
TIRANË – Në seancën e zhvilluar sot në GJKKO, për çështjen e Gërdecit, ku i pandehur është ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, ka dhënë dëshminë e saj edhe dëshmitarja Alketa Hazizi.
Hazizi ka deklaruar se punëtorët nuk ishin trajnuar në lidhje me faktin sesi bëhej çmontimi i armëve. Ajo tregoi se baruti ishte hedhur kudo dhe se në fabrikë mungonin masat e sigurisë. Po ashtu, Hazizi theksoi se ditën që ka ndodhur ngjarja e rëndë, ka dëgjuar shumë të bërtitura njerëzish, që thoshin se ka rënë zjarr. Hazizi rrëfen se është djegur në 1/3 e trupit dhe se vjehrri i saj ndërroi jetë nga shpërthimi në Gërdec.
“Unë kam punuar disa muaj në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec. Nga shpërthimi që ka ndodhur, ka humbur jetën vjehrri im. Nuk kemi pasur kontrata pune dhe nuk kemi bërë trajnime, sesi bëhej çmontimi i armëve. Në fillim, bashkë me burrin dhe vjehrrin e kemi nisur me demontimin e fishekëve, më pas nisëm me predhat.
Procedura ishte e njëjtë. I çmontonim me çekiç, u hiqnim diabolën, e më pas predhat merreshin me fadromë, ndërsa baruti futej në thasë e dërgohej nëpër magazina. Gjithë fusha ishte plot me barut, prandaj nuk e kam kuptuar se nga kanë dalë flakët. Kur dëgjova të bërtitura dhe po bëja të ikja, kam parë se flakët kanë nisur tek thasët e barurit. Flakët ishin shumë të larta dhe nuk mund t’i shuanim dot. Pas kësaj, jemi larguar të gjithë të tmerruar.
Ne mbushnim thasë me barut dhe i transportonim me karroca. Kur ka ndodhur ngjarja, unë nuk kam qenë më shumë se 10 metra larg vatrës së zjarrit. Flakët ishin në pjesën e poshtme të fabrikës. Unë njoh vetëm Dritan Minxhollin dhe Vangjelin. Duke ikur kam shkelur edhe viktima. Te porta kryesore jam rrëzuar dhe si pasojë jam djegur. Në 1/3 e trupit kam djegie. Fatmir Mediun nuk e kam parë asnjëherë në jetën time aty”, deklaroi dëshmitarja Alketa Hazizi.
SPAK ka rihapur çështjen e Gërdecit, duke marrë të pandehur ish ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. Në shpërthimin e Gërdecit, ndërruan jetë 26 persona./Zëri.ai/