TIRANË- Kryekomisioneri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) mori sot vendimin duke lënë në detyrë kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari.
Celibashi argumentoi se Hajdari nuk është në kushtet për t'i hequr mandatin, pasi me shlyerjen e shërbimit të provës për fshehjen e dënimit në Greqi, në formularin e dekriminalizimit, dënimi i tij konsiderohet i shlyer.
Sipas Celibashit, nëse ndaj dikujt aplikohet neni 63, dënimi është i paqenë.
“KQZ i përmbushi detyrimet që rridhnin për rishqyrtimin e kësaj çështjeje, duke kërkuar nga Prokuroria e Posaçme dokumentacionin që urdhëronte KAS. Është e qartë se ai dokumentacion njihet nga të gjithë dhe nuk ka dokumentacion shtesë. Kemi marrë të gjitha vendimet e çdo institucioni mbi këtë çështje: të KQZ-së, KAS-it, Kolegjit Zgjedhor, gjykatës dhe Gjykatës së Posaçme. Cili është vlerësimi im?
Jemi përpara faktit që ai ka paraqitur formularin e dekriminalizimit. Me nxitje nga PD ka pasur një proces shqyrtimi penal. Ka një vendim penal për këtë çështje, i cili e ka sanksionuar me atë masë dënimi dhe, në fund, ka urdhëruar që ajo masë dënimi të shlyhet me orë pune në komunitet.
Aplikimi i nenit 63, a e vendos në kushtet e ndalimit apo jo? Ne kemi pasur një qëndrim për një rast të ngjashëm, por në gjykimin tim, sipas interpretimit që kam për ligjin, mendoj se nuk jemi në kushtet e ndalimit për këtë subjekt. Ky është një qëndrim që e kam mbajtur edhe më parë dhe jam i bindur në këtë interpretim.
Nëse ndaj dikujt aplikohet neni 63, dënimi është i paqenë. Një gjë e paqenë është zero, është bashkësi boshe. Përtej diskutimit që mund të bëhet për moralin, fakti ligjor mbetet ky që thashë: ky subjekt nuk është në kushtet e ndalimit. Këtë qëndrim e kanë konfirmuar më herët edhe KAS-i dhe Kolegji Zgjedhor për rastin e Mallakastrës. Për arsyet që i rendita, kryetari i Bashkisë Kuçovë nuk është në kushtet e ndalimit”, tha Celibashi.
Kreshnik Hajdari prej dy vitesh mban funksionin e Kryebashkiakut të Kuçovës, edhe pse rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë në korrik 2024 nga GJKKO, për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.
Në 23 qershor të vitit 1999, ai është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së parë të Janinës për hyrje në territorin grek pa leje. Atëherë, Kreshnik Hajdari ishte 17-vjeç dhe si i mitur iu vendos masa e riedukimit, por këtë dënim nga Gjykata e Janinës, nuk e kishte deklaruar.
Më 14 nëntor të vitit 2023, Komsioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që të mos e cënonte mandatin e Kreshnik Hajdarit, i cili kishte fshehur një dënim në formularin e vetëdeklarimit. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi me 9 muaj burg kryebashkiakun socialist. Por, në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, që parashikon ulje të dënimit në rast të procedurës së gjykimit të shkurtuar, të pandehurit i është ulur një e treta e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 6 muaj burg.
Prokuroria i kërkon KQZ-së të marrë në shqyrtim informacionin e përcjellë, ndërsa çështja pritet të vijojë me zhvillime të mëtejshme dhe do të jetë pikërisht kjo e fundit që do vendosë për mandatin si kryebashkiak të Hajdarit, nëse do ndërpritet apo jo, kur jemi një vit para zgjedhjeve lokale të ardhshme./ZËRI