
TIRANË- Këtë të hënë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të njoftojë sërish ish-kryeministrin, Sali Berisha për masën e vendosur ndaj tij "detyrim paraqitje". Oficerët e GJKKO do tentojnë të njoftojnë Berishën se do të paraqitet para OPGJ-së më 20 nëntor. Kjo është mundësia e fundit!
Në të kundërtën, Strukturës së Posaçme i lind e drejta që të kërkojë një tjetër masë sigurie për kreun e Partisë Demokratike. Berisha aktualisht është në masën "detyrim paraqitje", që e ka refuzuar deri më tani, ndërkohë që rrezikon "arrest shtëpie". Për shkak të moshës së tij, nuk mund të shkojë në burg, por mund të izolohet në banesën e tij.
Sipas GJKKO, Berisha duhet të paraqitet para oficeres së policisë gjyqësore në SPAK, Adelajda Metaj të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji. Të hënën e parë të muajit, 6 nëntor, ish-kryeministri nuk u paraqit. Kështu që mbetet data 20.
Ndërkohë vetë ish-kryeministri e refuzon masën kundër tij duke u shprehur se nuk është marrë leje në Kuvend për masën ndaj tij, e sipas tij, kjo është një shkelje e Kushtetutës. Këtë arsyetim kanë përdorur edhe avokatët e tij në sallë. Por nuk janë pranuar nga trupa gjykuese.
SPAK e akuzon Berishën se ndërmori ndryshime ligjore dhe vendime të Këshillit të Ministrave për të favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi në marrjen e pronës që i hapi rrugën ndërtimit të një kompleksi prej 17 pallatesh në zonën ku më parë ndodhej klubi sportive “Partizani”. Për këtë ndaj tij është ngritur akuza e korrupsionit, ndërsa për Malltezin është shtuar dhe ajo për pastrimin e parave. Aktualisht, Malltezi është në burg./Zëri.ai