
TIRANË- Moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka, ka sjellë një përplasje të re në skenën politike, mes kryetares së Kuvendit Lindita Nikollam dhe kreut të grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi. Pasi kryetarja e Kuvendit, ktheu dje një përgjigje se pse vendimi i Kushtetueses nuk është zbatiar, Bardhi është përgjigjur sot me një shkresë zyrtare.
Në shkresën drejtuar Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, Bardhi shprehet se është deformuar qëndrimi i Këshillit të Legjislacionit dhe se nuk ka asnjë adresim prej tij të asnjë çështje për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Bardhi kujton se Këshilli për Legjislacionin nuk është organ vendimmarrës por këshillimor.
“Duke qenë se Këshilli i Legjislacionit në raportin që i ka paraqitur Kryetares së Kuvendit, ka prezantuar dy qëndrime, atëherë kjo çështje duhet të diskutohet në Konferencën e Kryetarëve, si struktura përgjegjëse parlamentare për organizimin e punës së organeve brenda Kuvendit", shkruan Bardhi.
Më tej Kryetari i grupit parlamentar të PD, thekson se “nëse nga ana juaj si Kryetare e Kuvendit është përkrahur këshilla e 5 anëtarëve të mazhorancës, për të zvarritur këtë çështje, atëherë ju keni patur detyrimin kushtetuese dhe ligjor, që çështjen ta transferonit menjëherë për shqyrtim pranë Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe të thërrisnit mbledhjen e këtij Këshilli. Është fakt, që për 1 vit e 2 muaj, si dhe veçanërisht që nga Korriku 2023 ku ka përfunduar puna e Këshillit të Legjislacionit, ju nuk keni ndjekur asnjërën nga procedurat e mësipërme", thuhet në letrën zyrtare drejtuar Kryetares së Kuvendit.
Gazment Bardhi i ka sjellë në vëmendje Kryetares së Kuvendit se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim dhe nga ky detyrim kushtetues e ligjor nuk bën përjashtim as Kuvendi dhe as Kryetari i Kuvendit. Ai i kujton, duke e paralajmëruar, se sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese “Moszbatimi ose pengimi i ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dënohet sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal”, duke ju referuar kështu neneve 320 dhe 320/a të Kodit Penal.
Bardhi i kërkon Nikollës që të zgjedh nëse duhet të thërras mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ose të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, por pa asnjë vonesë të mëtejshme.
“Mazhoranca socialiste duhet të heq menjëherë dorë nga precedenti i rrezikshëm i injorimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo minon demokracinë dhe parimet e shtetit ligjor. Pengim i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetutese për rastin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, po të mbahen në konsideratë rrethanat e çështjes, krijon bindjen e plotë në opinionin publik se përmes veprimeve konkrete mazhoranca juaj po pengon drejtësinë në përmbushjen e rolit të vet kushtetues, duke i ofruar mbrojtje politike të paprecedentë një deputeti të mazhorancës.
Në vlerësimin tonë, ky është një sinjal politik edhe për SPAK që të mos hetojë deputeten e mazhorancës dhe familjarët e saj, për implikimin e mundshëm në tjetërsimin e paligjshëm të pronave publike, apo të mos hetojë autoritetet përgjegjëse, përfshirë Kryeministrin Edi Rama, që në shkelje të ligjit dhe me dokumente të falsifikuara i kanë dhënë familjes së deputetes Xhaçka statusin e investitorit strategjik dhe benefitet ligjore e financiare që vijnë nga ky status", përfundon letra e kryetarit të grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi.
Çfarë ka ndodhur me mandatin e Xhaçkës
Në janar të vitit 2023 Kushtetuesja duke i dhënë përgjigje një padie të deputetëve të PD-së rrëzoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të mos dërguar çështjen pranë kësaj duke kërkuar që të vendosë për të kundërtën.
Por, zbatimi i këtij vendimi po zvarritet prej më shumë se një viti me justifikime të ndryshme, ndërkohë që mazhoranca shfrytëzoi krizën e re në Kuvend për shkak të protestave të opozitës, si justifikim për shtyrjen e çështjes pa afat.
Këshilli i Legjislacionit nëpërmjet shumicës miratoi në korrik një raport, ku i sugjeronte Kryetares së Kuvendit, rikthimin e çështjes në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, ndërsa opozita sugjeronte ndjekjen e praktikës së mëparshme parlamentare për ta dërguar direkt në seancë për votim kërkesën e opozitës që mandati i Xhaçkës të shkojë për interpretim në Kushtetuese.
Nikolla, e cila ka kompetencën ligjore që të vendosë për procedurën e mëtejshme parlamentare, përdori justifikime të ndryshme për mosveprimin. Pasi u justifikua në vjeshtë me axhendën e ngjeshur, në dhjetor kabineti i saj tha se kjo çështje do të shqyrtohej me kthimin e normalitetit të punës në Kuvend.
Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur as sot.
/ZËRI
/ZËRI