
TIRANË – Ish-kryeministri Sali Berisha, i ftuar në Euronws, u pyet nga ish-ministri Ylli Manjani, se mos ndoshta me veprimet e tij politike po merr në qafë edhe familjen e tij, duke iu referuar arrestimit të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit. Berisha u përgjigj se sulmet ndaj familjarëve të tij, janë për të një motivim dhe ‘ushqim’ për betejë. Ai shtoi se edhe vetë Malltezi ka denoncuar aferat korruptive të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Manjani: Që të gjitha këto lëvizje janë politike, kjo nuk ka diskutim. Padiskutim që sulmi është ndaj jush dhe drejtësia brenda ligjeve ka bërë maksimumin, pasi po të ishit 69 vjeç me keqardhje do të them se me këtë klimë do të kishin futur brenda. Por kanë bërë maksimumin. Të marrësh një masë shtrënguese, pa një çështje, është politike, vjen erë kjo gjë. Ajo që është edhe më anormale është se ndëshkohen familjarë të tutë. Malltezi aq ditë burg sa bëri i ka bërë për shkakun tuaj, edhe ju e pranoni. Doktor si zgjidhet kjo gjë, mos po merrni në qafë familjen? Dhe sa ndikon kjo te politika, se ky është muhabeti.
Berisha: Jo, të afërmit e mi janë njerëz që kanë jetuar me politikën. Malltezi është dhëndri im, por ju e dini se vetëm për djegësat ai ka të publikuar 293 statuse. Ka shumë statuse për pallatin e Linda Ramës, për sarajet e Surrelit. E kanë me mua s’ka diskutim, por kjo është zgjedhja jonë, i jemi përkushtuar një linje politike të caktuar. Kjo më motivon edhe më shumë mua, është ushqim për betejë.
Më tej, kreu demokrat Sali Berisha tha se pavarësisht marrëdhënieve të tij jo të mira me përfaqësuesit e SHBA-së dhe Britanisë, PD ka komunikime konstante me ndërkombëtarët. Ai tha se janë disa përfaqësues të PD-së, si Gazment Bardhi dhe Belind Këlliçi që zhvillojnë takime periodike për përfaqësuesit e ambasadave të huaja.
“Marrëdhëniet e mia personale janë tashme të njohura, vazhdojnë proceset gjyqësore për qëndrimet pa asnjë fakt, document. Por marrëdhëniet e PD me SHBA dhe Britaninë, janë konstante, janë disa përfaqësues të PD që takohen në mënyrë periodike me diplomatët, Gazment Bardhi, Këlliçi.
Ne mbajmë lidhje konstante me OSBE-në, me ambasdorin e OSBE-së, me ambasadorin gjerman, me të gjithë. Proceset gjyqësore të miat me ndërkombëtaret janë të pandërprera”, u shpreh Berisha. Opozita ka bllokuar prej javësh punët në Kuvend, pasi pretendon se i janë shkelur të drejtat kushtetuese./Zëri.ai/