
Nuk ka më normalitet në Kuvendin e Shqipërisë, ose të paktën çfarë mund të quhej i tillë.
Që prej datës 19 tetor, rreth 50 deputetë demokratë janë bashkuar me aksionin e Sali Berishës në parlament për të mos lënë asnjë seancë, asnjë komision të zhvillojë aktivitetin e tij normal.
“Normaliteti i ri”, shprehen disa prej opozitarëve. Pak ironike, po të bësh një retro ndër vite, por ç’ndodhi më 19 tetor që ndezi opozitën?
Një grup deputetësh nga Partia Demokratike bllokuan karriget e ministrave, foltoren dhe një pjesë të karrigeve të kolegëve të tyre socialistë. Revolta nisi, sipas tyre, pas hedhjes poshtë me karton të tre nismave të tyre për ngritjen e komisioneve hetimore për ndërhyrjen në sistemin TIMS, koncesionet në shëndetësi si dhe hetimin e ish-ministres Olta Xhaçka për sipërmarrjen private të bashkëshortit të saj, sipas tyre në konflikt të hapur interesi.
Një tjetër pikë që me sa duket derdhi dhe gotën e durimit të Berishës dhe deputetëve të tjerë demokratë ishte dhe njohja nga Kuvendi të deleguarve nga Lulzim Basha si kryetar të grupit të PD-së, dhe mospërfaqësimi i tyre në komisionet parlamentare.
“Opozita në Kuvend është asgjësuar, pa të drejtë fjale, pa të drejtë vendimmmarrje dhe pa të drejtë kontrolli”, kjo është pak a shumë fabula e të gjithë aksionit të nisur me datë 19 tetor në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Opsionet janë të gjitha në tavolinë. Berisha sot shpalli grevën e opozitarëve, ndërsa Ervin Salianji me shokë përmbysën karriget e socialistëve, rrahën tavolinat dhe ndezën tymuese brenda në sallën e Kuvendit. Opozitat në Shqipëri, ndër vite, i kanë provuar të gjitha format për të rrëzuar qeveritë e për të rritur ndikimin; nga grevat e urisë në zyra e çadra deri tek protestat e dhunshme në rrugë. Në pothuajse asnjë rast, presioni nuk ka zmbrapsur qeverinë.
Ndaj mbetet një pyetje: A do të sjellë ky ‘normaliteti i ri’ një formë të re të komunikimit, atë të uljes së palëve dhe njohjes së të drejtave të ndërsjella në tavolinat institucionale?!
Deri më tani mazhoranca është detyruar veçse të votojë në këmbë, apo të diskutojë projektligje nga shtëpia, përmes celularit. Zëri.ai