Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim ndryshimet në ligjin për funksionimin e prefektit të qarkut duke i dhënë dhe disa ‘superkompetenca’ si të drejtën për të propozuar shkarkimin e kryebashkiakut.
Saktësisht në nenin 8 të ligjit aktual numër NR. 107/2016, “PËR PREFEKTIN E QARKUT” propozohen të shtohen dhe 4 pika ndër të cilat është dhe pika m) e cila është e formuluar si më poshtë.
“Propozon pranë ministrit përgjegjës për çështjet vendore shkarkimin e kryetarit të bashkisë pjesë e qarkut përkatës në rast të kryerjes së shkeljeve të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve’
Agron Haxhimali, drejtor ekzekutiv i Institutit të Bashkive, veçon se kjo e drejtë që i jepet Prefektit prevalon mbi ligjin e vetëqeverisjes vendore.
Ai rikujton se Neni 62 i ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” përcakton se Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:
a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata;
c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.
“Nëse edhe Prefektit do t’i jepet kjo e drejtë, i bie që ligji ‘Për Prefektin e Qarkut’ të prevalojë mbi ligjin 139/2015 që nga hierarkia është më lart, dhe se bashkitë që janë institucione kushtetuese dhe të pavarura”, dallon Haxhimali.
Në këtë projektligj gjithashtu propozohet që drejtuesit vendor të policisë të raportojnë çdo 10 ditë tek prefekti në lidhje me situatën e rendit dhe sigurisë publike.
Madje prefektët do të kenë detyrë të monitorojnë zbatimin e projekteve apo programeve sektoriale në qark, që zhvillohen me fonde të kushtëzuara apo fonde të qeverisë qendrore, veçanërisht për sa i përket respektimit të afateve dhe cilësisë së tyre.
Ndryshimet në ligjin për funksionimin e prefektit të qarkut do të reflektojnë një kontroll më të lartë që qeveria do të ketë mbi institucionet vendore si dhe disa sektorë të tjerë në të gjitha bashkitë e vendit. Zëri.ai