Politikë

Sa i kushtoi shqiptarëve Samiti i Procesit të Berlinit?

Sipas dokumentave 1.3 milionë lekë u dhanë për “shërbim gatim ushqimi dhe kateringu për stafin mbështetës”. 800 mijë lekë u dhanë për ushqimin për delegacionët dhe liderët, 100 mijë lekë për kabina tualeti me qira për 1 ditë. Lista e tenderëve vijon me 191 mijë lekë për gota dhe pjatanca me qira, 333 mijë për lule natyrale apo edhe 620 mijë lekë për një stacion printimi.

E.K
Sa i kushtoi shqiptarëve Samiti i Procesit të Berlinit?
Liderët europianë dhe të rajonit në foton familjare

TIRANË- Vizita e liderëve të Bashkimit Europian dhe të rajonit në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit u ka kushtuar shqiptarëve plot 1.1 milionë euro. Fonde që iu alokuan Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare. Ndërkohë 17 tendera kanë kaluar në kohë rekord dhe pse në Agjencinë e Prokurimit Publik garuesit janë ende në fazën e parashikimit por DSHQ ka bërë marrëveshjet direkt me privatin duke menjanuar garën.

Sipas ‘’Fiks Fare’’, organizimi fillonte nga Rinasi, me mbërritjen e avionëve e deri te pritja në qendër të Tiranës. Më pas, të ftuarit shkonin në ambientet e rikonstruktuara të Piramidës.

Gjysma e këtyre parave u shpenzua para Samitit dhe gjysma tjetër vetëm ditën e hënë. Një pjesë e parave u përdorën për infrastrukturën e dedikuar, si pritëse ashtu edhe akomoduese të liderëve ndërsa pjesa tjetër ka shkuar për sigurinë dhe ushqimet që do u shërbehen të ftuarve.

‘’Fiks Fare’’ ka siguruar dhjetëra dokumente të procedurave të zhvilluara nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare. Kjo është një listë e procedurave të zhvilluara me shpejtësi dhe në emergjencë nga kjo drejtori.

Sipas dokumentave 1.3 milionë lekë u dhanë për “shërbim gatim ushqimi dhe kateringu për stafin mbështetës”. 800 mijë lekë u dhanë për ushqimin për delegacionët dhe liderët, 100 mijë lekë për kabina tualeti me qira për 1 ditë. Lista e tenderëve vijon me 191 mijë lekë për gota dhe pjatanca me qira, 333 mijë për lule natyrale apo edhe 620 mijë lekë për një stacion printimi.

Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare bëri tender 5 milionë lekë për ‘dhurata për liderat dhe gazetarët”. Dhuratat ishin kravata, shaje, verë, raki, çanta te personalizuara dhe libra.

Ndërkohë, 1.7 milionë lekë u dhanë për 3 regji televizive për transmetime satelitore, 2 përkthyes morën 160 mijë lekë. Lista vijon me një shpenzim prej 880 mijë lekësh për vendosjen e 1 tapeti, montim dhe çmontim. Por, liderët e BE-së duhet të kishin edhe automjete VIP, ku Drejtoria mori 31 mjete me qira për një vlerë prej 3.6 milionë lekësh. 1.7 milionë lekë u shpenzuan për kancelari, dosje apo stilolapsa. 3 milionë lekë u përdorën për arredimin e ambienteve. Pedana, tavolina VIP, prodhim foltore ne formën e piramidës, filtra uv për xhamat e piramidës, veshje pasqyrë për kuba led, prodhim tavolinash per vip rooms etj, raporton TCH.

Flamujt me shtiza kushtuan 666 lekë. Rreth 4 milionë lekë u përdorën për banera të përmasave të ndryshme, adeziv brandim, sinjalistike, çadra të loguara për regjistrime. Ndërkohë, 540 mijë lekë kushtuan 32 karikues të personalizuar. Lista përfundon me një shpenzim prej 2.9 milionë lekë për “shërbim foni, stage, ndriçimi, ekran led, tv, sistem perkthimi, kabina përkthimi, kufje përkthim dhe lidhje elektrike”.

Tenderët e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare

– 1.350.000 lekë, “shërbim gatim ushqimi dhe kateringu për stafin mbështetës”.

– 100.000 lekë, “kabina tualeti (shërbim pastrimi) me qira për 1 ditë”.

– 800.000 lekë, “shërbim gatim ushqimi dhe kateringu për delegacionet dhe liderat”.

– 191.667 lekë, “materiale ndihmëse ushqimore me qira (gota me qira, pjatanca me qira etj)”.

– 333.333 lekë, “kompozime me lule natyrale”.

– 620.100 lekë, “stacion printimi”.

– 5.000.000 lekë, “dhurata për liderat dhe gazetarët (kravata, shaje, spila, verë, raki, çanta të personalizuara, libra)”.

– 1.750.000 lekë, “3 regji televizive dhe transmetime satelitore në të gjithë vendet e liderave pjesëmarrës, kamera, operatorë, teknik audio boom”.

– 160.000 lekë, “2 përkthyes (anglisht-shqip)”.

– 880.000 lekë, “tapet + montim, çmontim”.

– 3.697.960 lekë, “automjete vip 4+1 – 31 cope me qira”.

– 1.750.000 lekë, “kancelari (dosje, bllok, agjenda, stilolapsa të personalizuara)”.

– 3.000.000 lekë, “arredim i ambienteve (pedana, tavolina VIP, prodhim foltore ne formën e piramidës”.

– 666.667 lekë, “flamuj me shtiza, flamuj ansambli”.

– 3.916.666 lekë, “banera të përmasave të ndryshme”.

– 540.000 lekë, “32 karikues të personalizuar”.

– 2.903.000 lekë, “shërbim foni, stage, ndriçimi, ekran led, tv, sistem përkthimi”

Samiti I Procesit të Berlinit u mbajt për herë të parë jashtë kufijve të Bashkimit Europian. E hëna e 16 tetorit e ktheu kryeqytetin e Shqipërisë në mikëpritësin e liderëve europianë, të cilët kjaluan në tapetin e kuq ku u prittën nga Rama dhe më pas vijuan diskutimet, të cilat u mbajtën në Piramidën e Tiranës./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB