
ITALI - Më shumë se reagimet e opozitës në vendin e tij, janë kritikat e Partisë Demokratike (italiane) ndaj marrëveshjes për emigrantët që e kanë habitur kryeministrin shqiptar Edi Rama. Kreu i qeverisë shqiptare jep disa detaje të tjera për marrëveshjen, teksa flet për Corriere della Sera.
Sipas nënsekretarit Fazzolari, emigrantët mund të qëndrojnë në qendra refugjatësh në Shqipëri deri në 18 muaj. A është e vërtetë kjo?
Rama: Marrëveshja parashikon që emigrantët do të priten në qendrën e përcaktuar nga ata “me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit, të parashikuara nga legjislacioni italian dhe europian”. Në rast se emigranti nuk ka të drejtën e qëndrimit, Italia i largon menjëherë emigrantët nga territori shqiptar.
A ka rrezik që mes emigrantëve të ketë terroristë?
Rama: Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë. Thjesht duhet të kemi vullnetin dhe kujdesin për të përmbushur këtë angazhim, duke respektuar dinjitetin njerëzor dhe rregullat e vendosura për funksionimin e këtij operacioni të përbashkët, të cilat përfshijnë edhe kontrollin nga agjencitë e sigurisë të të dy vendeve.
A nuk keni frikë se Italia do të braktisë refugjatët tuaj?
Rama: Përgjigja është në marrëveshje. Periudha e qëndrimit në territorin shqiptar nuk mund të kalojë maksimumin e lejuar nga legjislacioni italian për këtë çështje. Autoritetet italiane, në përfundim të procedurave të kryera në përputhje me legjislacionin e tyre, do të marrin masa për transferimin e individëve.
Kush do të vijë në Shqipëri? Në fillim dukej se do të vinin vetëm burra…
Rama: Ata që përçuan në media në mënyrë të shtrembër atë që tha Meloni në konferencën për shtyp, folën për ardhjen e “burrave”. Të miturit dhe gratë shtatzëna nuk bëjnë pjesë në kategoritë e personave që do të priten në qendrën e refugjatëve në Shqipëri.
Jeni kontaktuar nga vende të tjera europiane pas marrëveshjes me Italinë?
Rama: Jo. Dhe ne nuk do të jemi të hapur për asnjë kërkesë, ashtu siç nuk ishim të hapur për kërkesa të ngjashme, përpara se të na kërkonte këtë nder Italia. Në Romë nuk mund të thonim “jo”, sepse kemi një borxh mirënjohjeje që nuk do të mund ta shlyejmë kurrë, por që nuk duhet ta harrojmë kurrë.
A do të trajtohen çështjet që lidhen me kërkesën për azil nga avokatët italianë që vijnë në Shqipëri?
Rama: Ky operacion do të jetë 100% përgjegjësi e palës italiane, në çdo aspekt.
Opozita shqiptare pretendon se nuk është kushtetuese t'i vendosësh tokë në dispozicion një shteti tjeter.
Rama: Ligjet tona në këtë pikë janë të qarta: marrëveshja do të ratifikohet nga Parlamenti në javët në vijim.
Ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha tha se ka frikë nga ksenofobia dhe protestat kundër italianëve. Çfarë përgjigje keni ju?
Rama: Unë kurrë nuk i përgjigjem në gjuhë të huaj opozitës në Shqipëri, ndërsa nuk komentoj fjalët e një politikani si ai, të shpallur të padëshiruar nga SHBA-të për “korrupsionin e rëndë që përfshiu familjen e tij dhe për minimin e demokracisë” në vendin tonë. Fatmirësisht shqiptarët e dinë mirë se çfarë është emigracioni dhe mikpritja ndaj atyre që janë në nevojë.
Jeni të pakënaqur me reagimin e Partisë Demokratike Italiane?
Rama: Unë kam qenë i befasuar. Ata kanë të drejtë të kundërshtojnë dhe kritikojnë qeverinë e tyre, por nuk ka asnjë arsye për të përfshirë në kritika ekzekutivin shqiptar. Qeveritë vijnë e shkojnë, interpretimet e socializmit ndryshojnë, por Shqipëria dhe Italia janë gjithmonë aty, të lidhura pazgjidhshmërisht në ditët e mira dhe të këqija.
Për çfarë e kritikoni Partinë Demokratike Italiane në reagimin e saj dhe në temën e migracionit?
Rama: Askush në Evropë nuk mund të thotë se ka zgjidhjen ideale dhe funksionale për çështjen e migracionit. Derisa Evropa të ketë një zgjidhje të pranuar nga të gjithë – edhe në aplikimin e saj të përditshëm – kjo do të mbetet një histori betejash dhe lojërash politike në shtetet anëtare.
Keni pasur ndonjë reagim, qoftë edhe informal, nga pjesa tjetër e PSE?
Rama: Jo, asnjë reagim.
Si kanë qenë raportet e juaja me Renzin dhe Melonin. Po me Mario Draghin?
Rama: Draghi ka fatin të jetojë pa rrjete sociale dhe kështu marrëdhënia ime me të është e veçantë. Për të qenë i qartë: një nga privilegjet më të mëdha që kam pasur është që Mario më kërkoi t'i drejtohesha me emër. Ai është një monument i gjallë për Italinë.
Pas gjithë kësaj zhurme, jeni ende të bindur për këtë marrëveshje me Italinë?
Rama: “Zhurmat” si këto, siç i quani me të drejtë, nuk më shqetësojnë fare.
Giorgia Meloni dhe Edi Rama nënshkruan një marrëveshje për emigrantët në 6 nëntor. Italia do të ndërtojë dy qendra në Shqipëri për të pritur emigrantët, që arrijnë në BE përmes detit. Marrëveshja do të zgjasë 5 vjet, por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera. Gjithashtu për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër. Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë./Corriere - Zëri.ai/