
TIRANË- Vullnet Sinaj, një prej deputetëve të heshtur të Kuvendit të Shqipërisë është duke u përballur me kërkesën për heqjen e mandatit të tij si ligjvënës, për shkak se opozita pretendon se ai ka shkelur nenin 3 të pikës 70 të Kushtetutës, e cila thotë: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre".
Në dy seancat që janë mbajtur në Këshillin për Mandatet dhe Rregulloren në Kuvend, e fundit zgjati pak për shkak të ndarjes nga jeta të ish-deputetit Gerti Bogdani, Sinaj ka vendosur që të mbrohet përmes populizmit, dhe jo argumenteve ligjore, në të cilën e ka shtruar diskutimin opozita. Në argumentimin e tij, deputeti socialist për dy mandate në qarkun e Vlorës, pretendon të mbulojë shkeljen e Kushtetutës, me bamirësi që thotë se ka kryer gjatë ushtrimit të detyrës.
Një tjetër pikë ku ai synon që të mbrohet është dhe vlera e përfituar nga bizneset e tij, që shkon në shumën e 36 mijë eurove. Por Kushtetuta parashikon qartë ndalimin, cilado qoftë vlera e përfitimit, që për një deputet me profil biznesmeni si Sinaj, 36 mijë euro duket të jenë të papërfillshme.
Sinaj nuk ka dhënë sqarime në lidhje me dhjetra pagesat që janë bërë nga institucionet publike, për rrjetin e bizneseve “Big Market” në pronësi të tij, nga i cili pretendon se ka hequr dorë që prej vitit 2017, për shkak të ligjit për konfliktin e interesit. Por pavarësisht se drejtimi ligjërisht, bëhet nga një person i besuar nga Sinaj, vetë deputeti rezulton që është në dijeni të transaksioneve financiare, që kryhen nga kompania, e madje dhe donacionet e bamirësisë që pretendon se janë bërë rregullisht.
Kaq mjafton për të kuptuar se deputeti nuk ka hequr asnjëherë dorë realisht nga drejtimi i kompanisë, edhe pse në dokumente paraqitet diçka tjetër. Kushtetuta parashikon qartë, se deputetët nuk mund të përfitojnë qoftë edhe një qindarkë nga paratë publike, dhe kaq do të mjaftonte që kjo çështje të dërgohej për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, gjë e cila duket se do të zvarritet nga socialistët njësoj siç ka ndodhur dhe në rastin e deputetes tjetër Olta Xhaçka.
Një tjetër fakt i përmendur nga opozita, gjatë përballjeve me Sinajn në Këshillin për Mandatet, është një raport i Transparency International, ku thuhet se deputeti dhe qeveria kanë ndryshuar ligjin për TVSH-në që favorizonte në mënyrë të drejtpërdrejtë rrjetin e bizneseve Big Market.
Në fund të vitit 2017, kur Sinaj sapo ishte zgjedhur deputet në mandatin e tij të parë, qeveria shqiptare shkoi drejt uljes së pragut të regjistrimit të TVSH-së nga 5 milionë lekë në 2 milionë lekë në vit, një ndryshim që synonte uljen e nivelit të informalitetit në ekonominë shqiptare.
Kjo lëvizje u kritikua asokohe nga FMN dhe Banka Botërore, pasi shihej si një skemë për zhdukjen nga tregu të bizneseve të vogla, duke favorizuar në këtë mënyrë rrjetet e marketeve, në këtë rast edhe ato që janë në pronësi të Sinajt. Lëvizja që thuhej se u bë për të luftuar informalitetin, sipas FMN dhe Bankës Botërore, nuk ishte produktive, dhe për këtë u kërkua që qeveria shqiptare të bënte sërish ndërhyrje në lig.
“Po kështu, Big Market u themelua nga Vullnet Sinaj, një biznesmen i cili u bë deputet i socialistëve në pushtet në vitin 2017. Këto lidhje të ngushta me partinë në pushtet tregojnë për natyrën e porositur të ligjit”, thotë Transparency International në raportin e saj. Sipas raportit, vetëm 9 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, një numër i madh dyqanesh me pakicë, rreth 6900 ishin mbyllur zyrtarisht për shkak se nuk paguanin dot detyrimet që lindnin nga vendosja e TVSH-së, që synonte përfitimin e të mëdhenjve, mes tyre bizneseve të Sinajt.
Tashmë, deputeti që njoftoi se nuk do të garonte për një mandat të tretë, në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, është në dorë të kolegëve të tij socialistë, nëse do ta çojnë mocionin e opozitës për vendimmarrje në Gjykatën Kushtetuese.
Precedentët tregojnë se rasti ‘Sinaj’ nuk lë vend për shumë interpretime, pasi më herët për të njëjtën shkelje të Kushtetutës, Gjykata ka vendosur për heqjen e mandatit të deputetëve Ilir Beqaj dhe Koço Kokëdhima. Rasti i parë, me të cilën është përballur Gjykata Kushtetuese, ka qenë ai i vitit 2011, ku deputeti Ilir Beqaj humbi mandatin e tij në Kuvend, për shkak se kompania nën pronësi maxhoritare të tij, Intech+ pati fituar një tender me vlerë 24 milionë lekë nga Bashkia Durrës, e cila qeverisej në atë kohë nga një kryebashkiak socialist.
Kushtetuta, shënon gjykata në vendimin në fjalë, “ka preferuar të vendosë ndalimin në rang kushtetues dhe ta cilësojë si të papajtueshëm me funksionin e deputetit ushtrimin e aktivitetit fitimprurës prej tij, kur të ardhurat nga ky aktivitet burojnë nga buxheti i shtetit. Ky ndalim është i shprehur qartë dhe pa ekuivok nga kushtetutbërësi, i cili ka patur si qëllim eliminimin e plotë të mundësive për ta konsideruar funksionin e deputetit si një mundësi e mirë për të shtuar burimin e të ardhurave private nëpërmjet pozitës së favorshme që ka ai si anëtar i organit më të lartë përfaqësues.”
Gjykata Kushtetuese u përball edhe një herë me një çështje të tillë në vitin 2015, këtë herë me protagonist deputetin Koço Kokëdhima. Kokëdhima ka qenë (dhe vijon të jetë), pronar i një kompanie që ofron akses në internet. Pasi u bë deputet, ai hoqi dorë nga pronësia e kësaj kompanie, por jo para se një kontratë e vetme shërbimi interneti me një ent publik të nënshkruhej.
Dikush mund të thotë se përfitimi indirekt i Kokëdhimës nga fakti që një agjenci shtetërore pagoi për atë muaj një shumë minimale prej vetëm 2 mijë lekësh për shërbim interneti, nuk është argument moralisht shumë i fortë sa për të rrëzuar mandatin e deputetit, shkruan Birn. Por Gjykata Kushtetuese, njësoj si në rastin e Beqajt, vuri në dukje ndalimin e prerë që ka caktuar kushtetuta (dhe nuk duhet të harrojmë se kushtetutën aktuale e kanë miratuar votat e deputetëve socialistë në vitin 1998), për konfliktin e interesit mes deputetit dhe pronës apo parave publike.
I pakënaqur me vendimin, Kokëdhima iu drejtua Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila njihet më së shumti si Gjykata e Strasburgut. Kjo e fundit i dha përgjigje Kokëdhimës në qershor të këtij viti me një vendim në të cilin mes të tjerash, vëren se deputeti, si një figurë mbi të zakonshmit, duhet të jetë në dijeni, nga njëra anë, për të drejtat e tij dhe nga ana tjetër, për detyrimet.
Këto dy raste duket se vulosin fatin e deputetit Sinaj, por socialistët me vendimin e marrë së fundi për Olta Xhaçkën, duket se i kanë hapur një sfidë Gjykatës Kushtetuese, dhe mbetet për t’u parë nëse precedent do të vijojë me ligjvënësin e qarkut të Vlorës. /ZËRI