Grushtoi deputetin e PS/ Nallbati "no comment'

TIRANË- Deputeti demokrat, Bledion Nallbati, i cili goditi me grusht deputetin socialist, Vullnet Sinaj, ka zgjedhur që të mos komentojë ngjarjen në Kuvend. Gazetari i "Zëri.ai", Edon Kuqi shkoi për t'i marrë një prononcim fill pas përfundimit të seancës plenare, por nuk mori asnjë koment prej demokratit.
Seanca plenare e kësaj të hëne në Kuvend nisi dhe përfundoi me tensione, pasi Nallbati qëlloi me grusht socialistin Sinaj pasi ky i fundit e shtuy në momentin kur demokrati shkoi për t'i fikur mikrofonin. Mes të dyve, përplasja u zhvendos edhe jashtë Kuvendit./Zëri.ai
‘Duam statusin’, ish-minatorët protestë para Kuvendit

TIRANË- Ish-minatorët kanë mbajtur një protestë gjatë ditës së sotme përpara parlamentit. Ata kanë protestuar para fillimit të seancës plenare dhe kërkojnë statusin e minatorit.
Ish-minatorët i bënë thirrje deputetëve dhe kryetares së Kuvendit, të votojnë në Kuvend, për statusin e tyre.
Ata kishin një thirrje edhe për kryeministrin Edi Rama, duke i kujtuar se statusin e minatorit e ka pasur premtim, që në mandatin e parë qeverisës.
Protestuesit kishin pakënaqësi edhe ndaj policëve, që gjendeshin pranë tyre.
“Policët që janë këtu në fakt iu shërbejnë politikanëve. Rama na ka premtuar statusin e minatorit. Kur ishte në opozitë, tha se statusin e minatorit do ta keni që në mandatin e parë, mirëpo kjo nuk ndodhi, por ne statusin do ta marrim”, thanë ish-minatorët.
Edhe përpara disa ditësh, ish-minatorët protestuan për ‘statusin’, por edhe për rritje pensionesh./Zëri.ai/
Sherri në Kuvend/ Çuçi: S'kemi detyrim të pranojmë çdo amendament të Opozitës

TIRANË- Bledi Çuçi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka deklaruar se përgjegjësinë për degradimin e seancës plenare në një konflikt si ai që ndodhi sot, e ka Opozita. Në fjalën e tij përpara mediave, Çuçi u pyet për refuzimet e amendamenteve të Opozitës dhe tha se nuk mund të aprovojnë çdo kërkesë të tyren. Socialisti foli dhe për Reformën Zgjedhore.
"Nuk është në tagerin tonë të zgjedhin ne se kush bën pjesë në një komision parlamentar apo jo.Kështu që në rastin konkret duhet një konsensus politik. Opozita nuk ishte e regjistruar për të marrë fjalën në sallë. Ne kemi vendosur të reformojmë drejtësinë në Shqipëri dhe nuk bëjmë asnjë koment. Kushdo që shkel ligjin, nuk ka mbrojtjen e PS-së. Edhe një herë tjetër kemi një qëndrim që tregon se nuk ka pasur asnjë dyshim për të kundërtën. Kolegut Bardhi i bëj thirrje dhe i them që ka instrumenta kushtetues për të mbrojtur të drejtat e tua, nuk është e nevojshme të shkosh e t'i heqësh kartonin,"- tha Çuçi.
Përplasjet në Kuvend, Bardhi: Tre kërkesat drejtuar Nikollës

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka parashtruar tre kërkesa kundrejt Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla. Para gazetarëve, Bardhi tha se Nikolla nuk duhet të ndërhyjë më në çështjet e Opozitës si dhe të zgjedhë përfaqësuesit e tyre në komisionet parlamentare. Deputeti kujtoi se më 27 qershor, grupi parlamentar i PD-së që ka propozuar emrat e anëtarëve në Komision, ndërsa maxhoranca kërkon ta ndryshojë.
"Dua të mbaj qëndrimin tim, atë që do të mbaja dhe në seancë nëse do të më ishte lejuar, në emër të grupit. Kurrë në historinë e parlamentit nuk ka ndodhur për të rrëzuar kërkesat e komisionit hetimor për të folur dhe për të shpjeguar kërkesat e saj. Kurrë nuk ka ndodhur që maxhoranca t'i ketë diktuar Opozitës se si t'i trajtojë gjërat. S'ka ndodhur që 31 deputetë të Opozitës të përjashtohen se përse nuk pranojnë që ti nënshtrohen maxhorancës. Pae e bëjnë këtë gjë? Sepse janë të mbuluar me skandale korruptive dhe duan të shuajnë zërin e Opozitës në Kuvend. Ne duam që parlamenti të funksionojë normalisht, por kjo nuk varet vetëm nga Opozita. Kjo varet dhe nga maxhoranca. Mandatet e Opozitës janë mandate sakrifice që janë fituar jo vetëm duke pasur përballë Partinë Socialiste, por të gjitha bandat e rrezikshme. Kolegët dhe Kryetarja e Kuvendit duhet të pyesin veten se përse ne jemi ngjitur tek vendi i saj dhe e kemi ndaluar që të bëjë punën e saj. Nukmund të pretendojë që Opozita t'i lejojë të bëjnë punën e tyre. Janë tre kërkesa minimale: Kryetarja e Kuvendit të ndërpresë ndërhyrjen e punën e Opozitës. Të respektojë Opozitën nëse dëshiron që ne ta respektojmë. Duhet të lejojë më shumë se 50 përfaqësues të Opozitës të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në komisionet parlamentare. Reformat zgjedhore janë çështje e qytetarëve, jo e politikës. Më 27 qershor, ka qenë grupi parlamentar i PD-së që ka propozuar emrat e anëtarëve në Komision, pse duan ta ndryshojnë? Sepse nuk u duhet Opozita në Komisionet parlamentare. Kjo është një e drejtë e Opozitës,"_ tha Bardhi ndër të tjera.
Kryemadhi: Edhe unë e Meta mund të marrim fletëthirrje nga SPAK

TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka folur për mediat, jashtë sallës së Kuvendit. Kryemadhi u përgjigj disa pyetje të gazetarëve. Ajo u pyet nëse ka fletë-thirrje nga SPAK për Metën dhe u përgjigj se “edhe mund të ketë”.
Kur u pyet nga gazetarët, nëse ka fletë-thirrje nga SPAK për të, Kryemadhi u shpreh se ka pasur fletë-thirrje për çështjen e inceneratorëve dhe shtoi se pret thirrje edhe për operacionet plastike.
Monika Kryemadhi komentoi edhe burgosjen e Jamarbër Malltezit. Ajo tha se Malltezi për të është i burgosur politik dhe Sali Berisha, i përndjekur politik.
Monika Kryemadhi: Që të jem e sinqertë, në Shqipëri normalja është kthyer në anormale dhe anormalja në normale. Nuk më vjen mirë që shikojmë përplasje të tilla, pavarësisht se dhe ne kemi qenë shpesh herë pjesë apo subjekt i këtyre konflikteve. Kjo vjen si rezultat i mungesës së tolerancës dhe për hir të së vërtetës, demokracia dhe toleranca në Shqipëri, tashmë janë të cënuara.
Unë kam kuptuar që biznesi më fitimprurës sot në Shqipëri nuk është ndërtimi, por është fake news. Kjo sepse në bazë të fake news, ndërtohen paditë, në bazë të fake news, ndërtohen narrative politike, në bazë të fake news, ndërtohen projektligje, pra sot biznesi më i fuqishëm dhe më fitimprurës është fakenews.
Ajo çka dua të theksoj është që sot situata e lirisë dhe e të drejtave të njeriut në Shqipëri është në një stad, që nuk përfshihet në asnjë lloj sistemi demokratik, as hibrid nuk mund ta quaj sot Shqipërinë, sot Shqipëria është Republika e drogës, e cila në krye të saj ka një kryeministër, i cili nuk pyet as për institucionin e Presidencës, as për institucionin e Parlamentit, por përkundrazi, të gjitha institucionet, të varura dhe të pavarura, janë kthyer tashmë në funksion të një kryeministri, që nuk është gjë tjetër, veçse garantuesi kryesor i gjithë trafikut të drogës nga Kolumbia, Venezuela, Dubai, vendet e Lindjes, për të krijuar Trekëndëshin e tij të Bermudës në Ballkan, përsa i përket jo vetëm trafikut të drogës, jo vetëm pastrimit të parave, por dhe të strukturimit dhe institucionalizimit të krimit të organizuar.
Juve besoj jeni të njohur edhe me shumë gjëra të tjera, që kanë të bëjnë edhe me zbërthimin e sky dhe encrochatit, për implikimin e drejtuesve të lartë, jo vetëm të policisë, por edhe të gazetarisë dhe shumë institucioneve të tjera, të cilat tregojnë haptazi sesi grupet kriminale tashmë që janë në kërkim në vendet e BE apo vende të tjera, kanë gjetur strehë në vendin tonë.
Sot mos u çudisni, që familjarët e tyre të afërm do drejtojnë institucione shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë jo vetëm me strukturën dhe lavatriçen e pastrimit të parave, por dhe me lavatriçen e pastrimit të parave në fushën e ndërtimit, apo dhe nëpërmjet koncesioneve të tjera.
A ka pasur thirrje nga SPAK për ju ose zotin Meta?
Monika Kryemadhi: Unë fletë-thirrje kam pasur shumë nga SPAK dhe këto kanë qenë të lidhura me inceneratorin e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, që kanë të bëjnë jo vetëm me paditë që kam ngritur unë. Nuk kam ndonjë problem edhe për çështjet e tjera. Edhe për operacionet plastike pres të më thërrasë SPAK dhe jam e gatshme të shkoj. Por, nuk jam thirrur për operacionet plastike. Nuk jam thirrur as për çështjen e lobimit.
Po aksionin opozitar të PD a e mbështesni?
Monika Kryemadhi: E mbështes çdo aksion opozitar, edhe të vetë gazetarëve. Se mos harroni se pas nesh, mund të jeni ju gazetarët viktimat e radhës së kësaj qeverie.
E mbështesni dhe dhunën e shfaqur sot në Kuvend?
Monika Kryemadhi: E thashë dhe më përpara. Rama ka thënë druri ka dalë nga xheneti, kështu që druri që po përdor sot me shqiptarët dhe shqiptarët që e vlerësojnë, ose ia shesin votën ose ai ua vjedh votën, këtë duhet ta zbulojmë. Kur nuk funksionon logjika, ndonjëherë funksionon logjika e forcës.
A keni koordinim me deputetët e opozitës?
Monika Kryemadhi: Unë nuk jam pjesë e kësaj. Ka një strukturë të Partisë së Lirisë, që merret me këtë gjë. Patjetër që do koordinohemi, për gjërat e përbashkëta, që ne biem dakord. Mendoj se aksioni opozitar është shumë më i rëndësishëm se emocionet personale që kemi. Unë personalisht nuk kam ndonjë qejfmbetje me zotin Bardhi, kur ai ka gënjyer në deklarata.
Në atë kohë, ai kishte zotin Basha kryetar partie. Lëvizjet tona janë që të bashkohemi të gjithë bashkë dhe të krijojmë një opozitë. Unë mendoj se një opozitë e fortë krijon një vend demokratik. Sa më e dobët të jetë opozita, aq më diktatorial do të jetë Edi Rama, aq më e tmerrshme do jetë diktatura e krimit dhe e drogës. Kështu që do të jetë më e vështirë edhe për qytetarët, por edhe për mediat. Sot jeni ju, por kur të shkrihet opozita, nuk do jetë as media, sepse nuk do jeni më të nevojshëm.
Zonja Kryemadhi, a keni koment për aksionin e SPAK ndaj liderit të opozitës?
Monika Kryemadhi: Për mua Monika Kryemadhin, Jamarbër Malltezi është i burgosur politik, Sali Berisha është i përndjekur politik. Ju besoj e njihni të gjithë Berluskonin. Berluskoni ka pasur rreth 475 çështje, por nuk i ka hequr njeri pasaportën Berluskonit, as nuk e ka ndaluar njeri Berluskonin që të dalë. Loja politike që përdoret për mua është shumë e shëmtuar dhe nuk krijon ndonjë efekt. Po, krijon terror psikologjik tek bizneset dhe tek qytetarët. Është rast shumë i përzgjedhur, sepse janë 16 pronarë dhe u arrestrua një.
Ju a druheni se SPAK mund të përdoret për t’ju goditur?
Monika Kryemadhi: Metodoligjia që ka përdorur SPAK, ka qenë ajo, që personat me precedent penal, bëjnë padi për njerëz të tjerë dhe kanë për detyrë që të hetojnë dhe t’i çojnë deri në fund. Problemi është tek procedurat, këtu është problemi i mosfunksionimit të shtetit. Mua nuk më shqetëson SPAK-u. Një prokuror është një nëpunës. Rrogën ja jep Edi Rama, i thotë të heq burrin nga puna, të bëjë këtë e atë, të vë 10 policë nga mbrapa.
Zonja Kryemadhi, juve thatë se keni dijeni për disa fletë thirrje në SPAK për ju personalisht. Për kryetarin tuaj të partisë, keni dijeni, ka ndonjë fletë-thirrje në SPAK?
Monika Kryemadhi: Po edhe mund të ketë, çfarë problemi ka?
Për çfarë çështjeje?
Monika Kryemadhi: Nuk e di, mund të ketë edhe 200 çështje. Për neve fletë-thirrje nuk ka, po fletë-thirrjet në SPAK mund të jenë edhe për dashnorët apo dashnoret e gazetarëve, kështu që mos u shqetësoni, se mund të ketë fletë-thirrje edhe për këto gjëra.
Nuk do ketë më asnjë seancë plenare të parlamentit?
Monika Kryemadhi: Nëse maxhoranca do jetë shumë abuzuese me rregullat që ka parlamenti, sepse ne kemi rregullore që duhet ta zbatojmë, mendoj se kjo është dhe një nga gjërat më absurde, që ne bëjmë. Sepse në fund të fundit opozita fjalën ka. Ne në numër votash nuk i mundim dot ata, por ajo që kemi në dorë është fjala.
Kur më heq të drejtën e fjalës, i bie që të ikim fare. Por edhe po të ikim nga parlamenti, do të ndodhë siç ndodhi në parlamentin e kaluar, që ia dhamë gjitha armët në dorë Edi Ramës dhe ndryshoi Kushtetutën e çdo gjë, me bekimin e opozitës falso. Kjo është histori, që do mbledhë e do mbledhë e do shpërthejë një ditë, se s’ka ku të shkojë.
Seanca e sotme u ndërpre, pas një sherri në Kuvend mes deputetit socialist Vullnet Sinaj dhe atij demokrat, Bledjon Nallbati. /Zëri.ai/
Ç'thanë opozitarët? Balla dhe Balluku se mbajnë dot të qeshurën

TIRANË- Opozita kishte bllokuar Foltoren e Kuvendit të Shqipërisë për thuajse një orë. Por në një moment kanë shkaktuar të qeshura tek socialistët. "Zëri.ai" ka kapur një moment kur zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla qeshin pasi opozitarët u thonë diçka.
Por se çfarë është e vështirë të dallohet pasi mikrofonat ishin të gjithë të fikur. Ndoshta më shumë do të zbulojnë vetë Balla dhe Balluku./Zëri.ai
Plasi grushti në Kuvend, Berisha: Aksioni i opozitës s'ka më kthim!

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur jashtë ambienteve të Kuvendit, duke theksuar se opozita po kërkon të drejtat e saj kushtetuese. Edhe pse brenda seanca u ndal për shkak të përplasjes me grushta mes Vullnet Sinajt dhe Bledion Nallbatit, Berisha zgjodhi që të mos e komentonte për asnjë moment. Por dha një sinjal duke u shprehur se tashmë beteja e opozitës është pa kthim.
“Mazhoranca mund të përjashtojë opozitën, por popullin nuk e përjashton dot. Është betejë pa kthim, hiqeni nga mendja! Jemi të vendosur të mbrojmë pluralizmin, nuk ka Parlament pa komisione hetimore,”-tha Berisha ndër të tjera në fjalën e tij.
FJALA E PLOTË E BERISHËS:
Siç konstatoni, Edi Rama me akte të turpshme antiligjore, antikushtetuese të Lindës së parlamentit bllokon jetën parlamentare të vendit.
Opozita po bën këtu një betejë në emër të qytetarëve opozitarë, por jo vetëm, me të cilën kërkon rivendosjen e të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës në parlament. Siç është bërë e ditur, Edi Rama ka anuluar, pezulluar gjer tani, përveç komisionit hetimor për djegësat ku u zbulua vjedhja e shekullit, të gjitha komisionet e tjera hetimore parlamentare. Edi Rama nuk lejon komisionet hetimore sepse ka vendosur në pushtet piramidën më të rrezikshme të krimit. Edi Rama nuk lejon komisionet hetimore parlamentare, sepse vetë ai është flamuri i zi i korrupsionit në Shqipërisë, sepse ai në dhunim flagrante të kushtetutës favorizon dhe pasuron anëtarë të familjes së tij. Sepse vetë ai ka ndërtuar sarajet dhe parajsën e tij në Surrel duke pasë deklaruar gjithsej, 3800 euro dhe 400 mijë lekë. Sepse vetë ai, e shoqja e tij ka ndërtuar pallatin 5 katësh për të cilin nuk gjendet asnjë faturë e vetme. Sepse toka e parkut 5 mijë metra rreth sarajeve të Surrelit është marrë në kundërshtim flagrant të të gjitha ligjeve të vendit. Është blerë me një çmim sipas Edi Ramës, 2.5 dollarë metri katror, në një kohë kur në atë periudhë toka aty ka qenë e certefikuar me 20-25 dollar. Edi Rama është personi për të cilin OSBE deklaroi kur u bë kryeministër se disponon në bankat ofshore 200 mln euro. Edi Rama është personi që del strumbullar kryesor i vjedhjes së shekullit me djegësat. Strumbullar kryesor i vjedhjes me koncesionet e shëndetësisë. Së fundi ai po bëhet pronar me Alabarin e tij, i Dubait të Durrësit duke vjedhur dhe përvetësuar mbi 1 milionë metër katror truall publik dhe duke larë aty, miliarda euro me Olsin dhe Amant Josifin, të vjedhura taksapaguesve europiane. Të gjitha këto janë një motiv që të qëndrojmë për kushtetutën. Ka një nen kushtetuta që njeh të drejtë të pacenueshme të pakundërshtueshme të deputetëve të opozitës që me numër të caktuar të firmave të ngrejnë komisionet hetimore parlamentare. Edi Rama nuk e lejon këtë sepse në të gjitha komisionet ai del strumbullar i tyre. Ai del strumbullar në aferën McGonigal, në të cilën vetë Charls McGonigal ka pranuar fajësinë për të gjithë dosjen shqiptare. Kjo dosje lidhet me tre persona, Edi Ramën, Dorian Duçkën dhe Agron Nezën. Edi Rama nuk lejon komision hetimor parlament për patronazhistët se është vetë njeriu që e ka ndërtuar atë. Nuk lejon komision hetimor parlamentar për TIMS sepse ai me të ka zhdukur, do të zhdukë gjurmët e udhëtimeve me dhjetëra e dhjetëra herë me trafikantët. Të Edi Ramës me charterin e tij privat. Lidhet dhe fluturimet e Taulant Ballës me bajlozët e krimit dhe drogës. Edi Rama nuk lejon Komisionet sepse gjer tani u ka dhënë trafikantëve të drogës, bajlozëve të krimit, qeveritarëve të krimit mbi 6 mln metër katrorë tokë troje turistike të lirë nga taksat për 20 vite. Siç e shihni ne po mbrojmë këtu një të drejtë themelore kushtetuese. Ne jemi dhe do të vijmë këtu të vendosur absolutisht të mbrojmë kushtetutën me çdo kusht dhe çdo çmim.
Pyetje: Sot mund të flisnit në foltoren e parlamentit për shqetësimet që ju keni...
Sali Berisha: Kjo pyetje që bëni ju, besoj ka marrë përgjigje. Kjo betejë ka filluar dy javë para, është shpallur si betejë pa kthim dhe është shpallur për këto motive që deklarova. Është shpallur dhe nuk vazhdohet më tutje.
Pyetje: A po e përdorni parlamentin për betejën me drejtësinë?
Sali Berisha: Kështu po thotë Karlo Bolino ose ndonjë tjetër i cili ka vjedhur tokën, i cili mashtron. Këto janë tezat e Bolions që i merr nga Edi Rama. Unë e kam përdorur gjithnjë tribunë të qytetarisë. Ai ka rrëmbyer 5 mijë metër katrorë tokë të pronarëve për të ndërtuar me Edi Ramën, pallatin. Po mbrojmë kushtetutën që është jetike për çdo qytetar shqiptar. Pa mbrojtjen e kushtetutës nuk mund të mbrojmë shqiptarët nga hajdutë si Edi Rama. Nuk mbrohet Kushtetuta nga kriminelë si Edi Rama. Pa mbrojtjen e kushtetutës nuk mbrohet Kushtetuta nga plaçkitësit Karlo Bollino me shokë.
Pyetje: Kur deputeti Arben Noka deputetin Gent Strazimiri, ju e dënuat këtë akt në parlamentin e Shqipërisë. Sot jemi përballë një tjetër akti. A e dënoni aktin.
Sali Berisha: Mos bëj gjykatësin. Ti Muhamet që je i famshëm për paanësinë tënde, besoj se e more përgjigjen.
Pyetje: Si do ta mbroni Kushtetutën kur ju përjashtojnë, sepse mazhoranca po përgatiten përjashtime të tjera.
Sali Berisha: Mazhoranca mund të përjashtojë, por popullin nuk mund ta përjashtojë dot kurrë mazhoranca, ju garantoj unë ju. Beteja jonë këtu është betejë pa kthim. Hiqeni nga mendja. Do të përdoren të gjitha format e qëndresës parlamentare, ne jemi të vendosur të mbrojmë pluralizmin demokratik në parlament. Nuk ka parlament dhe parlamentar të cilët përfaqësojnë opozitën të cilët nuk mund të hartojnë ligje, nuk mund të krijojnë komisione hetimore parlamentare, nuk mund të marrin dokumentat që ju duhen për të kryer funksionet e tyre./Zëri.ai
FT- Seanca mbyllet! Ç'bëri opozita brenda Kuvendit, Kryemadhi në telefon

TIRANË – Është mbyllur mes tensionesh seanca, e thirrur për ditën e sotme, 30 tetor. Që në fillim të seancës, kishte debate dhe tensione në parlament.

Kjo pasi, situata degradoi deri në përplasje fizike, mes deputetit Vullnet Sina të PS-së dhe deputetit democrat Bledjon Nallbati.

Siç mund të vihet re në fotot e Zëri.ai, deputetët e opozitës në këtë seancë shihen kryesisht të revoltuar dhe janë çuar në këmbë.

Ndërsa, më e “qetë” në dukje duket deputetja Monika Kryemadhi, e cila duket se po flet në telefon. Kryemadhi foli për mediat, pasi doli nga parlamenti.

Seanca u ndërpre pas akteve të dhunës në Kuvend./Zëri.ai/
'Ku e merr guximin të më prekësh'/ Sherr edhe jashtë Kuvendit, Salianji: Ik ere legen!
TIRANË- Tensionet midis deputetëve të opozitës dhe mazhorancës janë spostuar edhe jashtë ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë. Në ambientet e jashtme të Kuvendit deputeti i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati është konfliktuar sërish me deputetin socialist, Vullnet Sinën. Ky i fundit i ka kërkuar llogari për grushtin që pësoi prej tij. Megjithatë ndryshe nga brenda, jashtë pranë tyre u mblodhën të gjithë deputetët për t'i ndarë. Por edhe mes tyre ofendimet nuk u ndalën.
Edhe pse “Zëri.ai” ka filmuar momentin, për shkak se pranë nuk kishte mikrofona, është e vështirë të shquhet se çfarë kanë thënë, përveç disa fjalëve që u thanë me tonë më të larta.
Sinaj-Nallbatit: ...është e imja personale. Si merr guximin të më grushtosh mua...
Salianji-Deliut: Ik ere legen!
VIDEOJA NGA MOMENTI I PËRPLASJES:
SKEMA e opozitës/ Socialistët marrin fjalën, Flamur Noka u heq kartat nga mikrofoni

TIRANË- Aksioni i opozitës në Kuvend. Deputetët e Partisë Demokratike kanë zgjedhur një stategji të re për të ndalur fjalën e kolegëve të tyre socialistë. Në momentin që socialistët kanë nisur fjalën, personalisht Flamur Noka ka shkuar pranë tyre u ka marrë kartat duke ua bërë inaktive mikrofonin. Rrjedhimisht duke u marrë edhe fjalën. Edhe pse Garda ka tentuar që t'i ndalojë, nuk ia ka dalë dot.
"Zëri.ai" ka kapur momentin kur Noka shkon pranë deputetit socialist, Ismet Beqiraj. Ky i fundit, i cili thirrej gjithë kohës nga Noka "O Ismet", në momentin e fundit që kishte mikrofonin hapur dha një mesazh për opozitën.
“Kështu i tregoni popullit, që nuk keni për të ardhur kurrë në pushtet, keni zgjedhur strategjinë e gabuar. Jemi mbledhur për të diskutuar dhe sigurisht peshën më të madhe të diskutimit do ta kishit ju, për hallet, problemet…,”-tha ai.
Por nuk e çoi dot fjalën deri në fund.
VIDEO NGA MOMENTI:
U përplas fizikisht me Vullnet Sinën e PS, përjashtohet Bledjon Nallbati

TIRANË – Është përjashtuar nga seanca parlamentare, deputeti i Partisë Demokratike, Bledjon Nallbati.
Nallbati u përfshi në një sherr me deputetin e PS-së, Vullnet Sina. Ndërsa, Sina ishte duke folur në parlament, deputeti demokrat i ka ndërprerë fjalën.
Më pas, mes deputetëve Bledjon Nallbati dhe Vullnet Sina kishte përplasje verbale dhe fizike.
Gjithçka nisi, pasi kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla nuk i dha fjalën për procedurë, kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi.
Kjo solli edhe revoltën e deputetëve opozitarë, që kanë bllokuar Foltoren./Zëri.ai/
Grushte në Kuvend/ Përplasje mes Sinajt dhe Nallbatit, përjashtohet deputeti i PD
Nikolla përjashton Nallbatin, Berisha: Shërbëtore e Ramës, shkel ligjin!

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hapur rrjetet e tij sociale për të dalë live nga Foltora e Kuvendit. Pasi deputeti Nallbati qëlloi me grusht socialistin Vullnet Sinaj, seanca u ndërpre nga transmetimi, ndërsa Sali Berisha ka bllokuar Foltoren dhe është futur live në Facebook. Me radhë më pas ka listuar akuzat ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Herë pas herë, duke qenë se ishte me kurriz nga ulëset e ministrave, Berisha kërkonte ndihmë për të kuptuar se kush po e replikonte.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Berisha: Kjo skenë që shihni ju sot, kjo skenë që përbën një provokacion të ulët, banditesk ndaj opozitës e krijon fakti sepse këta bajlozë krimi në qeveri, këta hajdutë që kanë humbur çdo normë etike, morale, ligjore na përjashtojnë ne deputetëve të opozitës nga të drejtat kushtetuese të deputetit. Një nga të drejtat më themelore kushtetuese të deputetit në parlament është e drejta e tij së bashku me 35 deputetë të tjerë të ngrejë komision hetimor parlamentar për të bërë transparencën për problemet e mëdha që ai konsideron. Kjo e drejtë e sanksionuar nga kushtetuta nuk mund ti mohohet askujt. Mbledhja e firmave për një komision hetimor parlamentar, është automatike ngritje e komisionit. Por kjo nuk ndodh, sepse Edi Rama i ngërthyer nga aferat e tmerrshme vjedhje dhe korrupsioni, në drogë. Këta që besojnë se mund të shkelmojnë kushtetutën, këta janë banditë, këta janë një bandë e turpshme që nuk kanë asnjë moral dhe ligj.
Nikolla: Do merren masa
Vokshi: Ça masash do marrësh ti mi?
Noka: Provokatore, e nise ti këtë!
Berisha: Kjo që po flet është shërbëtorja e Edi Ramës. Dëgjoni parlamentin ku është parlamenti i Edi Ramës, është si repart garde dhe jo institucion...O Oerd kush po flet?
Noka: Kush i njeh, tani po ua shoh surratin për herë të parë./Zëri.ai
Nallbati grushton deputetin Sinaj

TIRANË- Përplasje fizike në Kuvendin e Shqipërisë! Përplasja ka ndodhur mes Bledion Nallbatit dhe Vullnet Sinës, e si pasojë u ndërpre për 5 minuta seanca plenare. Ka qenë deputeti i Partisë Demokratike, Gledion Nallbati shkoi për t'i fikte mikrofonin socialistit Vullnet Sinajt, i cili po fliste për një problematikë në zonën e tij.
Në momentin që Nallbati ka shkuar për t'i hequr mikrofonin, Sinaj e ka shtyrë, duke nxitur edhe reagimin e Nallbatit, i cili menjëherë degradoi në dhunë fizike. Nallbati i është kthyer kolegut të tij duke e grushtuar, duke sjellë kështu edhe njëherë ndërhyrjen e Gardës së Republikës. Sapo ngjarja ndodhi, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, menjëherë njoftoi ndërprerjen e seancës./Zëri.ai
VIDEOJA NGA MOMENTI I GRUSHTIMIT: