
TIRANË-Seanca e sotme plenare ka zgjatur më pak se një orë. Kuvendi u mbyll për 40 minuta, ku mazhoranca kaloi edhe disa nga projektligjet në rendin e ditës. Kuvendi ka miratuar ditën e sotme, me 73 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim, projektligjin për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin 60/2023, për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë "Mjekësi e përgjitshme”, në institucionet publike të arsimit të lartë.
Studentët e mjekësisë pas diplomimit janë të detyruar të punojnë 3 vite, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi pjesërisht ligjin për studentët e mjekësisë. Argumenti i Kushtetueses se afati 5 vjetor është jo-proporcional, ka bërë që qeveria të propozojë që ky afat të ulet në 3 vite për ata që fillojnë rishtas shkollës, për studentët e vitit të dytë e deri në atë të katërt në 2 vite dhe për studentët e vitit të pestë e të gjashtë në vetëm një 1.

Ishte deputetja e Partisë Socialiste, Etilda Gjonaj, e cila prezantoi sot në Kuvend ndryshimet në projektligjin për studentët e mjekësisë. Në fjalën e saj Gjonaj tha se “ndryshimet e parashikuara në këtë projektligj vijnë si reflektim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në 25 janar 2024 për ligjin “Për trajtimin e studentëve të mjekësisë”.
"Kjo iniciativë ligjore vjen pas shqyrtimit në 3 mbledhje radhazi në Këshillin e Legjislacionit, i cili më pas i ka paraqitur kryetarit të Kuvendit raportin dhe nismën legjislative dhe relacionin. Ky ligj i është nënshtruar filtrit të Gjykatës Kushtetuese për të gjitha pretendimet që subjektet kanë kërkuar tek kjo e fundit duke përfshirë cenimin e parimit të sigurisë juridike ,të drejtën për arsim të lartë, të drejtën për të zgjedhur punën, dhe testin e proporcionalitetit të këtyre parashikimeve ligjore”. Gjykata kushtetuese në vendimin e saj ka përcaktuar dy momente, të cilat i ka konsideruar se duhet të rishikohen, për të cilat ne si iniciatorë të këtij projektligji i kemi reflektuar ekzaktësisht në dispozitat dhe parashikimet ligjore që kanë ardhur në këtë projektligj”, u shpreh Gjonaj.
Në seancë u diskutuan edhe dryshimet ligjore për funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor, ku Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla u shpreh se ndryshimet mundësojnë që informacioni që do të mblidhet të ketë më shumë cilësi.
"Ndryshimet që keni përpara dhe që presin miratimin tuaj sot mundësojnë një realizim edhe më të plotë të misionit të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) për krijimin, por edhe për përdorimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapsinor në Republikën e Shqipërisë. Ndryshimet do të sigurojnë që informacioni i mbledhur gjeohapsinor të prodhohet pikësëpari me cilësi, në kohë dhe me standardet e duhura. Dhe po ashtu do të rritet ndërveprimi mes institucioneve shtetërore, por pa harruar asnjëherë dhe sipërmarrjet private prodhuesve, përdoruesve, për rëndësinë e përdorimit të informacionit gjeohapsinor gjatë procesit të vendimmarrjes në përputhje me te gjitha dispozitat ligjore. Ky ndërveprim mes institucioneve do të përmirësohet, duke siguruar dhe komunikimin online të parashikuar dhe në aktet nënligjore. Prandaj do t'i ftoja kolegët deputetë që të miratonim këtë ndryshim të rëndësishëm që lidhet me një qasje të re në përdorimin dhe në shfrytëzimin e informacionit të mbledhur gjeohapsinor,"-tha Balla në fjalën e tij.
Kuvendi miratoi po ashtu edhe projektligjin “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre”. Ndërkohë gjatë seancës së sotme Kuvendi ka rizgjedhur Besnik Dervishin, si Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave personale. Besnik Dervishi u votua me 72 vota pro, 1 abstenim dhe 2 kundër.

Niko Peleshi u caktua anëtar i Komisionit të Jashtëm, ndërsa ish-kryeparlamentarja Lindita Nikolla, është caktuar anëtare e Komisionit të Edukimit.
Në këtë seancë parlamentare opozita nuk mori pjesë për shkak se PD ka shpallur sot ditë zie në ndër të ish deputetit të PD, Gerti Bogdani, i cili u nda nga jeta një ditë më parë./ZËRI