
GREQI- Greqi ka nisur pengimin e parë të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe kjo për shkak të shkeljes së vazhdueshme të të drejtave të kryebashkiakut të burgosur të Himarës, Fredi Belerit. Media greke Kathimerini në një artikull me titull "Bllokada e parë greke për Shqipërinë për shkak të çështjes “Beleri”, raporton se Athina zyrtare nuk ka pranuar të firmosë një letër të përbashkët të 27 vendeve anëtare te BE për Shqipërinë për çeljen e negociatave.
Në shkrim thuhet gjithashtu se ky qëndrim i Greqisë mund të ndryshojë nëse Tirana do të tregojë se ka vend për diskutim dhe jo të ekspozojë një shfaqje force nga ana e Ramës, brenda apo jashtë Shqipërisë.
Artillulli i plotë:
Një përshkallëzim thelbësor i qëndrimit të ashpër ndaj Tiranës për shkak të shkeljes së vazhdueshme të të drejtave të kryebashkiakut të burgosur të Himarës, Fredi Beleri, përfaqëson vendimi i Greqisë për të mos dhënë pëlqimin për një letër të përbashkët të 27 vendeve anëtare të BE-së për fillimin e negociatave për grupin e parë të fondeve të anëtarësimit.
Megjithëse u gjet një formulë për të çuar përpara negociatat për këtë paketë specifike me Maqedoninë e Veriut, pasi Bullgaria pranoi propozimin e kompromisit të paraqitur nga presidenca spanjolle, kjo nuk u bë për Shqipërinë. Vlen të theksohet se paketa e parë për çështjet themelore që duhet të zgjidhë çdo vend kandidat përfshin pesë kapituj, përkatësisht ata që kanë të bëjnë me:
•Gjyqësorin dhe të drejtat themelore.
•Drejtësinë , lirinë dhe sigurinë.
• Prokurimin publik.
• Statistikat.
• Kontrollin financiar.
Athina ka kërkuar në të gjitha nivelet e mundshme që Fredi Belerit t’i jepet mundësia për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, gjë që deri tani është refuzuar nga gjykatat shqiptare.
Seanca e radhës e GJKKO ku Beleri do të dalë në gjyq do të zhvillohet më 22 nëntor, por ndërkohë pritet të caktohet një proces i ri për lejen e posaçme që ai kërkon për të bërë betimin. Hera e fundit që gjykatat shqiptare refuzuan një kërkesë të tillë ishte më 26 qershor, ndërkohë që kërkesat e shumta të avokatëve të Beleri për përsëritjen e një procesi të tillë u refuzuan pa shumë rrotullime nga autoritetet shqiptare.
Rruga është sigurisht e gjatë deri në finalizimin e procesit për Belerin, ndërsa muajin e ardhshëm do të intensifikohen diskutimet në nivel europian për progresin e Shqipërisë. Ndonëse në Athinë presionet janë të shumta dhe nga drejtime të shumta, në të njëjtën kohë ekziston edhe perceptimi i qëndrimit konstruktiv që Greqia mban pa ekstreme, por me respekt të plotë për mjetet që ka çdo vend anëtar i BE-së dhe në këtë rast detyrimin e përdorimit.
Arrestimi i Fredi Belerit ka acaruar marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Greqia ka kërkuar lirimin e tij, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e njeriut dhe ato të të pakicave, si dhe duke kërcënuar me bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin europian. Zyrtarët grekë po e ngrenë këtë çështje në instanca të ndryshme ndërkombëtare. Ndërsa qeveria shqiptare pretendon se çështja nuk është politike, por është e gjitha e drejtësisë.
Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka thënë se ato kanë një sfond politik. Kërkesat e tij të herëpashershme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit deri tashmë./Zëri.ai