
KAVAJË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla, gjatë një vizite në komisariatin e Kavajës, ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme qeveria ka kaluar një akt normativ që i jep zgjidhje të gjitha detyrimeve të prapambetura për punonjësit e Policisë së Shtetit. Të gjitha orët shtesë që efektivët e të gjitha reparteve kanë bërë, tashmë do të paguhen sipas Ballës, duke mos lënë më pas detyrime të prapambetura.
"Detyra e Ministrit të Brendshëm lidhet drejtpërdrejt me trajtimin e duhur financiar të punonjësve të policisë. Kemi kaluar në qeveri një akt normativ ku i japim zgjidhje të gjitha pagesave apo detyrimeve të prapambetura me orët jashtë orarit, i cili hyn në fuqi menjëherë.
Në ditët në vijim, për çdo orë jashtë orarit të punës do të kryhet pagesa dhe do ta ndjek personalisht. Do të ndjek dhe problematikën që ju më keni ngritur për uniformën, sa më e rregullt uniforma e policisë së shtetit, aq më i madh është procesi, ndërkohë që vijojmë pastrimin e policisë së shtetit, nga persona që bashkëunojnë me krimin", deklaroi Balla, ndërkohë që foli dhe mbi nevojën e rritjes së pagave për punonjësit e policisë së shtetit.
"Unë e di që paga aktuale e punonjësve të policisë është shumë e ulët krahasuar me nevojat që ka çdo familje e një punonjësi policie. Me buxhetin e shtetit 2024, do të kemi një rritje, e cila ndoshta nuk është aq sa duhet, por është një hap i madh krahasuar me stadin aktual", nënvizoi ai.
Një tjetër pikë ku u ndal ministri i Brendshëm është edhe shpërndarja e 100 kredive të para të buta për punonjësit e policisë së shtetit. Ai tha se nga përllogaritjet që janë bërë rreth 1 mijë punonjës të policisë së shtetit janë sot pa një banesë, dhe procesi i dhënies së kredive të buta për ta pritet që të mbyllet në vitin 2025.
“Së shpejti do të publikojmë listën e përfituesve të 100 banesave të para, në 2024 do të jepen 300 banesa të tjera, faza e tretë është në 2025. Brenda këtyre dy viteve ne do të garantojmë që të mos ketë policë pa një shtëpi”, tha Balla./Zëri.ai