
VLORË- Pas arrestimit të Jorgo Goros dhe dënimit të Fredi Belerit për shitblerje votash, pikëpyetja më e madhe është se kujt do t’i besohet në vijim drejtimi i Bashkisë, sa kohë që kryeministri Edi Rama ka thënë që nuk do të shpallë datën e zgjedhjeve të reja, pa u dhënë vendimi në apel për Fredi Belerin. Ligji parashikon që të mblidhet këshilli bashkiak i Himarës, për të mandatuar një nga nënkryetarët që të ushtrojë detyrën e Goros. Mirëpo asnjë prej dy nënkryetarëve të bashkisë, bëjnë me dije burimet për ZËRIN, nuk ka pranuar që të marrë detyrën. Sipas organizatës OMONIA, në skenë si kryebashkiak i Himarës mund të dalë emri i Vangjel Tavos, i cili pak javë më parë, u emërua në postin e prefektit të Vlorës.
OMONIA hedh dyshime se përmes ndryshimit të ligjit për prefektin, Tavo mund të marrë atribute për drejtimin e Bashkisë, si pjesë e qarkut të Vlorës. Por, kjo sipas OMONIA-s do të ishte e papranueshme dhe do të shkelte mbi vetë deklaratat e Ramës se për Bashkinë e Himarës do të aplikoheshin standardet më të mira europiane./ZËRI