
TIRANË- Kreshnik Hajdari rrezikon lënien e mandatit të kryebashkiakut të Kuçovës. Kjo pasi drejtësia ka konfirmuar dënimin me 4 muaj burgim në Janinë për akuzën e “Hyrjes në territorin grek në mënyrë të paligjshme”. Por këtë fakt Hajdari e ka fshehur në formularin e tij të dekriminalizimit.
Ndërkohë prokurori Dritan Prençi vijon hetimet për akuzën e “Falsifikimit të formularit të dekriminalizimit”. Lidhur me këtë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve pritet të mblidhet të martën në një seancë diskutimi publike lidhur me materialin hetimor të dërguar nga Zyra e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, shkruan Ora News.
Vendimi për dënimin e kryebashkiakut Kreshnik Hajdari, është dhënë në vitin 1999 nga gjyqtari i vetëm i gjykatës penale të Janinës, Nicolaos Raptis. Gjyqtari, e ka gjetur fajtor dhe ka dënuar Hajdarin fillimisht me 4 muaj burgim dhe më pas ja ka konvertuar këtë dënim me 1500 Dhrami, monedhë që në atë periudhë përdorej në Greqi para hedhjes në treg të euros.
Në zgjedhjet vendore të 14 majit Kreshnik Hajdari fitoi mandatin e dytë për të drejtuar Kuçovën në një përballje me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Lefter Maliqi./Zëri.ai