
KORÇË- Ambasadori gjerman në Shqipëri Karl Begner ka folur për një sërë çështjesh, në një ndalesë që ka pasur këtë të shtunë në qytetin e Korçës. Ai ka folur në lidhje me atë që po ndodh sot në Kuvend, teksa ka thënë se është e nevojshme që opozita të ketë një bashkim mes vetes.
“Unë do të shpresoja të shihja së shpejti një opozitë me të bashkuar që të luajë rolin e saj ndaj qeverisë aktuale në parlament. Mendoj që qeveria gjithashtu mund të ndihmojë duke respektuar të drejtën e opozitës më shumë se çfarë bën, nuk them se nuk është e pranueshme deri në këto momente por duhet të ketë një balance midis punës opozitare dhe asaj mazhoritare”, tha ambasadori.
Lidhur me protestat e pritshme sipas Berishës, ambasadori është treguar më i drejtpërdrejtë kur tha se energjia duhet të kanalizohet drejt krijimit të alternativave të reja e jo drejt incidenteve, të cilat nuk i bëjnë mirë Shqipërisë.
“Mendoj se në qoftë se gjithë energjia shkon në protesta nuk është një punë e mirë, sepse energjia duhet të shkojë në krijimi i alternativave drejt politikave qeveritare dhe të sigurojnë propozime konkrete. Shoh që ka energji drejt asaj çka po ndodh në parlament për të bërë incidente dhe kjo nuk është ide e mirë. Ka mënyra më të mira për të sfiduar, në qoftë se opozita nuk është e lumtur me qeverinë, ka mënyra të ligjshme për të kundërshtuar”, u shpreh ambasadori gjerman nga Korça.
Sa i takon marrëveshjes së Shqipërisë me Italinë, për sjelljen në vendin tonë të emigrantëve, ambasadori gjerman tha se është një çështje në diskutim e sipër,
“Unë mendoj se diskutimet janë ende në vijim e sipër, ne deri tani kemi marrë vetëm memorandumin e asaj çka pritet të ndodhë vetëm para dy ditëve ndaj është shpejt për të folur për detajet. Unë nuk flas dot këtu në emër të të gjithë BE por ajo që di është se Shqipëria dhe Italia duhet të respektojnë ligjet ndërkombëtare”, tha ambasadori gjerman.