
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka ndarë detaje nga marrëveshja e nënshkruar këtë të hënë në Romë me homologen italiane Georgia Meloni për emigrantët e paligjshëm. Në një intervistë për Bruno Vespën në ''Rai Uno'', kreu i qeverisë tha se bëhet fjalë për një qendër pritjeje dhe për një post ku do të procedohet me të gjitha verifikimet, me të gjitha regjistrimet, që sipas tij janë në bazë të kritereve të Bashkimit Europian.
Rama e lidhi ndihmën e sotme të Shqipërisë me kohën kur shqiptarët ishin ata që "pushtonin" brigjet itaiane në kërkim të shpresës dhe të ardhmes.
"Nëse sot, Shqipëria është destinacion për Italinë e nëse sot shqiptarët në Itali, por edhe në Shqipëri kanë një të ardhme, kjo vjen edhe në pjesë të madhe nga fakti që kur ne ishim refugjatë, kur ne largoheshim nga ferri, Italia na priti krahapur dhe na dha atë çfarë është gjëja më e çmuar për një qënie njerëzore, të ardhmen. Dhe në kërkim të së ardhmes, njerëzit janë të gjithë qënie njerëzore, pavarësisht nëse janë muslimanë apo të krishterë, por të gjesh një ekulibër këtu është një çështje shumë e ndërlikuar", tha Rama.
Në fillim është parashikuar që të priten rreth 3000 emigrantë. Pikë e pritjes do të jetë porti i Shëngjinit ndërsa në brendësi të territorit, në Gjadër të Lezhës do të ndërtohet kampi, i cili do të jetë nën juridiksionin italian.
Ndërkohë opozita italiane kritikuar marrëveshjen, pasi sipas tyre është e paqartë.
"Ata po krijojnë një lloj Guantanamo italiane, jashtë çdo standardi ndërkombëtar, jashtë BE-së pa mundësinë e monitorimit të statusit të paraburgimit të njerëzve të mbyllur në këto qendra," tha Riccardo Magi, presidenti i partisë së majtë
“Italia nuk mund të transportojë njerëz të shpëtuar në det në një vend jashtë BE-së sikur të ishin pako apo mallra”, shtoi ai.
Intervista:
Bruno Vespa: Mirëmbrëma Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, i cili sapo është kthyer në Tiranë nga Roma ku ka nënshkruar një marrëveshje, në një farë mënyre historike, me Giorgia Melonin, e cila parashikon ndihmën në dy porte shqiptare për emigrantët që janë ndaluar qoftë nga roja bregdetare apo nga marina usharake italiane. Kryeministër si lindi kjo marrëveshje?
Edi Rama: Faleminderit për ftesën! Është përherë një kënaqësi dhe nder të jem te ju. Kjo marrëveshje vjen nga mirënjohja e thjeshtë që gjendet gjithmonë brenda meje dhe brenda të gjithëve ne shqiptarëve kundrejt Italisë dhe kur Italia na kërkon të japim një dorë, edhe pse ne nuk mund të zgjidhim problemin e madh të emigrantëve, jemi të nderuar të japim një dorë. Kaq.
Bruno Vespa: Atëherë, menaxhimi i kampeve do të jetë italian.
Edi Rama: Bëhet fjalë për një qendër pritjeje dhe për një post ku do të procedohet me të gjitha verifikimet, me të gjitha regjistrimet. Çdo gjë është bërë sipas kritereve të mirëpërcaktuara të Bashkimit Europian.
Bruno Vespa: Gjatë këtyre ditëve edhe të mbijetuar të kampeve të shfarosjes naziste si Edith Bruck, madje dhe në Shqipëri ka pasur persekutime ndaj hebrenjve që gjithmonë kanë qenë të prirur për pritjen e këtyre njerëzve, sikur janë ngurtësuar sepse thonë që ka mundësi që nga vendet myslimane të mbërrijnë terroristë apo persona që janë kundër hebrenjve. Si e mendoni ju këtë?
Edi Rama: Po më bëni një pyetje me një peshë të jashtëzakonshme për një çështje, e cila për fat të keq po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar dhe që është pikërisht çështja se si të jemi Europa e vlerave dhe e të drejtave që janë shumë të shtrenjta për ne dhe në të njëjtën kohë t’ia dalim të shquajmë midis atyre që vërtet largohen nga rreziku i vdekjes dhe atyre që përfitojnë apo që bien pre e trafikantëve e madje edhe rrjeteve që furnizojnë këtë lloj trafiku. Ka vende europiane, të cilat janë shprehimisht të mbyllura ndaj idesë për të pritur persona të besimeve të tjera fetare, të ngjyrave të tjera, por e kemi parë që kur erdhi fjala për refugjatët ukrainas, ishin shumë të hapur për t’i pritur, sepse për mbi të gjitha, ishin të bardhë dhe ishin të krishterë. Ndërkohë që, ka realitete të tjera në vende europiane si Zvicra dhe jo vetëm që kanë qenë gjithmonë krahë hapur për të pritur të gjithë pa asnjë dallim, por që po kalojnë një moment shumë të vështirë.
Bruno Vespa: 30 vjet më parë ishin shqiptarët që vinin në masë si emigrantë në Itali, ndërkohë që tashmë është e anasjellta. Shumë italianë vijnë në Shqipëri për të investuar në Shqipëri, e për të punuar në Shqipëri.
Edi Rama: Nëse sot, Shqipëria është destinacion për Italinë e nëse sot shqiptarët në Itali, por edhe në Shqipëri kanë një të ardhme, kjo vjen edhe në pjesë të madhe nga fakti që kur ne ishim refugjatë, kur ne largoheshim nga ferri, Italia na priti krahapur dhe na dha atë çfarë është gjëja më e çmuar për një qënie njerëzore, të ardhmen. Dhe në kërkim të së ardhmes, njerëzit janë të gjithë qënie njerëzore, pavarësisht nëse janë muslimanë apo të krishterë, por të gjesh një ekulibër këtu është një çështje shumë e ndërlikuar./Zëri.ai