Politikë

Berisha futet live në FB, por s'e lënë të flasë: Pusho ti Çuçi dhe ju të tjerët, se do ju nxjerr jashtë fare

Berisha ka deklaruar se ky është vetëm fillimi i rezistencës së Opozitës.

F.m
Berisha futet live në FB, por s'e lënë të flasë:
Bledi Çuçi dhe Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka marrë fjalën në foltoren e Kuvendit. Ndërkohë që deputetët e Opozitës kanë zënë vendet e ministrave, Berisha ka deklaruar se ky është vetëm fillimi i rezistencës së Opozitës. Nga ana tjetër, maxhoranca që është e pranishme në Kuvend, ka nisur të ‘protestojë’. Një prej tyre, që kërkoi të ulet në vendin e tij ishte edhe Bledi Çuçi, të cilit iu përgjigj vetë Berisha.

Ai ishte dhe live në Facebook dhe u dëgjua teksa i kërkoi Çuçit të pushonte e të mbante qetësi, përndryshe do ta nxirrte jashtë salle. 

"Ti Çuçi aty, do pushosh. Pushoni ju aty, pushoni se do t'ju nxjerrim jashtë fare. A merr vesh ti Çuçi? Pusho!"- thotë Berisha.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Deputetët e opozitës fillojnë sot qëndresën e tyre permanente sepse ky parlament është shndërruar në një institucion personal të Edi Ramës dhe Lindës së parlamentit, që e drejton këtë institucion në mënyrën më amorale, më të turpshme, më antikushtetuese, më antiligjore. Unë ju rikujtoj ju se ne deputetët, që përfaqësojmë qytetarët shqiptarë që kanë votuar kundër kësaj qeverie, kemi dorëzuar në parlament gjatë këtyre dy viteve, në përputhje me mandatet tona, 31 ligje dhe rezoluta, të cilat Edi Rama me Lindën e tij, i mban në sirtar dhe nuk lejon që ato të vijnë të shqyrtohen, të diskutohen në parlament.

Së dyti, në emër tuaj, në emër të qytetarëve opozitarë, deputetët e opozitës në mënyrë të vazhdueshme kërkojnë në komisione paraqitjen e ministrave dhe ata me urdhër të Edi Ramës, refuzojnë të paraqiten duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Së treti, pas komisionit hetimor parlamentar të djegësave, në të cilën Edi Rama, ministrat e tij dhe një pjesë e madhe e nomenklaturës së krimit, dilte e implikuar, deputetëve të opozitës i është hequr e drejta e krijimit të komisioneve parlamentare. Në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, janë kthyer gjer sot 5 nisma, 5 kërkesa për krijimin e komisioneve hetimore parlamentare.

U refuzua kërkesa e komisionit hetimor parlamentar për McGonigal, një nga veprimtaritë më të shëmtuara, më kriminale, në të cilën Edi Rama, Dorian Duçka, Charles McGonigal dhe Agron Neza kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal. Ata kanë abuzuar me pushtetin e tyre dhe janë vërsulur në manipulim dosjesh dhe shpifjesh për opozitën. Ata kanë instaluar në Shqipëri sistemin e gjobëvënies ndaj biznesmenëve të vendit, ndërkohë që McGonigal ishte në detyrë, shef i kundërzbulimit të FBI në SHBA. McGonigal ka pranuar për dosjen shqiptare, të gjitha akuzat e ngritura nga juria e madhe dhe prokuroria e SHBA. Por në secilën prej atyre akuzave, bashkëfajtor me McGonigal është Edi Rama, Dorian Duçka, Agron Neza.

Sot Kuvendi ka nisur me tensione. Deputetët e Opozitës janë futur në sallë dhe janë ulur në vendet e ministrave. Në këtë mënyrë po pengojnë dhe nisjen e seancës plenare. Kjo është nisja e qëndresës parlamentare që vetëm pak ditë më parë u paralajmërua nga Opozita. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, kryedemokrati Sali Berisha dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi u shprehën se të gjithë bashkë duhet të mbajnë një qëndrim e të nisim një betejë edhe nëse kjo gjë përfshin përplasje me maxhorancën.

Vendimi erdhi pas përjashtimit të deputetëve që është pasuar nga rrëzimi i kërkesave të tyre, për të ngritur Komisione Hetimore, si dhe mospranimin për të ndryshuar anëtarët e Komisionit për Reformën Zgjedhore.

Poll

MOS HUMB