
MALAGA – Kancelari gjerman Olaf Scholz, gjatë Kongresit të Socialistëve të mbajtur në Malaga, foli edhe për marrëveshjen për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.
“Unë nuk dëshiroj të hyjë në raportet e Shqipërisë me Italinë. Gjermania do ta ndjekë me kujdes paktin e arritur mes Romës dhe Tiranës, po e shqyrtojmë atë. Mendoj se duhet pasur parasysh fakti se në këndvështrimin tonë, Shqipëria po ndjek udhëzimet e BE-së dhe rruga e saj drejt integrimit europian duket se është e qarte. Tirana do të jetë shumë shpejt në BE”, tha kancelari.
Scholz tha se ajo që ka rëndësi në Evropë është që të korrigjohen gjërat që nuk kanë shkuar mirë, të krijohet një mekanizëm solidariteti dhe shtetet të mos përpiqen të kapërcejnë të vetme sfidat.
“Migrimi i parregullt duhet të reduktohet dhe kjo mund të arrihet edhe me një bashkëpunim të ngushtë me vendet jashtë Bashkimit Evropian. Siç ndodh tani, për shembull, me Turqinë, mund të ndodhë dhe me vende të tjera”, shtoi Scholz.
Këndvështrim ndryshe në Partitë Socialiste Europiane për marrëveshjen
Në fakt, këndvështrime të ndryshme ka në PSE, në lidhje me marrëveshjen e arritur mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.
Nga Málaga, presidenti i Partisë Socialiste Evropiane, i sapo rizgjedhur, ish-kryeministri suedez Stefan Lofven stigmatizoi marrëveshjen, duke shpjeguar se nuk është zgjidhje për politikat e migracionit.
“Migracioni duhet të menaxhohet duke përdorur një kornizë progresive. Ne duhet të promovojmë shtigje gjithëpërfshirëse, duhet të gjejmë mënyra për ta bërë atë një fitore për shoqëritë tona dhe për emigrantët, ky është modeli që propozojnë socialistët. Qeveria e ekstremit të djathtë në Itali dëshiron t'i transferojë kërkesat për azil në Shqipëri. Ky nuk është një model progresiv”, tha ai.
Giorgia Meloni dhe Edi Rama nënshkruan një marrëveshje për emigrantët në 6 nëntor. Italia do të ndërtojë dy qendra në Shqipëri për të pritur emigrantët, që arrijnë në BE përmes detit. Marrëveshja do të zgjasë 5 vjet, por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera. Gjithashtu për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër. Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë./Zëri.ai/