
TIRANË- Koalicioni Opozita, Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka kërkuar moscertifikimin e rezultateve dhe auditim të plotë të procesit të dërgimit dhe mbërritjes së votave nga Diaspora.
Përmes një letre që mban firmën e Franc Nurit, përfaqësuesit të koalicionit PD-ASHM pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Opozita kërkon që auditimi të realizohet nga ekspertë të pavarur dhe të paangazhuar në ndonjë institucion shtetëror apo politik.
Siç shkruhet në letër, KQZ duhet të marrë hapa urgjentë për verifikimin e këtij procesi zgjedhor, sidomos në vende si Greqia, për të cilin kanë hedhur dyshime që në fillim.
Numërimi i votave të ardhura nga Diaspora ka përfunduar, por i atyre preferenciale është ende në vijim. Nga zarfet e numëruara, Partia Socialiste ka marrë 122070 vota, ndërsa koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka marrë vetëm 47018 vota, 23.55%. Partia Demokratike ka pasur pretendime për votat e Greqisë që në mbërritje të kutive dhe ka kërkuar ndërprerjen e numërimit të tyre me argumentin se ato kuti ishin të mbushura nga patronazhistë dhe jo votues. Denoncimet i kanë bërë në rrjetet sociale, ku kanë publikuar dhe foto të zarfeve në trotuare.