VLORË- Pas protestave të dhunshme në Zvërnec, ku u regjistruan incidente të rënda ndaj qytetarëve, Policia e Vlorës ka vënë në pranga dy persona, roje private. Këta të fundit, sipas njoftimit të policisë, akuzohet se në bashkëpuim me Gerald Bibën, tërhoqën zvarrë protestuesin në Zvërnec.
Ndërkohë, blutë e Vlorës sqarojnë se dy të arrestuarit, Artur Grami dhe Gazmend Vathi, nuk rezultojnë të regjistruar apo të licencuar nga asnjë subjekt për shërbim privat të sigurisë fizike.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë/ Vijojnë hetimet intensive në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë autorët e veprimeve ose mosveprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të zhvilluar më datë 30.05.2026, në Portonovë, Zvërnec.
Ndalohen dhe vihen në pranga 2 shtetasit që tërhoqën me forcë, pjesëmarrësin në tubim.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, për zbardhjen dhe dokumentimin e të gjitha rrethanave dhe të gjitha përgjegjësive për këtë ngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kapën dhe ndaluan shtetasit A. G., 35 vjeç dhe G. V., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Vlorës iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Të dy akuzohen se në bashkëpunim me shtetasin G. B. (të arrestuar), kanë tërhequr me forcë, drejt vendit të rezervuar për rojet, pjesëmarrësin në tubim, shtetasin E. S., të cilit i kanë shkaktuar dëmtime trupore.
Më tej, nga verifikimet rezultoi se shtetasit e ndaluar, A. G. dhe G. V., nuk figurojnë të regjistruar apo të licencuar nga asnjë subjekt për shërbim privat të sigurisë fizike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.
Incidenti i rëndë u regjistrua të shtunën, 29 maj, gjatë protestës së organizuar nga banorë dhe aktivistë kundër projektit që po zhvillohet në zonën e Zvërnecit. Protesta u shoqërua me tensione të forta deri në përplasje fizike mes protestuesve dhe personave të angazhuar për sigurinë e projektit.
Biba rezulton pronari i kompanisë private të sigurisë "Major Security" dhe një emër i njohur për publikun, i cili po ashtu ka qënë ish-truproja i reperit Noizy. 32-vjeçari u pa në pamjet e publikuara nga ZËRI, teksa godet me grush banorin, më pas së bashku me dy rojet e tjera të shoqërisë private marrin zvarrë qytetarin.
Ndaj Bibës janë ngritur akuzat “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”./ZËRI