
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka treguar këtë të martë se përse është zgjedhur Shëngjini për të ndërtuar kampin e emigrantëve afrikanë. Sipas kreut të qeverisë ka qenë pozicioni i portit të Shëngjinit dhe Gjadrit që kanë bërë që vëmendja të shkojë aty.
I ftuar në "Report Tv", kreu i qeverisë tha se ndërtimi i kampit në Gjadër do të ndikojë pozitivisht në zonë, pasi do të rritet fluksi i blerjeve dhe shërbimeve.
Edi Rama: Kur është vendosur vendi nuk është vendosur arbitrarisht por janë studiuar disa opsione. Është zgjedhur si vendi më i përshtatshëm edhe për shkak të terrenit ku kjo qendër do vendoset që është në krah të spitalit repartit ushtarak pranë aeroportit të Gjadrit. Është një operacion që për sa na takon së pari Shqipëria ofron hapësirën por nuk ka asnjë përgjegjësi të drejtpërdrejt e menaxhon të gjithën Italia. Edhe fondet janë të Italisë. E vetmja gjë që do impaktojë zonën eshte se ata njerëz që do strehohen aty do ushqehen do shërbehen dhe kjo do ti shërbejë zonës sepse zona, bizneset në zonë do kenë një klient të ri që do marrë ato shërbime. Të gjitha aspektet e tjera s’do kenë asnjë mundësi të impaktojnë sigurinë, qetësinë.
Giorgia Meloni dhe Edi Rama nënshkruan një marrëveshje për emigrantët në 6 nëntor. Italia do të ndërtojë dy qendra në Shqipëri për të pritur emigrantët, që arrijnë në BE përmes detit. Marrëveshja do të zgjasë 5 vjet, por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera. Gjithashtu për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër. Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë./Zëri.ai