
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha është përplasur në Kuvend me zëvendëskryetaren e Parlamentit, Ermonela Felaj. Kjo e fundit kërkoi shtyrjen e seancës 20 minuta pasi deputetët e Opozitës bllokuan karriget e ministrave dhe nuk lejuan zhvillimin normal të rendit të ditës. Por, Berisha replikoi me të. Ai e akuzoi Felajn se ka përdhosur Prokurorinë pasi aty ka punësuar pesë familjarët e saj.
Pjesë nga replikat mes tyre:
Ermonela Felaj: Është e pamundur të zhvillohet një seancë normale në këto kushte. Shtyhet seanca. Do të njoftoheni për seacën e radhës. Do të marrim masa ndaj jush.
Sali Berisha: Kush po flet aty? Ti, ti aty, Felaj….Bërtisni sa të doni, por unë po komunikoj me qytetarët dhe me britmat tuaja nuk shuani dot kurrë zërin tonë. Nuk është parlamenti, Prokuroria e Tiranës, ti je turpi i Shqipërisë, ti je turpi i Ballkanit, je turp i Europës. Ti ke përdhosur institucionin duke futur pesë familjarë tu në prokurori. Ja, kjo që flet, kjo delinkuente që flet këtu, ka pasur burrin peng nga bandat se i kishte gjobitur kur ishte prokurore. Kjo delinkuente që flet këtu ka pesë familjarë të saj në Prokurorinë e Tiranës, kjo bën ligjin. Shko në Prokurorinë e Tiranës e shih katër Felaj. Nuk ka turp më të madh. Ka gojë me folë ajo. Po flasim këtu. Qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, komisioni tjetër parlamentar që nuk u lejua është komisioni për Butrintin, vjedhja më e madhe që mund t’i bëhet këtij kombi. Në Parkun Kombëtar, një mrekulli e vërtetë natyrore, arkitekturore, arkeologjike, vetëm e vetëm që Edi Rama me mafien dhe drogën e tij, ta mbulojë atë. Së treti, komisioni parlamentar për zbatimin e ligjit të konfliktit të interesit. I shihni ju këta zotërinj, nga Edi Rama e poshtë, të gjithë janë lukunia e tenderave, e prokurimeve, janë lukunia e pangopur e vjedhjes së taksave tuaja. Prandaj nuk e lejojnë komisionin, sepse i kanë familjarët të pasuruar palë-palë me mundin, djersën dhe paratë tuaja. Këta nuk lejojnë komisionin e hetimit të TIMS, operacionin më kriminal dixhital që ka njohur ndonjëherë Shqipëria. I kryesuar nga Taulant Bego Yaris, që ka kryer vetë 54 udhëtime me Edmond Begon, me pasaportën diplomatike të parlamentit, për t’i fshehur atij ngarkesat e drogës në mbarë Europën. Komision tjetër parlamentar ishte komisioni i patronazhistëve. Qytetarët duhet ta dinë se sot nisim qëndresën tonë në këtë sallë, për t’u ndalur deri në triumfin e Kushtetutës, ligjit dhe votës së lirë të shqiptarëve.
Deputetët e Opozitës janë futur në sallë dhe janë ulur në vendet e ministrave. Në këtë mënyrë po pengojnë dhe nisjen e seancës plenare. Kjo është nisja e qëndresës parlamentare që vetëm pak ditë më parë u paralajmërua nga Opozita. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, kryedemokrati Sali Berisha dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi u shprehën se të gjithë bashkë duhet të mbajnë një qëndrim e të nisim një betejë edhe nëse kjo gjë përfshin përplasje me maxhorancën. Vendimi erdhi pas përjashtimit të deputetëve që është pasuar nga rrëzimi i kërkesave të tyre, për të ngritur Komisione Hetimore, si dhe mospranimin për të ndryshuar anëtarët e Komisionit për Reformën Zgjedhore.