Politikë

Presidenti i KE-së i përgjigjet Ramës me batutën e tij: Dasma në 2030, vazhdoni me reformat

Michel tha se integrimi do të bëhet realitet me shumë mundësi në vitin 2030, por shtetet duhet të vijojnë nga reformat që BE t’i mirëpresë

E.K
Presidenti i KE-së i përgjigjet Ramës me batutën e tij:
Rama dhe Michel

TIRANË- Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, theksoi rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, duke folur me fjalët e Ramës, për një ‘dasmë’ që pritet të realizohet sipas tij në vitin 2030. E këtu i referohej integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Michel kërkoi që vendet e Ballkanit të përparojnë me reformat dhe nga ana tjetër vetë BE do të bëhet gati që të mirëpresë anëtarë të rinj.

“Unë vetë bëra pyetjen a është BE e kënaqur vetëm të menaxhojë kriza apo duam të udhëheqim? Në fakt pati përgjigje të fortë, duam të udhëheqim. Zgjerimi është pjesë e kësaj përgjigje sepse është investim në paqe, qoftë të BE ashtu dhe anëtarëve tanë të ardhshëm. Ky proces luan rol të rëndësishëm për të nxituar bashkëpunimin midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian duke patur integrimin në BE si dritën integruese.

Natyrisht na duhet të bëjmë shumë që të jemi gati nga të dyja palët. Partnerët në rajon, ju e dini që duhet të realizoni angazhimet tuaja e ne duhet të përgatitemi për të mirëpritur anëtarë të rinj. Besoj që duhet të jemi gati të dyja palët deri në 2030 për t’u zgjeruar dhe di që ky afat është hasur me skepticizëm sepse keni pritur për kohë të gjatë dhe e keni krahasuar zgjerimin me një nuse dhëndri i të cilit nuk vjen asnjëherë në dasmë.

Megjithatë ne po e përgatisim këtë dasëm. Duhet të bëjmë gjërat të lëvizin nëpërmjet bërjes së reformave nga ana juaj. Duhet të bëhemi gati për zgjerimin e ardhshëm. Asnjëherë më shumë se sot duhet të rrimë krah për krah me njëri-tjetrin. Do të jemi më të fortë për të vendosur standarde rdhe për të mbrojtur interesat e përbashkëta”, deklaroi Michel. 

Tirana pret sot për herë të parë Samitin e Procesit të Berlinit ku marrin pjesë krerët e BE-së, si dhe drejtuesit e shteteve kryesore të saj. Në takim mungon kryeministrja italiane Meloni, për shkak të axhendës së ngjeshur, ndërkohë që presidenti francez, Macron do ti bashkohet pasdite Samitit. Punimet e samitit do të zgjasin deri në orën 19 të pasdites./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB