
PARIS- Në vizitën dyditore që është duke zhvilluar në Paris, i shoqëruar dhe nga bashkëshortja e tij, në kuadër të Forumit për Paqen, kreu i qeverisë Edi Rama ka pasur një takim dhe me Aleks Soros. Ka qenë ky i fundit që ka ndarë një foto në rrjetet sociale, krah Ramës dhe bashkëshortes së tij.
“Çështje familjare në Elysee”, shkruan Soros në foton krah Ramës dhe bashkëshortes së tij.
Djali i multimiliarderit George Soros ka trashëguar drejtimin e “Shoqërisë së Hapur”, ndërkohë që në luftën mes Izraelit dhe Hamasit, ka mbështetur protestat pro palestinës. Soros e kemi parë shpesh të pranishëm dhe në takimet e Ballkanit të Hapur, në krah të kryeministrit shqiptar dhe liderve të tjerë të rajonit.
Rama ndodhet në Francë, ku do të jetë pjesëmarrës në edicionin e 6-të i Forumit të Paqes në Paris. Kryeministi pritet të propozojë gjatë forumit, armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, lirimin e pengjeve si dhe tërheqjen e trupave nga zona e konfliktit.
Në forumin e paqes në Paris, që mbahet më 10 dhe 11 nëntor, do të marrin pjesë mbi 50 shtete.
Forumi i Paqes në Paris është një platformë e krijuar në Mars 2018 që pret çdo vit liderët botërorë dhe krerët e organizatave ndërkombëtare, si dhe liderë nga shoqëria civile dhe sektorë privatë e mijëra individë nga e gjithë bota, për krijimin e formave të veprimit kolektiv. /Zëri.ai