LIVE UPDATES

Sherri tek Kepi i Rodonit/ Arrestohet Mark Frroku & 7 të tjerë, ish-deputeti: Më kontaktoi Kisha të ndërtoja murin rrethues

➤Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Mark Frroku dhe 7 persona të tjerë janë vënë në pranga nga Policia e Durrësit pas konfliktit të ndodhur në Kepin e Rodonit. ➤ Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme kur Mark Frroku dhe tre persona që e shoqëronin u përfshinë në një konflikt me disa banorë të fshatit Shetaj për një pronë. ➤ Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë rrethimin e zonës me pretendimin se kanë një certifikatë pronësie. Por ky argument nuk është pranuar nga përfaqësuesit e Kishës, mes tyre dhe ish-deputeti Frroku. ➤ Konflikti degjeneroi në përdorimin e sendeve të forta, ndërsa në vendngjarje Policia gjeti edhe një gëzhojë. Në njoftimin zyrtar të bërë sot për mediat, gëzhoja thuhet se ka dalë nga arma e shoferit të Mark Frrokut, Besnik Toma. ➤ Megjithatë nuk ka të plagosur, por vetëm disa persona të lënduar nga përplasja me sende të forta. ➤ Aktualisht 8 persona janë arrestuar nga policia në lidhje me këtë konflikt, në mesin e të cilëve është edhe Mark Frroku, si përfaqësues i kishës. Të arrestuarit e tjerë janë Bajram Kaculi, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka, Antonio Lazari, Pal Doda, Martin Lazeri. Ndërsa në kërkim është shpallur shoferi i Frrokut, Toma. ➤ Lidhur me shkakun e përplasjes, përfaqësuesja e Kishës Katolike në këtë zonë, Ana Shtjefni tha se asnjë prej tyre nuk ka shkuar në zonën e Kepit për të përfaqësuar Kishën. Ajo ka deklaruar se personat që kanë nisur rrethimin e zonës dhe nuk janë përfaqësues të Kishës dhe as të autorizuar nga kjo e fundit, dhe se sipas Shtjefnit kanë dashur vetëm të përfitojnë nga ky konflikt. ➤ Në Polici, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Mark Frroku ka thënë se nuk kishte dijeni për konfliktin, por prezenca e tij në zonë është kapur nga pamje filmike. Për këtë fakt, ai është justifikuar se ka shkuar si ndërtues i murit pasi ishte pajtuar nga Kisha. ➤ Kjo nuk është përplasja e parë mes Kishës katolike dhe disa banorëve të zonës (familja e Bajram Kaculit) pasi që të dyja palët pretendojnë pronësinë mbi një sipërfaqe prej 5 dynym e 400 m2 tokë. Kisha ka marrë në zotërim 150 ha tokë të kthyer nga komisioni i kthimit e kompensimit të pronave rreth 16 vjet më parë. Brenda këtij territori janë vendosur kisha e famshme e Shën Ndout, Kalaja e Skënderbeut, një vijë e gjatë bregdetare si dhe një pyll me pisha.

7 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Konflikti te Kepi i Rodonit, administratorja: Na kërcënuan me sqepar

Sherri tek Kepi i Rodonit/ Arrestohet Mark Frroku & 7 të tjerë,
Ana Shtjefeni

TIRANË- Administratorja e firmës që po ndërton tek Kepi i Rodonit, Ana Shtjefeni ka dhënë detaje të tjera lidhur me përplasjen që ndodhi në zonën e Kepit të Rodonit. Në një intervistë që ka dhënë për "Euroneës", Ana Shtjefeni tha se Gjykata e Durrësit i ka dhënë të drejtë kompanisë së saj që të vazhdonte punimet në zonë pasi kishin nënshkruar një kontatë me 'Provincën Françeskane Shqiptare'. E po ashtu, ajo shtoi se edhe pse nuk e kanë humbur statusin e qiramarrësit, kontrata u ishte ndërprerë.

Më pas, tregon edhe momentin kur ka nisur debati mes saj dhe palës tjetër, mes tyre ishte dhe deputeti Mark Frroku.

“Unë jam administratorja e kompanisë që ka një kontratë qiramarrje me provincën françeskane te Kepi i Rodonit. Kontrata ka filluar para 4 viteve. Kemi që prej një viti që kemi probleme me provincën. Një nga problemet është toka e banorit që u konfliktuar dje. Ne në janar të vitit 2023, provinca françeskane në mënyrë të njëanshme dhe pa diskutuar me ne duke nxjerrë pretekstin se nuk paguajmë qiranë prishi kontratën për arsye se ishte e pamundur që të vazhdonim të investonim në një pronë që kishte paqartësi. Në fillim të janarit iu drejtuam Kadastrës që të na jepte dokumentet e disa pasurive, gjë që nuk po e bënte dhe pse e kishte në kontratë që ta bënte provinca.

Kadastra tha se nuk e bënte dot se SPAK e kishte sekuestruar. Më pas i drejtohemi Gjykatës së Tiranës që del menjëherë me një masë sigurie, ku shprehet se provinca françeskane duhet të pezullojë çdo veprim që ka lidhje me pronën objekt. Në Prill të vitit 2023, provinca del me një padi tjetër që duhet të lirojë pronën për arsye se ka mbaruar afati. Vetë Gjykata e Durrësit shprehet kompania do të vazhdojë të kryejë aktivitetin e vet brenda Kepit të Rodonit dhe të vazhdojë të bëjë punën sipas kontratës. Ne nuk e kemi humbur statusin e qiramarrësit. Me një autorizim provinca françeskane dërgon disa persona për të vëzhguar si pronë dhe menjëherë ka filluar dhuna ndaj nesh. Kanë prish rrjetin elektrik, rrjetin e ujësjellësit, kanë vjedhur dhe kanë shkatërruar,”-tha ajo në fjalën e saj.

Ndërsa në një pronconim për MCN, Shtjefeni pretendoi se kishte një video të xhiruar brenda lokalit të saj, ku persona (sipas saj të dërguar nga Mark Frroku), e kërcënonin me sqepar. 

“Do dilni jashtë ju, jeni pushtues. Ne jemi trajtuar si pushtues. Është një video që e kam unë, ku njëri nga vëzhguesit që është edhe përgjegjës, unë e zura brenda lokalit tim, ku ai as nuk duhet të afrohej. Ai shqeu derën, vodhi brenda lokalit. Unë gjendem në ato momente aty dhe ai më kërcënon me një sqepar në dorë. Edhe kafshët tona që ishin atraksion janë larguar,”-shtoi ajo.

Cila është "molla e sherrit"?

Dy palët janë përplasur për një pronë në Kepin e Redonit. Përplasja është mes Kishës katolike dhe disa banorëve të zonës (familja e Bajram Kaculit) pasi që të dyja palët pretendojnë pronësinë mbi të. Ende nuk ka një vendim, ndërsa toka është nën sekuestron e SPAK.Nëse sipërfaqja prej 5 dynym e 400 m2 tokë i kalon Kishës, atëherë banorët e zonës bllokohen për të dalë në bregdet. Nga ana tjetër, Kisha ka marrë në zotërim 150 ha tokë të kthyer nga komisioni i kthimit e kompensimit të pronave rreth 16 vjet më parë. Brenda këtij territori janë vendosur kisha e famshme e Shën Ndout, Kalaja e Skënderbeut, një vijë e gjatë bregdetare si dhe një pyll me pisha. Në Polici, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Mark Frroku ka thënë se nuk kishte dijeni për konfliktin, por prezenca e tij në zonë është kapur nga pamje filmike. Për këtë fakt, ai është justifikuar se ka shkuar si ndërtues i murit pasi ishte pajtuar nga Kisha./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

U arrestua pas sherrit për pronat në Kepin e Rodonit, Frroku: Nuk kam lidhje (Pamjet thonë të kundërtën)

Sherri tek Kepi i Rodonit/ Arrestohet Mark Frroku & 7 të tjerë,
Mark Frroku

DURRËS- Është zbardhur dëshmia e ish-deputetit Mark Frroku, pas arrestimit të tij nga Policia e Durrësit, pas një konflikti për pronat në Kepin e Rodonit, ku dyshohet se shoferi i tij Besnik Toma ka qëlluar dhe me armë.

Frroku ka deklaruar se Tomën e ka të afërm të tij, por nuk ka qenë në dijeni se ai ka qëlluar me armë. Sa i takon prezencës së tij në zonë, ish-deputeti ka thënë se ai është kontaktuar nga përfaqësuesit e Kishës Katolike për të ndërtuar murrin rrethues të pronës për të cilën ka ndodhur edhe konflikti. Por nga pamjet filmike që ka grupi hetimor duket që ish-deputeti është i përfshirë në konflikt pavarësisht dëshmisë së tij.

“Nuk ka ndodhur asgjë, isha në zonë se jam pajtuar nga përfaqësuesit e Kishës si ndërtues i murit. Besnik Tomën e kam të afërm, nuk jam në dijeni që ai ka qëlluar me armë. Nuk e di kush e filloi sherrin, unë kam kontratë për menaxhimin e pronave të Kishës”, ka deklaruar Frroku.

Policia e Durrësit reagoi zyrtarisht në lidhje me arrestimin e Mark Frrokut, dhe shpalljen në kërkim të shoferit të tij.

Vetë Frroku dhe personat e tjerë të lidhur me të akuzohen për veprat penale “Kanosja”, “Moskallzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike. Ndërkohë që banorët e fshatit Shetaj, që po ashtu pretendojnë pronësinë e tokës akuzohen për “plagosje të rëndë me dashje” dhe vetëgjyqësi.

Të prangosurit e tjerë, përveç Frrokut, janë identifikuar si: Bajram Kaculi, Orgito Reka, Ylli Reka, Erjon Reka, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri./Zëri.ai 

1 VITE ME PARE

Kisha Katolike distancohet nga Frroku: Po kryente punime të paligjshme si ‘vëzhgues’

Sherri tek Kepi i Rodonit/ Arrestohet Mark Frroku & 7 të tjerë,
Mark Frroku

DURRËS- Përplasja me armë për pronat në Kepin e Rodonit, është kronika e një ngjarje të paralajmëruar, ku si pasojë e zvarritjes së çështjes nëpër gjykata, palët në konflikt kanë tentuar ta zgjidhin përmes vetëgjyqësisë. Prej më shumë se një viti, hyrja për në Kepin e Rodonit është e lejuar vetëm kundrejt pagesës, ndërkohë që një pjesë e mirë e sipërfaqes së pyllit, por edhe zonës ku është e vendosur kisha e vjetër dhe e re është e rrethuar nga një kompani private.

Sikur të mos mjaftonte kjo, në hyrje të zonës së rrethuar, ku është vendosur dhe trau, ka një konflikt për një sipërfaqe toke rreth 5 mijë metra katrorë, ku dy palë pretendojnë pronësinë, nga njëra anë qëndron shtetasi Bajram Koculi, nga fshati Shetaj, dhe në anën tjetër përfaqësues që pretendojnë se i përkasin kishës Françeskane, me në krye vetë ish-deputetin Mark Frroku dhe persona të afërt të lidhur me të. Në një episod të emisionit Fiks Fare, të dyja palët kanë pretenduar se kanë certifikatë pronësie për pronën në fjalë.

Sherri tek Kepi i Rodonit/ Arrestohet Mark Frroku & 7 të tjerë,
Certifikata e Koculit dhe Kishes Franceskane

Në 2 Tetor të këtij viti, pas përplasjeve të vazhdueshme mes palëve në terren, ku përfaqësuesit e Kishës Françeskane kishin bërë rrethimin e tokës, IMT e Durrësit vendosi pezullimin e punimeve në këtë truall, deri në një sqarim të plotë të rrethanave të pronësisë.

Megjithatë në terren ka vijuar puna nga Frroku dhe personat e tjerë të lidhur me të, që ka çuar dje në përplasje fizike dhe në përdorimin e armëve. Koculi dhe persona të tij të afërm, kanë shkuar dhe janë përplasur fizikisht me Frrokun dhe njerëz të tij, ndërkohë që shoferi i ish-deputetit Besnik Toma ka qëlluar me armë.

Vetë Kisha Katolike, është distancuar, ndonëse për pronën për të cilën bëhet fjalë konflikti është mes Kishës Françeskane dhe banorëve të zonës, duke deklaruar se Frroku dhe personat e lidhur me të po kryejnë punime të paligjshme në sipërfaqen për të cilën ka përplasje.

Përfaqësues të Kishës deklaruan për A2: "Disa persona me një autorizim nga Provinca Françeskane e Shkodrës kanë gjetur pretekst për të hyrë si “vëzhgues” roje të pronës, për ta ruajtur nga dëmtimet, por realisht po kryejnë punime të paligjshme dhe pa asnjë autorizim nga askush (edhe pa asnjë leje) dhe po rrethojnë tokën e z. Bajram Kaçuli, që e ka me certifikatë të rregullt pronësie".

Nuk dihet nëse kjo deklaratë lidhet me ndonjë përplasje mes vetë institucioneve fetare, pasi në njërën anë Frroku pretendon se po mbron pronat e Kishës Franceskane (degëzim i Kishës Katolike), dhe në anën tjetër Kisha Katolike e akuzon atë për ndërtime të paligjshme.

Sipas burimeve rreth 70% e pronave të Kishës Françeskane janë bllokuar nga SPAK në Kadastër, pasi ka dyshime për mënyrën sesi certifikatat e pronësisë janë dhënë.

/Zëri.ai 

1 VITE ME PARE

Konflikti te ‘Kepi i Rodonit’, shpallet në kërkim shoferi i Mark Frrokut, qëlloi me armë

Sherri tek Kepi i Rodonit/ Arrestohet Mark Frroku & 7 të tjerë,
Mark Frroku

DURRËS- Policia e Durrësit ka reaguar zyrtarisht në lidhje me arrestimet që kanë ndodhur pas sherrit për pronat në Kepin e Rodonit, ku në mesin e personave të vënë në pranga është dhe ish-deputeti Mark Frroku. Ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim shoferin e tij, shtetasin Besnik Toma, i cili është edhe personi që ka qëlluar me armë sipas bluve në qytetin e Durrësit.

Vetë Frroku dhe personat e tjerë të lidhur me të akuzohen për veprat penale “Kanosja”, “Moskallzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike. Ndërkohë që banorët e fshatit Shetaj, që po ashtu pretendojnë pronësinë e tokës akuzohen për “plagosje të rëndë me dashje” dhe vetëgjyqësi.

Të prangosurit e tjerë, përveç Frrokut, janë identifikuar si: Bajram Kaculi, Orgito Reka, Ylli Reka, Erjon Reka, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri.

Besnik Toma, i shpallur sot në kërkim, rezulton të jetë prej më shumë se 10 vitesh, shoferi i Frrokut. Emri i tij ka dalë në skenë prej vitit 2015, kohë kur ndodhi dhe arrestimi i parë i Frrokut, në kohën që ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Toma asokohe sipas Prokurorisë kishte kontakte të shpeshta me Durim Bamin, një personazh i skeduar disa herë nga policia për vepra të ndryshme penale, të ndodhura kryesisht në zonën e Fushë Krujës.

Njoftimi i policisë:

U konfliktuan me sende të forta me njëri-tjetrin, në kepin e Rodonit, për motive pronësie, arrestohen në flagrancë 8 shtetas (nga të dyja palët në konflikt).

Vijon puna për kapjen e shtetasit që dyshohet se qëlloi me armë zjarri, në ajër, gjatë konfliktit.  

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Manzë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për konfliktin e ndodhur ditën e djeshme, te kepi i Rodonit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:  B. K., E. R., O. R. dhe Y. R., për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “ Vetëgjyqësia”; M. F., A. L., P. D. dhe M. L., për veprat penale “Kanosja”, “Moskallzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike. 

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. S., për veprën penale “Moskallzimi i krimit”, si dhe vijon puna për kapjen e shtetasit B. T. 

Ditën e djeshme, shtetasit B. K., E. R., O. R., Y. R., banorë të fshatit Shetaj, janë konfliktuar me sende të forta me shtetasit N. S., M. F., A. L., P. D. dhe M. L., përfaqësues të kishës françeskane, të cilët po bënin rrethimin e një sipërfaqeje toke në zonë, për të cilën kanë certifikatë pronësie. Si pasojë e konfliktit, shtetasit e përfshirë në konflikt kanë pësuar dëmtime fizike.   

Policia gjeti në vendin e ngjarjes një gëzhojë arme zjarri. Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi që ka qëlluar me armë zjarri, gjatë konfliktit, është shtetasi B. T.  

Sqarojmë se në lidhje me pretendimet e palëve për certifikatën e pronësisë, nga ana e Policisë janë referuar disa herë materialet në Prokurori, për konfliktet që ka patur herë pas here, mes palëve.  

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

1 VITE ME PARE

EMRAT/ Kush janë të arrestuarit për sherrin tek Kepi i Rodonit

Sherri tek Kepi i Rodonit/ Arrestohet Mark Frroku & 7 të tjerë,
Kepi i Rodonit

DURRËS- Tetë persona, mes tyre dhe ish-deputeti Mark Frroku janë vëë në pranga nga Policia e Durrësit pas sherrit të ndodhur një ditë më parë në Kepin e Rodonit. Të prangosurit e tjerë janë identifikuar si: Bajram Kaculi, Orgito Reka, Ylli Reka, Erjon Reka, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri.

Sherri nisi kur përfaqësues të Kishës Katolike me në krye Frrokun nisën të bënin rrethimin e një toke ku planifikojnë të bëjnë një investim. Ata pretendojnë se kanë certifikatë pronësie për këtë tokë, por e njëjta gjë vlen dhe për banorët e zonës. Palët u përfshinë në konflikt dhe gjatë sherrit pati edhe të shtëna me armë zjarri. Por, deri më tani nuk është raportuar për asnjë të plagosur. Personi që ka qëlluar me armë dyshohet se është kushëriri i Frrokut. 

1 VITE ME PARE

Arrestimi i Frrokut/ Ç’ndodhi në Kepin e Rodonit, historia e tokës që sjell përplasje prej vitesh

Sherri tek Kepi i Rodonit/ Arrestohet Mark Frroku & 7 të tjerë,
Mark Frroku

DURRËS- Ish-deputeti Mark Frroku është vënë sot në pranga, vetëm një ditë pas përplasjes me banorët e fshatit Shetaj në zonën e Kepit të Rodonit. Frroku kishte shkuar si përfaqësues i Kishës Katolike dhe bashkë me disa persona të tjerë, por bënin rrethimin e një toke, për të cilën pretendojnë se kanë certifikatë pronësie.

Mirëpo, edhe banorët e zonës pretendojnë të njëjtën gjë. Konflikti ka agravuar në përplasje fizike dhe në përdorimin e sendeve të forta. Në njoftimin e policisë, një ditë më parë, u raportua se në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një gëzhojë, pasi kishte pasur dhe të shtëna me armë zjarri.

Gjithashtu, blutë e Durrësit njoftonin se kishin bërë shoqërimin e tetë personave në komisariat, ndërkohë që sot, po raportohet për arrestimin e ish-deputetit Frroku.

Është ende e paqartë nëse ish-deputeti ka qëlluar me armë zjarri apo ndodhet pas hekurave si një person i përfshirë në konflikt.

Çfarë po ndodh në Kepin e Rodonit?

Në zonën që pretendohej të rrethohej një ditë më parë, është planifikuar që të kryhet një investim për turizëm, por fakti që projekti kalon në tokën për të cilën u bë dhe sherri ka sjellë përplasje herë pas here. Kallëzimet për këtë çështje vijojnë të jenë të stivuara në prokurori prej vitesh.

 

1 VITE ME PARE

Konflikti me armë te 'Kepi i Rodonit', arrestohet ish-deputeti Mark Frroku

Sherri tek Kepi i Rodonit/ Arrestohet Mark Frroku & 7 të tjerë,
Arrestohet ish-deputeti Mark Frroku

DURRËS- Ish-deputeti Mark Frroku është vënë në pranga nga policia e Durrësit, pas hetimeve për përplasjen që ndodhi ditën e djeshme mes disa banorëve dhe përfaqësuesve të kishës lidhur me pretendimit për pronësinë e tokës në zonës bregdetare.

Gjatë ditës së djeshme pati një konflikt mes disa personave dhe përfaqësuesve të Kishës në Kepin e Rodonit, ku u qëllua dhe me armë zjarri në ajër.

Mësohet se Frroku ka qenë i pranishëm në vendin e konfliktit si përfaqësues i Kishës Katolike, së bashku me disa persona të tjerë.

Bashkë me Frrokun janë vënë në pranga edhe 7 persona të tjerë që kanë qenë të përfshirë në konflikt. Ata u shoqëruan fillimisht gjatë ditës së djeshme në komisariatin e policisë së Durrësit, ndërkohë që sot iu është komunikuar dhe arrestimi.

70% të pronave të kishës katolike në zonën e Kepit të Rodonit janë bllokuar nga SPAK në Kadastër, pasi ka dyshime se një pjesë e mirë e tyre janë dhënë në kundërshtim me ligjin. Banorët e fshatit Shetaj vazhdimisht kanë deklaruar edhe në media, se në bazë të ligjit 7501 ata janë pronarë të ligjshëm të mijëra metrave tokë, për të cilat edhe Kisha Katolike ka pretendimet e saj.

Për tokën në të cilën dje ndodhi konflikti, në fillim të muajit Tetor IMT e Durrësit kishte vendosur për pezullimin e rrethimit, ndërkohë që përfaqësuesit e Kishës Françeskane, Frroku dhe të afërmit e tij kanë vazhduar nga puna, gjë që ka sjellë dje dhe konfliktin që pasoi në përdorimin e armëve.

Policia e Durrësit njoftoi dje se “në zonën e Kepit të Rodonit, disa banorë të fshatit Shetaj, konkretisht shtetasit B. K., E. R., Y. R. dhe O. R. janë konfliktuar me sende të forta, me përfaqësues të kishës katolike, shtetasit N. S., M. F., M. L. dhe P. D.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.

Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte. Në vendngjarje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri.

Si pasojë e konfliktit me sende të forta kanë pësuar dëmtime të lehta disa nga shtetasit e përfshirë në konflikt, të cilët pasi kanë marrë ndihmë mjekësore, janë shoqëruar bashkë me shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt, me qëllim kryerjen e veprimeve për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”.

Çfarë po ndodh në Kepin e Rodonit?

Në zonën që pretendohej të rrethohej një ditë më parë, është planifikuar që të kryhet një investim për turizëm, por fakti që projekti kalon në tokën për të cilën u bë dhe sherri ka sjellë përplasje herë pas here. Kallëzimet për këtë çështje vijojnë të jenë të stivuara në prokurori prej vitesh.

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB