TIRANË- Forcimi i bashkëpunimit me Bashkimin Europian në fushën e sigurisë dhe përmbushja e prioriteteve të integrimit ishin në qendër të takimit mes ministrit të Brendshëm Ervin Demo dhe ambasadores së BE-së në Shqipëri Sofia Moreira de Sousa.
Në diskutime u veçua mbështetja europiane për rritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit si dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe goditja e pasurive që burojnë nga aktivitetet kriminale.
Një tjetër çështje e trajtuar ishte menaxhimi i kufijve dhe migracionit me synimin për përafrimin e mëtejshëm me standardet europiane dhe kërkesat e hapësirës Schengen.
Gjatë takimit Demo vuri theksin te forcimi i institucioneve dhe koordinimi mes strukturave shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë. Sipas tij, në këtë fazë të procesit të integrimit rëndësi të veçantë kanë rezultatet konkrete të matshme dhe të qëndrueshme.
“Partneriteti me Bashkimin Europian do të vijojë të mbështesë reformat dhe avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit”, u shpreh ministri Ervin Demo./ZËRI