Politikë

Lëvizjet që dominuan skenën politike gjatë 2023

Me arrestimin e Sali Berishës, është gjithnjë e më e nevojshme lindja e një force të re politike, por a do ia dalin opozitarët?

E.K
Lëvizjet që dominuan skenën politike gjatë 2023
Levizjet politike

TIRANË- Sali Berisha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Ilir Beqaj, Arben Ahmetaj, Vangjush Dako, Lefter Koka e Alqi Bllako, nuk janë thjesht emra politikanësh, por edhe personazhe që rrezikojnë të dalin nga jeta publike, për shkak të telasheve të hapura që kanë me drejtësinë.

Të tjerë emra presin në prapavijë që të vijë momenti i tyre për të marrë pushtet, ndërsa 2023 mbyllet me pak lëvizje në skenën politike. Përpjekjet e vetme për të sjellë një lëvizje e parti të re janë bërë nga Adriatik Lapaj dhe Arlind Qorri, i pari me më shumë hapësirë në media, dhe i dyti që ka zgjedhur takimet në rrugë, që në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës i mundësuan që të merrte afro 14 mijë vota për kryetar, duke e renditur alternativën e tretë në kryeqytet.

Zgjedhjet lokale të 14 Majit, treguan një dominim të frikshëm të socialistëve në shumicën dërrmuese të bashkive të vendit, nxorën Berishën të parin mes fraksioneve të demokratëve, por pa qenë në shifrat e një alternative qeverisëse, dhe katandisën në pozita edhe më të pafavorshme ish-LSI-në, që së fundi ka ndërruar dhe emrin në Parti e Lirisë.

A ishte 2023 fundi politik i Sali Berishës?

Pas 33 viteve në pushtet, Sali Berisha e gjen veten pa imunitet, dhe nën masën e arrestit të shtëpisë, i izoluar nga kushdo dhe pa komunikim me mbështetësit e tij. Berisha u vu nën masë sigurie nën dyshimet për korrupsion që ka kryer gjatë kohës kur ka drejtuar qeverinë, dhe ka favorizuar dhëndrin e tij që të merrte ish pronën, mbi truallin e të cilës ishte ngritur kompleksi sportiv Partizani.

I rikthyer prej dy vitesh në politikën aktive, pasi u shpall non grata nga SHBA, Berisha mban të ngërthyer rreth vetes 15 deputetë, pa ia dalë dot që të fitojë besimin e të gjithë grupit parlamentar, të cilët nuk e kanë të lehtë që të pozicionohen qartë në anën e një njeriu të shpallur non grata nga SHBA. Ndër kryesorët që ndjen këtë presion është Gazment Bardhi, që pavarësisht njësimit të aksionit parlamentar me Berishën, nuk qëndron në krahun e tij, kur është fjala për protesta.

A ka ardhur koha për një parti të re brenda të djathtëve?

Teksa Partia Demokratike është e ndarë në 3 grupime, me Lulzim Bashën që nuk bind me vetëm 8 deputetë në grupin e tij, Berishën nën arrest, dhe Gazment Bardhin që nuk bind në bazë, e fatin e vulës zyrtare në dyert e Gjykatave, shumë thonë që ka ardhur koha për një forcë të re brenda të djathtës.

I pari që u veçua nga grupet, në përpjekje për të dalë me një lëvizje të re është deputeti Agron Shehaj, në dukje një figurë e papëlqyer në afera në korrupsion, por nga ana tjetër një politikan që nuk e ka testuar veten në nivele drejtuese, dhe disi i shkëputur nga realiteti politik.

Ilir Meta e Monika Kryemadhi zbusin tonet

Nga një ish-president që kërcënonte se do të ngujohej e flijohej, Ilir Meta u rikthye në drejtimin e partisë që themeloi, duke i marrë kryesimin bashkëshortes së tij, ndërsa e përbashkëta e të dyve është fakti që kanë dosje një SPAK. Gjithnjë e më të largët nga tonet kërcënuese, Meta e Kryemadhi, duket se po shkojnë drejt fundit pa lavdi të partisë së tyre.

Nga një kingmaker, LSI tashmë është rrudhur dukshëm në elektorat, edhe për faktin se zakonisht mbështetësit janë në kërkim të favoreve dhe shpërblimeve. Ndasia me Berishën është faktuar dhe në protestat e fundit të thirrura nga ish-kryeministri ky drejtuesit e Partisë së Lirisë nuk kanë marrë pjesë.

Socialistët telashet i kanë me prangat

Edhe pse PS drejton vendin në mandatin e tretë dhe në zgjedhjet e 14 Majit arritën të fitonin shumicën e bashkive, kjo nuk do të thotë se në mesin e tyre nuk ka rrjedhje e humbje. Shumë zyrtarë socialistë, edhe me peshë elektorale, gjenden sot pas hekurave, për shkak se kanë ‘ngrënë dardha’ pas shpinës së kryeministrit, thënë kjo prej tij, ose e thënë më thjesht janë implikuar në afera korruptive.

Arben Ahmetaj është zyrtari më i lartë në radhët e socialistëve që sot është në kërkim i dyshuar për aferën e inceneratorëve. Për të njëjtën çështje gjenden sot pas hekurave dhe Lefter Koka dhe Alqi Bllako, ndërkohë që Ilir Beqaj është nën hetim për aferat në dikasterin e shëndetësisë që ai e drejtoi për disa vite.

Në radhët e shumë ish-kryebashkiakëve të vënë në pranga, më me peshë elektorale padyshim që është Vangjush Dako. Pasi drejtoi Durrësin për 3 mandate me radhë, edhe pas largimit të detyrueshëm nga shpallja non grata, Dako nuk e ndaloi aktivitetin e tij politik, duke u shfaqur në ballë të fushatave elektorale të socialistëve.

Një tjetër deputete, mandati i të cilës është në pikëpyetje, është ish-ministrja e jashtme Olta Xhaçka, e cila ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit, gjatë shpalljes së bashkëshortit të saj si investitor strategjik nga ana e qeverisë. Për vetë Artan Gaçin ka dyshime se mund të ketë kryer tjetërsime pronash, ndërsa çështja gjendet në SPAK.

Hetimet për dosjen e inceneratorëve vazhdojnë, dhe aty po shqyrtohen rolet e secilit zyrtar që ka firmosur, përfshirë edhe drejtuesit e bashkisë së Tiranës, Fierit apo Elbasanit. Por megjithë problemet, PS shpalli pak ditë më parë në Kongres ndezjen e motorëve për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

A ka shanse për partitë e reja?

Nëse iu referohemi sondazheve të mbështetjes politike që kanë sot forcat politike, padyshim që ‘forcë e tretë’ do të ishte elektorati gri. Ai që nuk pozicionohet e nuk bindet nga asnjë forcë politike. Zakonisht janë njerëzit më të arsimuar, që kërkojnë që në këtë vend të marrë fund doniminimi i klasës së vjetër politike.

Por a bindin figurat e reja? Historia ka treguar që jo! Fatkeqësisht edhe kutitë e votimit. Me përjashtim të LSI-së, apo partive të tjera të vogla të opozitës, të cilat i mundësojnë vetëm karrigen e deputetit kryetarëve të tyre, lëvizjet e tjera nuk kanë pasur shumë shanse që të përkthehen në mbështetje elektorale.

Përjashtim në dy vitet e fundit bën Lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit, që vetëm vitin e fundit është kthyer në një forcë politike me angazhimin në zgjedhjet lokale të 14 Majit. Vetëm në Tiranë, Qorri arriti që të siguronte afro 14 mijë vota në emrin e tij nominal, ndërsa partia e tij siguroi një vend edhe në Këshillin Bashkiak. Por partia e drejtuar nga Qorri nuk e ka kaluar ende testin e përfshirjes në zgjedhje në nivel kombëtar.

Një tjetër alternativë është dhe Adriatik Lapaj, i cili ka mbledhur rreth vetes një grupim aktivistësh, nën moton dhe logon ‘Shqipëria Bëhet’. Lapaj është një avokat që shpesh ka qenë pjesë e kauzave të ndryshme civile, duke fituar simpatinë e ndjekësve veçanërisht në rrjetet sociale. Por se sa kjo mbështetje do të mund të përkthehet në vota, kjo mbetet të shihet vetëm në zgjedhjet e vitit 2025.

Në rast se palët nuk do të gjejnë dakordësinë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, do të bëhet gjithnjë e më e vështirë që partitë e vogla të bëhen të mëdha, pavarësisht urisë dhe nevojave për lindjen e alternativave të reja.

2024 do të jetë një vit pa zgjedhje, nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë, ama do të jetë një vit prove për opozitarizmin në Shqipëri, që të mund të gjejë forcën për të qenë një alternativë bindëse, e besueshme, e mbi të gjitha frymëzuese. Sa shumë fjalime klishe kemi dëgjuar këtë vit… /ZËRI

Poll

MOS HUMB