GJERMANI- Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Gjermania lidhur me protestën që po zhvillohet në Tiranë prej më shumë se një muaji.
Nga Landi i Renanisë Veriore-Vestfalisë në Gjermani, gjatë pjesëmarrjes në forumin europian të inovacionit dhe sipërmarrjes "Ruhr Summit", Rama e konsideroi protestën një mesazh që qeveria duhet ta dëgjojë me vëmendje, ndërsa kujtoi se në të njëjtin bulevard ku zhvillohet tubimi sot, në të kaluarën kanë humbur jetën protestues.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se shqetësimet e qytetarëve duhet të dëgjohen me kujdes, teksa shtoi se tubimi me kalimin e kohës është ndikuar edhe nga aktorë dashakeqës politikë të cilët sipas tij, kanë qëllime të tjera.
Rama përsëriti ndikimin e algoritmit, që sipas tij, udhëhiqet nga objektivi për të tërhequr vëmendjen dhe duke shtrembëruar debatin publik.
“Shumë prej jush mund të keni dëgjuar për atë që u njoh si revolucioni i flamingove në vendin tim.
E konsideroj një mesazh të rëndësishëm për mua dhe qeverisjen time, po mundohem ta dëgjoj me shumë kujdes, jo duke numëruar njerëzit, por duke u përpjekur të kuptoj shqetësimet. Qeveria që resht së dëgjuari, resht së qeverisuri.
Ka pjesë të transformimit të Shqipërisë, sepse kemi jetuar në një kohë që protestat nuk lejoheshin dhe erdhëm në një periudhë kur protestat u bënë të rrezikshme. Në të njëjtin bulevard ku flamengot festojnë lirinë, kishim njerëz që u vranë… protestues që humbën jetët jo shumë kohë më parë.
Ajo që dua të them është që pas gjithë kësaj të mire erdhi e keqja, erdhi modeli i biznesit, protesta hyri në makinerinë e amplifikimit algoritmik dhe protesta u shndërrua në arenën e aktorëve dashakeq… Kjo është e shëmtuar, jo protesta, jo qytetarët, por shtrembërimi i realitetit dhe kjo nuk është një histori vetëm shqiptare.
Algoritmi nuk ka nevojë të shtypë përmes një policie sekrete apo duke rrahur njerëz në rrugë, apo duke mbajtur të burgosur politikë, por mbyt gjithçka tjetër përveç indinjatës. Kjo është ajo që shihni ju në Gjermani dhe ne në Europë”, u shpreh Rama./ZËRI