ka mbërritur në vendin tonë gjatë ditës së djeshme ka qenë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Ajo zhvilloi takime me presidentin Bajram Begaj si dhe me kryeministrin Edi Rama.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ajo ceku disa pika të rëndësishme, duke u ndalur më gjatë mes Kosovës dhe Serbisë. E pyetur se çfarë ndodh me 'marrëveshjen e Ohrit', të arritur në mars mes Kosovës dhe Serbisë, Ursula von der Leyen tha se ajo është rruga ku duhet ecur drejt Bashkimit Evropian.
Ndërsa Rama nga ana e tij tha se ka hapësirë për takime, por nuk do të ketë një deklaratë të përbashkët për dialogun mes dy vendeve dhe se asnjë nuk duhet të presë zgjidhje nga Samiti i sotëm. Kjo pasi pritet që kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dhe homologia e tij serbe Ana Brnabiç, të ulen të hënën në një tryezë për herë të parë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Axhenda e plotë e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë:
Në orën 11:00 do të jetë pritja e liderëve
Në orën 11:30 fjala hapëse
Në orën 12:00 nis sesioni i punës, integrimi i rajonit në tregun e përbashkët europian dhe përmirësimi i konvergjencës me BE
Në orën 13:30 fotografia familjare.
Në orën 15:30 nis sesioni i dytë i punës, mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital në Ballkanin Perëndimor
Në orën 16:45 do të përurohet Kolegji i Europës në Tiranë
Në orën 17:30 do të nënshkruhet marrëveshja rajonale për njohje reciproke të kualifikimit profesional
Në orën 17:45 konferenca e përbashkët për shtyp
Në orën 18:30 ceremonia e inaugurimit të Piramidës
Procesi i Berlinit nuk është një proces formal i politikës së BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Është një nismë e Gjermanisë, e mbështetur nga vendet tjera të BE-së si Austria, Sllovenia, Kroacia e pastaj edhe Franca, Italia, Polonia dhe të tjera, që ka për qëllim të ndihmojë në zhvillimin e rajonit, bashkëpunimin e ndërsjellë mes tyre, të sigurojë tërheqjen e investimeve dhe në këtë mënyrë t’i ndihmojë ato vende në përgatitjen e tyre për anëtarësim në BE, në një të ardhme./Zëri.ai