TIRANË- Detaje të reja kanë dalë nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare e thirrur nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj pas zhvillimeve që lidhen me ish-drejtoreshën e SHISH Vlora Hyseni. Në qendër të diskutimeve ka qenë siguria e informacionit të klasifikuar përgjegjësia institucionale dhe mënyra e bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë.
Sipas informacioneve kreu i komanduar i SHISH Elvis Lila ka raportuar për një auditim të kryer në institucion pas masës së sigurisë ndaj Hysenit. Nga verifikimet sipas tij, nuk rezulton që nga SHISH të kenë dalë dokumente që kanë cenuar sigurinë kombëtare.
Në takim është diskutuar edhe për hetimin e SPAK ndaj ish-drejtoreshës së SHISH. Drejtuesi i SPAK-ut Klodian Braho u ka shpjeguar krerëve të institucioneve se vendimi për t’iu drejtuar gjykatës për masë sigurie ndaj Hysenit është marrë pas administrimit të provave sekrete në kuadër të hetimit mes tyre edhe kontrolle të kryera në banesa.
Braho ka argumentuar se pas sigurimit dhe analizimit të provave grupi i hetimit ka arritur në përfundimin se ekzistonin kushtet për të kërkuar masën e sigurisë në gjykatë.
Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama ka vënë theksin te përgjegjësia individuale, ndërsa ka kërkuar krijimin e mekanizmave më të qartë për ndërveprimin mes institucioneve me synim garantimin e sigurisë kombëtare.
Presidenti Bajram Begaj ka rikujtuar përgjegjësitë që ka secili institucion dhe nevojën për ruajtjen e pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme. Ai ka theksuar se hetimi i SPAK duhet të vijojë i pavarur dhe pa ndërhyrje institucionale.
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare zgjati rreth një orë e gjysmë dhe u zhvillua me dyer të mbyllura. Presidenca bëri të ditur se në fokus ishin forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, mbrojtja e informacionit të klasifikuar dhe ruajtja e besimit te institucionet e sigurisë.