TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë, bëhet një prej institucioneve të para që ka vendosur që të përdorë inteligjencën artificiale, për zbardhjen e fjalimeve të deputetëve në seancat plenare, komisionet dhe çdo konferencë që do të zhvillohet në ambientet e Kuvendit.
Në një tender që ka hapur së fundi, me vlerë prej 74.5 mln lekësh, Kuvendi shpall edhe objektin e tij, që është transkriptimi i audios në tekst, sipas tyre me qëllim për të shkurtuar kohën e punës, por edhe për të rritur transparencën dhe efikasitetin në kërkim dhe arkivat e Kuvendit.
Në aneksin e kontratës “Blerje e sistemit të transkriptimit të dhënave audio-video të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, bazuar në inteligjencën artificiale dhe shërbim mirëmbajtje 48 muaj”, thuhet se Kuvendi i Shqipërisë, ka qëllim transparencën, dhe një komunikim sa më efikas me qytetarët, që bëhet në një kohë sa më të shpejtë të mundshme.
Gjithashtu në relacion thuhet se Shërbimi i Redaktorëve të Kuvendit transkripton dhe redakton mbi 10 orë materiale audio në ditë duke sjellë vonesa në përpilimin e procesverbaleve.
“Transparenca dhe ambiciet për transformimin digjital janë shtyllat kryesore të Planit Strategjik të Kuvendit. Ndërsa prodhohet një sasi e konsiderueshme e materialeve audiovizuale, Shërbimi i Redaktorëve i Kuvendit ka detyrë të transkriptojë, redaktojë dhe korrektojë, duke konvertuar regjistrimet në dokumente të shkruara, për të prodhuar procesverbalet e plota të secilit takim, pjesë e aktivitetit parlamentar. Realizimi i kësaj detyre në mënyrë manuale, pa ndihmën e Teknologjisë së Informacionit është i vështirë dhe thuajse gjithmonë kërkon përpjekje të sforcuara të stafit për të përballuar fluksin e lartë të punës (seanca të zgjatura plenare, disa komisione parlamentare që mblidhen paralelisht, duke prodhuar mbi 10 orë material audio në ditë). Procesi i zbardhjes me kufje dhe i redaktimit e korrektimit merr kohë, në disa raste është madje e pamundur të ndiqet ritmi për shkak të intensitetit të aktivitetit parlamentar. Kjo sjell vonesa në përpilimin e procesverbaleve në kohë të shpejtë”, thuhet në aneksin e këtij tenderi të Kuvendit.
Fondi limit i tenderit është 74.5 mln lekë pa TVSH, nga përcaktohet se periudha e zbatimit të kontratës do të jetë 5 muaj implementim që kushton 41.4 mln lekë dhe 4 vjet mirëmbajtja që kushton 33.1 mln lekë.
“Blerje e sistemit të transkriptimit të të dhënave audio video të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, bazuar në inteligjencën artificiale, me vlerë fondi të përllogaritur në 41.420.000 (dyzet e një milion e katërqind e njëzet mijë) lekë pa Tvsh.
Mirëmbajtje për 48 (dyzet e tetë) muaj me vlerë fondi të përllogaritur deri në 33.164.800 (tridhjetë e tre milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e tetëqind) lekë pa TVSH, mbështetur në vlerën mujore të përllogaritur”, thuhet në tenderin e Kuvendit.
Qëllimet e kësaj kontrate janë:
Efikasiteti: Mund të përmirësojë efikasitetin e proceseve parlamentare duke reduktuar nevojën për transkriptim manual ose mbajtjen e shënimeve. Kjo lejon parlamentarët dhe stafin të fokusohen më shumë në përmbajtjen e diskutimeve, sesa në detyrat administrative.
Transparenca: Teknologjia e konvertimit të fjalës në tekst rrit transparencën duke ofruar një zbardhje të shpejtë të aktivitetit parlamentar. Ky regjistrim mund të bëhet i disponueshëm për publikun, gazetarët, studiuesit dhe palët e tjera të interesuara, duke siguruar përgjegjshmëri dhe hapësirë në procedurat qeverisëse.
Kërkueshmëria: Transkriptet e tekstit të gjeneruara nga teknologjia e konvertimit të fjalës në tekst mund të indeksohen dhe kërkohen lehtësisht, duke mundësuar kthjellimin efikas të diskutimeve specifike, debateve ose temave të interesit. Kjo ndihmon në kërkim, analizë dhe mbledhjen e regjistrimeve parlamentare.
Arkivimi: Transkriptimi automatik ofron një mënyrë të përshtatshme për të arkivuar dhe ruajtur procedurat parlamentare për qëllime historike. Regjistrimet digjitale të krijuara përmes teknologjisë së konvertimit të fjalës në tekst mund të ruhen elektronikisht dhe të qasen në të ardhmen për referencë ose analizë.
/ZËRI