
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbledhur mbrëmjen e kësaj të mërkure në selinë e PD, strukturat drejtuese të Tiranës. Gjatë fjalës së tij lideri demokrat u shpreh se qeveria nuk i kanë lënë më mekanizma parlamentarë opozitës dhe paralajmëroi nisjen e aksionit të fortë opozitar që nga dita e nesërme, kur Kuvendi do mblidhet në seancë plenare.
Sali Berisha: Ua thashë që në fillim, asgjë të re nuk do them. Por problemi është se ne të gjitha këto i kemi përcjellë, sigurisht me dhimbje të madhe, por jo me reagimin e duhur. Ne jemi sjellë, ta themi të vërtetën, si opozitë e topitur. Edi Rama është në pushtet, i bën të gjitha këto dhe mund të bëjë gjithçka tjetër, vetëm për shkak tonë. Po! Sepse atë ligji nuk e lejon, sepse atë Kushtetuta nuk e lejon, sepse atë normat e qeverisjes të një vendi demokratik nuk e lejojnë kurrë. Kurse ai, duke parë të gjitha këto, ai mori guximin, kaloi nga akti në akt dhe tha se këtyre ua caktoj, do kenë Enkelejdin se atë dua unë përfaqësues. Koha e një qëndrimi të tillë të opozitës merr fund. Duhet t’i japim fund, miqtë e mi. Një opozitë që pranon të shtypet, e meriton shtypjen. A mund të ishim ngritur më parë? Po, por proceset ishin të tilla, nuk mund t’i injorojmë. Se tani kanë dalë të qarta të gjitha operacionet që ai ka bërë me paratë e taksapaguesve shqiptarë kundër opozitës. Të gjitha kurthet ndërkombëtarë që ka organizuar kundër saj. Të gjitha proceset gjyqësore që ka organizuar kundër saj. Të gjitha dhunimet elektorale që ai ka bërë. Dhe në këtë rast, unë dua t’u informoj ju dhe të gjithë demokratët se qëndresa do të fillojë nga parlamenti. 43 deputetët e PD nisin ditën e enjte, qëndresën e tyre në parlament. Nuk ka më nënshtrime dhe poshtërime nga një horr, nga një kriminel, nga një njeri i cili nuk ka asnjë parim, nga një njeri që është i gatshëm të shesë dhe blejë gjithçka për pushtetin e tij. Ndaj dhe ne do e nisim vetë betejën në parlament për të mos e ndalur më gjer në rivendosjen e të drejtës së votës së lirë të shqiptarëve. Nuk është betejë e lehtë, por është absolutisht e fitueshme.
Po ashtu ai u bëri thirrje që opozita të hidhet në veprim.
Sali Beriusha: Deputetët në mbledhjen e tyre dje, në të gjitha diskutimet kanë qenë të mendimit që beteja të fillojë në parlament. Nuk shkohet më kështu. Unë në mënyrën më të përsëritur i kisha thënë kryetares së parlamentit: këto që bën ti janë banditeske, janë të turpshme, këto nuk i bën kurrë një kryetare parlamenti. Por gjërat rrodhën derisa ai mori përsipër të na përcaktojë kryetarin dhe t’u thotë 600 mijë qytetarëve se ju keni përfaqësues atë që do ai dhe jo atë që duan përfaqësuesit tuaj. Në këtë betejë, ne do bëjmë gjithçka për të mobilizuar çdo potencial opozitar kundër kësaj pseudomazhorance. Nuk ndalemi këtu, se ju i keni dëgjuar dhe ka një moment këtu që çfarë do të thuash, merr nga lista e atyre që janë thënë për aktet e tij. Dhe nuk ia vlen më të konsumojmë kohën me akuza ndaj tij, por të hidhemi në veprim.
Të hidhemi në veprim! Jam i sigurt se ka qytetarë, ka anëtarë tanë, ka mbështetës, të cilët janë të mërzitur dhe janë skeptikë, do të jenë skeptikë ndaj këtij qëndrimi tonë. Por ju garantoj se asgjë më shumë nuk do i bindë ata se veprimi ynë. Se nuk është se e duan Edi Ramën ata, e urrejnë. Por duan të shohin udhëheqjen, duan të shohin dritën, duan të shohin shpresën për shpëtimin. Ndaj dhe pa diskutim që dega e Tiranës, në të gjithë këtë përpjekje ka peshën më të madhe. Degët e Tiranës, qarku i Tiranës ka peshën absolute më të madhe në të gjithë përpjekjet tona dhe unë kam shumë besim te drejtuesit e degës së PD, tek anëtarësia dhe mbështetësit tanë se do ta shndërrojnë Tiranën në epiqendrën e lëvizjes opozitare më të fuqishme. Ndërkohë, ne do të punojmë për një bashkim sa më të gjerë të opozitës, për një front sa më të gjerë opozitar. Mendoj se çdo njeri, çdo analist, çdo gazetar, çdo qytetar, sot pret nga ne.Pret nga ne të ndërpresim këtë rreth të tmerrshëm vicioz ku krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim. Nuk mund të ecim më kështu.
Nuk munguan akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama sa i përket qëndrimeve ndaj Kosovës.
Sali Berisha: Pse ne kemi arritur gjer në këtë gjendje. Sepse ne e kemi toleruar Edi Ramën në çdo akt që ai ka bërë, jo vetëm kundër nesh, po e po, por që ka bërë kundër Shqipërisë, kundër kombit shqiptar. Unë i them çdo shqiptari që ka një grimcë atdhetarie dhe patriotizmi për këtë vend, si ndjehet ai kur Tirana është shndërruar në rrafshin politik në raport me kombin shqiptar, një replikë e Beogradit, madje në propagandë edhe më agresive. A mund të ketë imagjinatë normale, a mund të ketë njeri që mund ta pranojë që çdo javë kryeministri i këtij vendi të vërsulet, nuk po dua të prish gojën, kundër gjysmës së kombit, të lakojë, mallkojë, denigrojë kundër udhëheqjes politike të një vendi të pavarur. Ai i trajton kryeministrat e Kosovës, sikur të ishin kryebashkiakë të Vlorës. Pra, ai është kthyer në një altoparlant të Beogradit!
Çfarë duhet të bëjë ai më shumë se kaq që ne të pranojmë këto qëndrime të tij? Ne duhet ta kemi të qartë se jemi dy shtete të pavarura, sovrane. Nëse ta supozojmë nuk do ta ndihmojë, por kjo është njëra anë. Por jo ta sulmojë çdo ditë. Bëni pak, kthejeni pak videon e këtyre tre ditëve. Këtu u bë samiti evropian. Bëri gjithçka të tregojë se ky ishte samiti anti-Kosovë.
Po ndodh në botë kjo? I erdhi presidenti francez, çështja më kryesore ishte Kosova. Vizat për qytetarët e Kosovës.
Më thoni ju, a mund të ndodhë që një vend fqinj, normal, të shndërrohet në një platformë propagande kundër vendit fqinj tjetër? Ndërkohë kur atje nuk ekziston asnjë propagandë antishqiptare. Përkundrazi, aq sa është. Ndërkohë që këta që rrahin gjoksin për turistë sot, këta e thonë se 40 përqind janë nga Kosova. Ata vijnë dhe lënë edhe një taksë në rrugë.
Shqiptarët përballen me një situatë që kurrë nuk mundet dhe duhet ta tolerojmë. Edhe në luftën e fundit për Kosovën kanë derdhur gjak, me dhjetëra e qindra shqiptarë nga Shqipëria janë vrarë aty, përveç ndarjes së kafshatës së gojës.
Si mund të sillet një vend? Sot ishte presidenti i Kroacisë, i shkuam për nderim atij, nuk mund të mos i shkonim se ai është kroat, por ka folur si mik, ka folur në përputhje me ligjin ndërkombëtar, ka folur në përputhje me ligjin e fqinjësisë së mirë.
Krahasoni deklaratat e tij me deklaratat e Edi Ramës. Ti e urren Kosovën, dakord, ti nuk e don. Por janë disa rregulla që ti je i detyruar t’i respektosh. Pastaj nëse ti e urren Kosovën, ne të tjerët e duam. Ose janë indiferentë, por nuk e urrejnë ama. Pse e urren ti, unë nuk di shqiptar që ka një arsye të urrejë Kosovën. Pse do e urrejë? I ka bërë vendit dëmet më të mëdha me shërbimet që i ka bërë Vuçiçit, por për ne kombi është komb!/Zëri.ai