TIRANË- Kryeministri Edi Rama nuk kurseu kritikat për Ministrinë e Brendshme, teksa prezantoi drejtuesen e re Albana Koçiu. Kreu i qeverisë u ndal në disa problematikë në struktura në varësi të këtij institucioni. Rama shprehu rezervat e tij mbi punën e deritanishme në këto vite të këtij dikasteri, të fokusuar më shumë në punën e Policisë së Shtetit dhe rolit të saj në kontrollin e territorit. Në fjalën e tij, Rama u ndal veçanërisht te ndërhyrjet e fundit për prishjen e ndërtimeve pa leje, duke theksuar se tashmë Policia ka një përgjegjësi të drejtpërdrejtë në këtë proces. Sipas kreu të ekzekutivit, policia e shtetit deri dje ishte pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes.
“Kontrolli i territorit në kuptimin e ndërtimeve ka filluar tashmë dhe policia ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Është vendosur në njëfarë rruge ky kontroll, edhe falë angazhimit të drejtorit të policisë në këtë rast. Deri dje policia ishte pjesë e problemit, jo e zgjidhjes. Sikur të mblidheshin gjithë fshatarët që policia u ka vënë gjoba personale apo shtetërore për një avlli, do bëhej mitingu më i madh pas atij për pritjen e Zhou Enlait. Një burrë 90 e kusur vjeç përfundoi në prokurori e gjykatë si ndërtues pa leje për një riparim matanë Dajtit. Ndërkohë në mes të Tiranës, Syri i Tiranës ka 4 a 5 kate pa leje", u shpreh kreu i ekzekutivit.
Gjatë fjalës së tij, Rama ka theksuar se gjendja civile apo kompanite private të sigurisë kanë problematika të shumta në sistem dhe drejtim. Më tej, kreu i qeverisë shpreh rezervat edhe ndaj nivelit të performancës së dobët sipas tij, të llyrian Guard.
“Gjendja civile akoma sot ka problematika me sistemin. Se ato çetat e bajrakratëve vazhdojnë të jenë në realitetin shqiptar, por quhen kompani private sigurie. Për të mos harruar, nivelin e performancës së llyrian Guard, e cila u krijua për t’iu dhënë punonjësve të policisë, një tranzicion të butë drejt pensionit, me një pagë të denjë dhe u kthye në jetimore çokash. Duke humbur misionin për të cilin u krijua. Policia Shkencore, një tjetër strukturë që falë disa specialistëve të mirë aty, i ka mbijetuar kohës, derisa filluan investimet serioze në spitale. Por një polici shkencore e painvestuar si duhet. Apo shërbimi elitë, Garda e Republikës, administrimi i pasurive të sekuestruara, më në fund ka filluar të bëjë sens. Këtu është merita e ministrit dhe e drejtores.", tha Rama./ZËRI