Politikë

Pse s’ngrihen Komisionet Hetimore? Rama: Kushtetuesja ka caktuar korniza

Kryeministri Edi Rama theksoi se bllokimi që PS iu ka bërë Komisioneve Hetimore parlamentare, është i bazuar në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese, për këtë të drejtë.

D.XH
Pse s’ngrihen Komisionet Hetimore? Rama: Kushtetuesja ka caktuar korniza
Edi Rama

TIRANË - Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin Repolitic, komentoi kërkesat e opozitës për të ngritur Komisione Hetimore për çështje të ndryshme.

Rama deklaroi se Gjykata Kushtetuese ka vënë korniza, me të cilat mund të miratohet një komision hetimor parlamentar. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, opozita nuk mund të fitojë dot të drejtën për ngritje të Komisioneve Hetimore, duke mos pasur fakte për çështje të caktuara. Sipas tij, opozita po abuzon me të drejtën, pasi për çështjet që flet, nuk ka indicie për të pasur më vonë një dosje.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë vendosur kornizat në të cilat mund të miratohet një komision parlamentar. Nuk mund të cënohet Kushtetuta. Duhet të paraqitesh indicie të qarta mbi pse-në e ngritjes së Komisioneve Hetimore.

Parlamenti ngre funksione hetimore si ligjvënës në funksion të procesit ligjvënës për të adresuar probleme që dalin në proces. Nuk është kjo fare detyra e parlamentit. Nëse flasim për koncensionet në shëndetësi, këta nuk janë KLSH. Parlamenti ka insrumente të tjera përpara se të shkojë te Komisioni Hetimor. Këta marrin nëpër gojë gjithë investitorët se duan të bëjnë politikë. Nëse shajmë sipërmarrësit, kush vjen më të investojë në Shqipëri? Këto janë dhe teknika gjobëvënie. Në parlamentet europiane ngrihen Komisione Hetimore shumë rrallë, por këta duan të bëjnë politikë dhe të hedhin baltë”, tha Rama.

Opozita e vendit prej disa kohësh ka kërkuar ngritjen e Komisioneve Hetimore, për një sërë çështjesh. Mosplotësimi i këtyre kërkesave solli dhe kaosin në Kuvend, ku deputetët opozitarë bllokuan Komisionet parlamentare dhe seancat plenare. Ndërkohë, kjo situatë mund të agravohet deri në futjen në grevë urie nga ana e opozitës./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB