
KOSOVË- Ambasada e Francës në Kosovë ka reaguar këtë të mërkurë pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron në Tiranë për rrezikun e pezullimit të vizave për Kosovën. Në përgjigje të mediave në Kosovë ambasada sqaron se Presidenti Macron nuk ka deklaruar në asnjë moment diçka të tillë.
Sipas selisë diplomatike në Prishtinë, Macron ka kërkuar nga presidenti Aleksandër Vuçiç të dënojë sulmin terrorist të 24 shtator në Banjskë, ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku.
“Gjatë konferencës për medie me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, theksoi nevojën që të dyja palët të dëshmojnë një frymë përgjegjësie. Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb Vuçiç, të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi”, thuhet në deklaratë.
Ambasada ka hedhur poshtë pretendimet se Macron ka “kërcënuar” me vizat Prishtinën zyrtare. Por sipas saj, lideri francez ka kërkuar që Vuçiç dhe Kurti të respektojnë fjalën e dhënë.
“Ai bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiç, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar. Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke”, thuhet më tej në deklaratë.
DEKLARATA:
Gjatë konferencës për medie me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, theksoi nevojën që të dyja palët të dëshmojnë një frymë përgjegjësie. Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb Vuçiç, të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi.
Ne dëshirojmë që të ndriçohet në tërësi sulmi i 24 shtatorit dhe autorët e tij të dalin para drejtësisë. Ai kërkoi nga të dyja palët që të angazhohen për riorganizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve dhe kthimin e tyre në institucionet kosovare
Ai bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiç, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar. Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke. Prandaj, ai pret që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të riangazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme.
Çfarë deklaroi Macron në Tiranë
Sikurse e dini, ne i ndjekim me shumë vigjilencë tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit. Franca dhe Gjermania kanë bërë një propozim udhërrëfyes që unë mendoj se është i fortë dhe i mirë dhe presim që të respektohet nga të dyja palët. Mendoj se është përgjegjësia e zotit Vuçiç që të dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në kufi dhe më pas etapat e ardhshme dhe ajo që presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtë; riorganizmi i zgjedhjeve në komunat ku u bënë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucione si dhe njohjen e asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Sipas kësaj radhe, plotësisht dhe totalisht dhe pres që presidenti Vuçiç të jetë përgjegjës, pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës. E them me shumë qartësi, ne u kemi besuar për çështjen e vizave, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecin përpara në javët e ardhshme. Është kushti i paqes në të gjithë zonën.
Por dhe vetë Presidenca franceze reagoi pas kësaj deklarate duke deklaruar se deklarata e Macron është nxjerrë jashtë kontektit dhe se ai ka dashur të japë një mesazh politik për liderët e dy vendeve./Zëri.ai