
TIRANË-Marrëveshja për emigrantët që Shqipëria bëri me Italinë, sipas kryeministrit Edi Rama, nuk mund të përsëritet me asnjë shtet tjetër. Gjatë një prononcimi për “Euronews”, Rama shpjegoi se me Italinë fqinje pakti u arrit sepse raporti mes dy vendeve bazohet në dashuri të pakushtëzuar. Ai theksoi se qeveritë që kërkojnë të përsërisin marrëveshjen e arritur midis Italisë dhe Shqipërisë nuk duhet të shikojnë nga vendi ballkanik për një partner.
“Kjo është një marrëveshje ekskluzive me Italinë, sepse ne i duam të gjithë, por me Italinë kemi dashuri të pakushtëzuar. Ne vendosëm ta bëjmë këtë (marrëveshjen e emigracionit) bazuar në ndjenjën e përgjegjësisë si fqinjë, si evropianë. Sigurisht që është më mirë sesa thjesht të luftosh ideologjikisht për këtë çështje dhe të mos bësh asgjë”, shpjegoi Edi Rama.
Komenti i Ramës vjen disa ditë pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se homologu i saj britanik Keir Starmer kishte shprehur “interesim të madh” për marrëveshjen.
Italia dhe Shqipëria arritën paktin pesëvjeçar. Sipas marrëveshjes, Shqipëria do të strehojë emigrantë që do të shpëtohen në det, teksa Italia me procedurë të përshpejtuar do të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil. Dy qendrat ku do të vendosen emigrantët është dashur të funksionalizohen këtë javë, por për shkak të vonesave në ndërtim, hapja e tyre është shtyrë. Dy qendrat, që do të financohen dhe menaxhohen nga Italia, mund të akomodojnë deri në 3.000 migrantë që do të vijnë nga Italia përmes detit./ZËRI