Politikë

"Kush është Nesti Angoni", Belinda Balluku përgjigjet për denoncuesin anonim të Veliajt

Ajo ka deklaruar se bashkë me Veliajn vijojnë të ulen në të njëjtën tryezë pune sa herë që bëhen mbledhjet me drejtuesit e qarqeve për zgjedhjet e 11 majit, teksa shprehet se ai është linçuar publikisht pas hetimeve që ka ndërmarrë SPAK.

F.I
"Kush është Nesti Angoni", Belinda Balluku përgjigjet
Belinda Balluku dhe Erion Veliaj

TIRANË-Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka folur rreth raporteve të saj me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj si dhe për hetimin ndaj tij. Ajo ka deklaruar se bashkë me Veliajn vijojnë të ulen në të njëjtën tryezë pune sa herë që bëhen mbledhjet me drejtuesit e qarqeve për zgjedhjet e 11 majit, teksa shprehet se ai është linçuar publikisht pas hetimeve që ka ndërmarrë SPAK. E ftuar në 'Top Story' ajo është pyetur edhe në lidhje me denoncuesin anonim të kryebashkiakut. Balluku është shprehur se ka punë shumë më të rëndësishme për tu marrë sesa të merret me akuzat e medias për sa i përket kësaj çështje.

Si janë këto akuzat që bëhen…

Unë e kuptoj shumë mirë që ka një vëmendje dhe tendencë për telenovela nëpër lajme, por për të thënë të drejtën janë duke rrëmuar në vendin e gabuar se as unë, as Erioni nuk kemi ndonjë rezervë ndaj njeri tjetrit.

Vërtet mendon se goditja e kryebashkiakut nga SPAK, nuk e dëmton PS-në e Tiranës?

Unë do të doja që të ndiqeshin të gjitha shkallët e drejtësisë ashtu siç duhet. Në rast se hetohet një dosje, kjo nuk e bën personin nën hetim, fajtor. Ky është gabimi më i madh që po ndodh në këto momente, secili që ka një çështje të hapur, duhet patjetër gjithë ky mllefi publik që e vë personin te cepi dhe e trajton si një person të fajshëm. Kjo nuk duhet të ndodhë.

Kur bëhet për Metën dhe Berishën nuk ka problem…

Erioni është një figurë politike. Sot ka qenë në tryezë me mua dhe me gjithë drejtuesit e tjerë të qarkut dhe është duke punuar, ashtu siç ka punuar çdo ditë dhe për këtë ju siguroj.

Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe një nga drejtuesit e Qarkut, është përfaqësues i lartë politik. Deri tani kemi opinionin e kryeministrit që ai po linçohet publikisht. Keni ju një opinion?

Këtë sapo thashë para pak. Ka një linçim publik të pajustifikuar.

Po një kosto do ketë PS-ja, jo vetëm në Tiranë, por gjithandej. Për Veliajn nuk kemi thjesht një kallëzim, kemi një kontroll, kemi kontrollin e bashkëshortes…

Ndaj të njëjtin pozicion me kryeministrin. Po bëhet një linçim publik pa logjikë. Sa i përket impaktit, sot kam qenë në të njëjtën tryezë me Veliajn dhe gjithë drejtuesit e qarqeve, është në punë. Ne jemi në një fushatë që e konsiderojmë të filluar.

SPAK vepron, por duhet të ketë një diskutim publik pasi Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës…

Ne nuk bëjmë kurrë gabimin që kanë bërë paraardhësit tanë që të ndikonin në sistemin e drejtësisë. Për këtë arsye ka ardhur momenti i duhur që të ndahet puna e ndershme dhe e pastër nga abuzimet.

Keni ndonjë dijeni kush është Nesti Angoni?

Unë as e di kush është Nesti Angoni, as kam ndonjë interes ta di. Kam parë një uragan akuzash të cilat për të thënë të drejtën më kanë bërë të buzëqesh. Nuk është në interesin tim se kam punë shumë më të rëndësishme për tu marrë sesa të merrem me insinutat dhe me akuzat e medias për sa i përket kësaj çështje.

Hetimi

Ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, ka nisur hetimi i pasurisë, dhe SPAK ka kërkuar t’i vendoset në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar të kryer nga kryebashkiaku, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, i vëllai Arbër Veliaj dhe nëna, Shqiponja Veliaj. Kjo është hera e dytë që Veliaj paraqitet në SPAK, pasi herën e parë u paraqit më 30 prill të këtij viti. Në atë kohë kryebashkiaku qëndroi për 8 orë në SPAK lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për inceneratorin e Tiranës.

Po ashtu,  bashkëshorja e Veliajt, Ajola Xoxa, mbrëmjen e së hënës (23 dhjetor 2024) u mor në pyetje nga SPAK për rreth 3 orë në kuadër të një hetimi për pasurinë të nisur ndaj kryebashkiakut. Një ditë më pas Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e avokatëve të Xoxës dhe kunatit të saj Arbër Veliaj mbi ankimin ndaj vendimit të GJKKO që lejoi kontrollin e BKH ndaj tyre.

Më 6 dhjetor, teksa kryebashkiaku ndodhej për një vizitë zyrtare 2 ditore në Hamburg, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u paraqitën në banesën e Veliajt për të sekuestruar celularin e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa. Urdhëri u dha nga hetuesi i SPAK, Olsi Dado. Më pas, së bashku me vetë Xoxën janë paraqitur edhe në galerinë e saj, “Harabel”, për të ushtruar kontroll. Pas interesit të mediave, ka pasur një sqarim nga SPAK lidhur me atë që po ndodh. Sipas Prokurorisë së Posaçme, po kryen hetime për një çështje, por nuk japin detaje të tjera. Vetë Veliaj u shpreh i hapur për hetimet që po kryheshin nga SPAK.Pas kontrollit, reagoi kryedemokrati Sali Berisha. Ky i fundit deklaroi se gjatë kontrollit që BKH ka ushtruar në zyrat e fondacionit “Harabel” të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt, janë gjetur të fshehura 230 mijë euro. Në përgjigjen  Veliaj iu drejtua Berishës, duke e quajtur atë “një hienë të xhindosur", por po ashtu paralajëmroi ankimimin që u bë në Gjykatë nga familjarët e tij. Por si në shkallën e Parë, edhe në Apelin e GJKKO-së, ankimimi për kontrollet është rrëzuar nga trupa gjykuese./ZËRI

Poll

MOS HUMB