Politikë

Do shkarkojë Monika Kryemadhin? Ilir Meta: Do zhduk nepotizimin nga Partia e Lirisë

Meta propozoi edhe sekretarët e rinj të partisë në Tiranë dhe në Korçë

E.K
Do shkarkojë Monika Kryemadhin? Ilir Meta: Do zhduk nepotizimin nga Partia
Ilir meta

TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka mbledhur kryesinë e partisë, ku ka bërë deklarata të forta në lidhje me rithemelimin e kësaj force politike. Meta tha se në PL do të marrë fund nepotizmi, ndërsa tha se një timon nuk mund të drejtohet nga dy shoferë. Meta u shpreh se në Konventën Kombëtare të 27 prillit, do të ndërtohet një parti mbi baza të reja, ku sipas tij do t’i jepet fund kakofonisë në drejtim. Meta ka propozuar që Sekretare për qarkun e Tiranës të zgjidhet Erisa Xhixho ndërsa sekretar për Korcën të jetë Tedi Blushi.

"Do ju propozojë që në krye të grupit për rishikimin e programit dhe Statutit i cili më 27 prill do ndërtojë partinë mbi baza të reja, duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë nepotizmit në parti dhe të gjithë strukturave, dhënien fund mosmbajtjes së përgjegjësive dhe kakofonisë në drejtim të jetë zoti Haxhinasto. Kjo nuk mund të jetë forcë politike me dy shofera në timon, pale kur futet dhe ndonjë dorë e tretë në timon. Duhet shpejtësi, duhet një frymëmarrje tjetër. Në kuadër të riorganizimit sekretare e qarkut Tiranë, propozoj që të jetë zonja Xhixho, i qarkut të Korçës, Tedi Blushi. Zoti Panariti së bashku kemi 26 vite apo jo, bashkë do kemi dhe 26 të tjera, po duhet të vish në stërvitje bashkë me mua’, u shpreh mes të tjerave Meta.

Por edhe pse nuk e ka përmendur me emër, është lënë të kuptohet se është Kryemadhi ajo që do të përjashtohet nga Partia e Lirisë, tek e fundit, vetëm me të ka lidhje "nepotike". Megjithatë nga kjo e fundit, deri më tani nuk ka asnjë reagim lidhur me deklaratën e bërë nga Meta. Po ashtu, më herët, Meta ka larguar edhe disa funksionarë të tjerë të PL-së, të cilët i identifikonte si mbështetës të bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Psh. Endrit Braimllari është hequr nga zona e Korçës, e në vendin e tij është caktuar ish-këshilltari i Metës kur ishte president, Tedi Blushi. Gjithashtu nuk dihet nëse kjo deklaratë ka lidhje me faktin që Kryemadhi është nën hetim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Së fundmi, asaj i është sekuestruar celulari, për të cilin ajo ka bërë disa përpjekje për ta rimarrë. Disa ditë më parë, në SPAK ishte edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monikës. Por po ashtu si Kryemadhi, edhe Meta është nën hetim nga SPAK për çështjen CEZ-DIA./ZËRI 

 

Poll

MOS HUMB