
TIRANË- Një deklaratë e bërë dje nga Agron Duka, për domosdoshmërinë e një fronti opozitar për zgjedhjet e 2025, në të cilin përfshihet edhe Lulzim Basha, duket se ka ndarë Sali Berishën dhe Gazment Bardhin. Të pyetur nga gazetarët pas mbledhjes së grupit që u mbajt në kryesinë e Kuvendit, qëndrimet e tyre ishin disi të ndryshme. Berisha u shpreh kategorik që Bashës duhet ti vendoset një vijë e kuqe, ndërsa Bardhi u tregua më i butë, duke e lënë në dorën e vetë Bashës nëse ndihet apo jo opozitar.
Berisha u shpreh teksa u pyet nga gazetarët: Unë qëndroj plotësisht te vija e kuqe për Lulzim Bashën. Siç e shihni ju, çdo javë dalin të dhëna të tjera tronditëse. Mos të mendojë kush se hetimi i 4 gazetarëve të BBC është i porositur nga Tirana. Jo, absolutisht.
Por Lulzim Basha është përfundimisht i pakallur në rrafshin politik, e mban Edi Rama si shpifë arash. E di se çfarë është shpifa e arave? Ta tregoj unë. Kur fillon të piqet misri ose gruri, vërshojnë zogjtë dhe sorrat për t’u ushqyer. Atëherë fermerët marrin e bëjnë një dordolec, që shpendët të mendojnë se është një njeri. E përdor Rama në kuptimin figurativ.
Bardhi nga ana e tij deklaroi: Qëndrimi im është publik, kushdo që ndihet në opozitë me qeverinë e Edi Ramës duhet ti bashkohet frontit opozitar, pyetjen duhet t'ia bëni zotit Basha. Nëse është fshehur kërkojeni… Nëse ai ndjehet në opozitë, çdo faktor duhet ti bashkohet frontit. Nuk e kam parë që nga dita kur vrapoi në Kuvend se i duheshin votat Edi Ramës.
Një tjetër pikë ku duket se ndahen Bardhi dhe Berisha, është dhe turi i takimeve që ish-kryeministri Berisha ka nisur me mbështetësit e PD-së në rrethe. Asnjë deputet i Bardhit dhe as vetë ai nuk janë parë në këto takime. Mirëpo sipas vetë Bardhit, aksioni i opozitës është i përbashkët si në parlament, si jashtë tij.
“Absolutisht që opozita është e bashkuar në aksionin e saj në Parlament, dhe jashtë saj. Nuk ka asnjë ndalesë për tu bashkuar me askënd”, tha Bardhi për gazetarët. Edhe sot opozita nuk dha detaje se si do e vijojë aksionin e saj në parlament, në një kohë që mazhoranca i ka kaluar mbledhjet e Komisioneve online.
/Zëri.ai